Vitet komuniste në Gjirokastër
Vitet nën komunizëm panë një industrializim të gjerë e të shpejtë si pjesë e strategjisë ekonomike staliniste. Në Gjirokastër u ndërtua një uzinë metalike që prodhonte pjesë të vogla si komplete për ngrënie dhe çadra, fabrika këpucësh, veshjesh, cigaresh, frigoriferësh dhe produktesh të tjera të lehta industriale. Gjirokastra u shpall qytet-muze nga regjimi më 1961 në përpjekje për të ruajtur trashëgiminë kulturore unike të qytetit. Veç specialistëve, një forcë e madhe pune, përfshirë edhe fëmijë u angazhuan në brigada vullnetare për të mirëmbajtur qytetin e vjetër. Rrjeti i gjerë i kalldrëmeve është një nga shembujt më domethënës së punës së tyre.
Fushata e vitit 1967 për të zhdukur fenë pati një ndikim shumë të madh në Gjirokastër. Gjatë periudhës osmane qyteti kishte 15 xhami, 13 nga të cilat mbijetuan deri në kohën e komunizmit, kur të gjitha, veç njërës, u shkatërruan. Thuhet se edhe ajo që mbijetoi u arrit të shpëtohej për shkak të statusit të saj si monument kulture. Në vitet që pasuan ndalimin e fesë ajo u përdor nga akrobatët e cirkut meqë kishte edhe kube të lartë. Pranë saj sot është Medreseja (shkolla myslimane), e cila më parë ka qenë teqe bektashiane. Ndërtuar më 1727 ajo u mbyll më 1967. Pikturat murale të kishës së Shën Sotirës u shkatërruan plotësisht. Ato u zëvendësuan me ikona të pikturuara sot, shumica nga artistë lokalë.
Kur regjimi komunist ra më 1990, ekonomia e Gjirokastrës ishte tashmë në rënie të shpejtë. Për të siguruar shkallë të plotë punësimi, komunistët mbipunësuan komplekset e vjetra dhe joefektive industriale. Rënia e komunizmit u shoqërua me humbjen katastrofike të vendeve të punës në Gjirokastër. Me mijëra shkuan në Tiranë ose emigruan jashtë vendit në kërkim të punës. Në trazirat sociale që pasuan Muzeu Kombëtar i Armëve u grabit ndërsa statuja e madhe e Enver Hoxhës u rrëzua. Aty tani ndodhet parkimi i një restoranti.