Wikipedia:Artikulli i javës/2023/1
Norbert Jokli (25 shkurt 1887 - maj 1942) ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Para se të njihej si albanolog, ai punoi si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstaatsbibliothekar) në Universitetin e Vjenës.
Lindi në Bzenec, Moravia e Jugut, sot Republika Çeke si biri i vetëm i një tregtari hebre. Përfundoi shkollën e lartë me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Për disa kohë, punoi si stazhier ligjor, por më vonë vendosi t'i përkushtohej gjuhësisë. Studioi gjuhët indoevropiane te P. Kretschmer, gjuhët sllave te V. Vagic dhe gjuhët romane te G. Meyer-Lübke. Në vjeshtën e vitit 1903, ai filloi si stazhier në bibliotekën e Universitetit të Vjenës ku punoi deri në vitin 1938. Në moshën 30-vjeçare, mësoi gjuhën shqipe. Për të mësuar shqipen, ndoqi kursin që udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas, i përforcoi njohuritë me ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Ishte meritë e tij që në 1914-n në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolëse.