At Shtjefën Gjeçovi (1873-1929) njihet si shkrimtar, etnolog e arkeolog që u dallua sidomos në lëmin e zbulimit dhe të afirmimit të traditave etnokulturore të shqiptarëve. Realizoi veprën madhore "Kanuni i Lekë Dukagjinit", pjesë të së cilës u botuan me gjallje të tij në revistën "Hylli i Dritës"; si libër më vete doli në vitin 1933 me një parathënie të At Gjergj Fishta . Kjo vepër është një monument i së drejtës zakonore të shqiptarëve dhe e bëri të njohur autorin në rrethet shkencore. Shtjefën Gjeçovi pinjoll i familjes me origjinë nga Kryeziu i Pukës lindi në Janievë (Kosovë) ku mori mësimet e para, kurse të mesmet i kreu në Kolegjin Françeskan të Troshanit, për të vijuar më pas studimet teologjike në Bosnjë. Shërbeu si famulltar në vise të ndryshme, si në Pejë , në Kurbin , në Gomsiqe . Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet kundërosmane të viteve 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920. Duke jetuar mes njerëzve mblodhi traditat e folur , etnografike , të drejtën zakonore dhe u interesua për gjuhësinë e arkeologjisë. Gjithë veprimtarinë e tij të shumanshme kulturore e përshkon atdhetarizmi. Kjo veprimtari u bë shkak të vihej në shenjë të rretheve shoviniste serbe, të cilat organizuan vrasjen e tij më 14 tetor 1929. Gjeçovi është autor i Dramës "Dashtunia e Atdheut" (1901), i veprës morale-didaktike "Agimi i Gjytetnisë" (1910) dhe i shumë artikujve e studimeve etnologjike e arkeologjike botuar në organe të ndryshme të shtypit të kohës, sidomos në revistën "Albania" të F. Konicës, ku bashkëpunoi me pseudonimin "Lkeni i Hasit" . Gjeçovi la shumë vepra në dorëshkrim, si "Shqiptari ngadhnjyes" (1904), "Princi i Dibrave" apo "Mojs Golemi" (Dramë), "Mnera e Prezës" (1902), "Përkrenarja e Skënderbeut" . Shumica e këtyre dorëshkrimeve ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë . Puna e Gjeçovit është në vazhdën e veprimtarëve të Rilindjes për të mbledhur e për të dëshmuar traditat kombëtare dhe lashtësinë historike të shqiptarëve, kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore, për të lëvruar fjalën shqipe dhe për të forcuar vetëdijen kombëtare të popullit të vet. Vitet e fundit të Rilindjes u aktivizua edhe një brez poetësh të tjerë. Filip Shiroka (1859-1935), që pati botuar një vjershë luftarake me titull “Në armë Shqipëri” në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 1933 nxori vëllimin “Zani i zemrës” , ku përmblodhi vjersha atdhetare të shkruara në kohë të ndryshme, midis tyre poezinë e njohur “Shko dallëndyshe”, e cila është e mbushur me mall për vendlindjen. Ai mbeti në kujtesën e lexuesve si poet i mallit për atdhe. Në fillim të shek. XX në faqet e shtypit botuan vjersha edhe Luigj Gurakuqi (1879-1925), Hilë Mosi (1885-1933), Risto Siliqi (1882-1936), Mihal Grameno (1872-1931) e të tjerë. Luigj Gurakuqi, përveç poezisë së tij atdhetare, shquhet edhe në fushë të mendimit estetik e kritik. Ai mori pjesë gjithashtu në Kongresi i Manastirit . Në vitet e Revolucionit të qershorit ai u bë një nga figurat qendrore të kohës, përkrah Fan Nolit. Risto Siliqi veç të tjerave, u bë kronikan i kryengritjeve të malësisë për liri me veprën "Pasqyra e ditëve të përgjakshme" (1912). Në këtë periudhë hynë në lëvizjen kombëtare e letrare edhe Gjergj Fishta (1871-1940) e Faik Konica (1876-1942), të cilët do ta zhvillonin veprimtarinë e tyre krijuese kryesisht në vitet e Pavarësisë, duke u bërë dy nga figurat qendrore të kulturës shqiptare të kohës.