Fan Noli

Theofan Noli i njohur më shumë si Fan Noli (Theofánis Stylianós Mavromátis; İbriktepe, 6 janar 1882 - 13 mars 1965, ShBA) ka qenë dramaturg, prift, përkthyes, politikan, diplomat, poet e historian shqiptar.

U lind më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin shqipfolës İbriktepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër trembëdhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Familja rronte me tokat që kishte si pronë. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për gjashtë vjet, më tej prindët e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë, ku qëndroi katër vjet.


Fan Noli nderohet në Shqipëri si kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës dhe unitetit kombëtar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare të Shqipërisë me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Ai gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht: si studiues dhe autor i një serie botimesh mbi Skënderbeun, Shakespeare, Beethoven, tekste fetare dhe përkthime. Ai prodhoi një përkthim të Dhiatës së Re në anglisht, Dhiatën e Re të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht nga teksti i miratuar grek i Kishës së Kostandinopojës dhe Kishës së Greqisë, botuar në vitin 1961.