Xheni Karaj

Aktiviste per te drejtat e komunitetit LGBT

Xheni Karaj (lindur në Tiranë) është aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT, bashkëthemeluese dhe aktualisht drejtuese ekzekutive e organizatës AleancaLGBT .

Xheni Karaj
KombësiaShqiptare
ArsimiUniversiteti i Tiranës
ProfesioniAktiviste
OrganizataAleanca LGBT
NderimetCivil Rights Defender of 2022

Aktivizmi politik

Redakto

Xheni së bashku me aktivistin tjetër për komunitetin LGBT, Kristi Pinderi kanë qenë ndër të parët aktivistë që nisën lëvizjen për të drejtat LGBT në Shqipëri.[1] Xheni ishte vajza e parë lezbike që njohën në Tiranë aktivistja amerikane Mindy Michels dhe ish-partnerja e saj Melissa Schraibman (kjo e fundit punonjëse e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë).[2] Takimet në shtëpinë e dy amerikaneve ndihmuan në krijimin e një bërthame që do të shërbente për themelimin e organizatës Aleanca LGBT.

Në maj të vitit 2012 teksa ndodhej në studion e emisionit Opinion në TV Klan Xheni bëri "daljen haptaz" të paparashikuar gjatë një debati të ashpër me Murat Bashën, ish-nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Basha ka replikuar në atë emision me aktivistin Kristi Pinderi duke i thënë: “Po të më bëhet djali si ty, plumbin ballit dhe le të shkoj në burg”.[3] Karaj e ka përshkruar kështu atë moment në një intervistë për gazetën Panorama: "Reagimi im ishte i paparashikuar, erdhi rastësor. Gjuha me të cilën foli Murat Basha është krejt e papranueshme. Është tragjike që familjarët e fëmijëve gej të dëgjojnë deklarata vrasjesh".[4]

Nga viti 2012 Karaj është ndër organizatoret kryesore të paradës së krenarisë që zhvillohet në muajin maj në bulvardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.[5] Ajo gjithashtu ka bashkëdrejtuar projektin Mendo Politikisht, ku partitë politike shqiptare janë detyruar të mbajnë për herë të parë qëndrim mbi tematikën LGBT. Bashkë me Pinderin ajo është autore e SkaNdal, dokumentarit mbi historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri. Të dy kanë ngritur gjithashtu strehën e parë rezidenciale STREHA për të rinjtë e pastrehë LGBT.[6]

Xheni Karaj është aktivistja e dytë LGBT nga Shqipëria që është përfshirë në projektin e Civil Rights Defenders, Natalia Project. Ky projekt u konceptua si një sistem sigurie, ku të gjithë mbrojtësit e të drejtave njerëzore që cënohen, pajisen me një byzylyk që e mbajnë në dorë dhe e aktivizojnë. Pas aktivizimit sinjali iu përçohet pjesëtarëve të këtij projekti për t'i ardhur në ndihmë aktivistit të cënuar.[7]

Jeta personale

Redakto

Karaj është lindur dhe rritur në një familje tiranase. Ajo ka studiuar për psikologji në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Referime

Redakto
  1. ^ https://www.nbcnews.com/feature/nbc-out/albania-s-lgbtq-activists-are-transforming-their-community-n715386
  2. ^ Mapo Madame Arkivuar 2 prill 2019 tek Wayback Machine
  3. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 19 qershor 2017. Marrë më 5 shkurt 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  4. ^ http://www.panorama.com.al/xheni-karaj-rrefen-historine-e-saj-per-here-te-pare-si-e-zbulova-qe-jam-lezbike/
  5. ^ Reuters
  6. ^ https://www.lgbtqnation.com/2014/12/albania-gay-rights-groups-open-first-lgbti-shelter-in-balkan-region/
  7. ^ https://www.civilrightsdefenders.org/news/achievements/second-albanian-lgbt-activist-included-in-the-natalia-project/[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]

Lidhje të jashtme

Redakto