Zija Luniku
Zija Luniku i përket një fisi shumë të dëgjuar dhe të respektuar në Elbasan dhe në të gjithë trevën tonë, një fis me një kontribut të jashtzakonshëm fetar dhe patriotik. Ky kontribut është i konfirmuar me dokumenta, me emra të tillë si, Hafiz Sulejman Luniku (1777-1853), Hafiz Seit Luniku (1811-1886), Hafiz Sulejman Luniku (1851-1913), Hafiz Mustafa Luniku (1859-1907), Hafiz Qamil Luniku (1902-1971), Sheh Shaqir Luniku (1895-1937), Hafiz Tasim Luniku (1898-1968), Abdurrahim Sulejman Luniku (1893 – 1959), etj., të cilët bënë shumë në Elbasan e në gjithë trevën tonë, por, që, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, u përballën me një kalvar shumë të gjatë vuajtjesh dhe persekutimi të paimagjinueshëm.
Zija Luniku, i biri i Hafiz Sulejmanit dhe Segjines, vëllai i Abdurrahimit, Seitit, Shaqirit, Salimit, Behxhetit, Hatixhes dhe Behijes, lindi në Elbasan në 05.06.1909. Mësimet fillore i kreu në Elbasan, shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës, për të shkuar më pas në Itali, për të ndjekur studimet universitare në Milano dhe në Firence, nga ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1934. U kthye në Shqipëri në nëntor 1934, për t’u regjistruar fillimisht si ndihmës avokat e më pas në Gjykatën e Vlorës, në Gjykatën e Beratit, dhe në Kuesturën e Shkodrës, dhe prej muajit qershor 1942, pas vrasjes se Qemal Stafës (05.05.1942, i cili fshihej në shtëpinë e tij në Shkodër, për shkak se bashkëshortja, Nashifer Sejdini, ishte mbesë e nënës së Qemailit), e deri në arrestimin e tij iu kthye profesionit të avokatit në Elbasan, duke mbrojtur ndër të tjerë edhe figura të shquara si Shefqet Daiu (pushkatuar në vitin 1946), dhe të tjerë.
U arrestua në 27 dhjetor të vitit 1946, së bashku me:
1) Fadil Gurmani; 2) Xhaferr Miraku; 3) Mahmut Maçi; 4) Sabri Baholli; 5) Xhemal Llalla; 6) Veniamin Dashi; 7) Osman Duduci; 8) Seit Kuqi; 9) Qemal Hoxha; 10) Qamil Bylykbashi; 11) Mehmet Haxhihasani; 12) Ibrahim Plaka; 13) Virtyt Gjylbega; 14) Refat Haka.
U akuzuan se:
- janë iniciatorë të një organizate klandestine në Elbasan kundra pushtetit popullor;
- janë munduar më anë të propagandës të sabotojnë reformat dhe të krijojnë disfatizëm dhe pasiguri;
- kanë krijuar lidhje me kriminelët e luftës në arrati dhe janë përpjekur me çdo mënyrë për organizimin e tyre, dhe, duke qenë të mbështetur në një ndërhyrje anglo-amerikane, janë përpjekur të përgatisin një kryengritje kundër Republikës Popullore të Shqipërisë;
- kanë nxitur të arratisurit të kryejnë aksjone dhe të vrasin njerëz të pushtetit;
- kanë sabotuar zgjedhjet e dy dhjetorit;
- kanë pasë lidhje të ngushta me organizatat terroriste të deputetëve tradhtarë, prej të cilëve kanë marrë udhëzime herë pas here dhe njëkohësisht kanë dhënë informacone rreth aktiviteteve të tyre.
Në proçes u përfaqësuan nga avokatët Minella K. Noçka dhe Fuat Asllani.
Gjatë periudhës hetimore, u trajtuan në mënyrë çnjerëzore nga:
- Seksioni i Sigurimit të Shtetit Elbasan – Edip Çuçi, Kleanthi Andoni; Toger Sulo Aliaj, Toger Nuci Tira; Mehmet Tepelena;
- Prokuroria Publike Elbasan – Ndihmës Prokurori Josif Taja; Prokurori Publik Sybhi Dedei; Kapiten I Kristo Mushi.
Gjyqi u mbajt në Sallën e Kinema Labinoti Elbasan dhe vendimi u mor në 15 dhjetor 1947, nga Trupi Gjykues i përbërë nga: Kapiteni I Myftar Grabocka, Toger Qamil Dermyshi, Toger Ejup Hatibi, Kapter Ahmet Hyshmeri, dhe prokuror Kapiteni I Kristo Mushi.
Gjyqi vendosi:
- Dënim me vdekje me pushkatim, humbjen e përhershme të të drejtave politike dhe civile, si edhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme për Zija Luniku, Fadil Gurmani, Mehmet Maçi, Xhaferr Miraku;
- Për pjesën tjetër, u dhanë dënime të ndryshme, nga 3 vjet deri në heqje lirie për jetë, ndërthurur me humbjen e përhershme të të drejtave politike dhe civile, si edhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme për të gjithë të dënuarit, dhe punë të detyrueshme.
Gjykata konstatonte se i pandehurit Zija Luniku ishte “konseguent i politikës së tij armiqësore kundra popullit, qysh gjatë okupacionit ka qenë anëtar i organizative politike tradhtare dhe terroriste të Ballit dhe Legalitetit; me çlirimin e Shqipnis riorganozoi grupe klandestine në qytetin e Elbasanit dhe aktivizohet për të gjetur elemente të tjera kundërshtare të Pushtetit si bejlerë, agallarë, pseudo intelektualë, tregtarë të pasur dhe në fillim të vitit 1945 formon organizaten ilegale terroriste Balli e Legaliteti”.
Në 2 Mars 1948 Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga Major Niko Çeta, Kapiten I Nexhat Hyseni, Kapiteni II Mustafa Iljazi, Aspirant Thoma Rino (kryesekretar), Kapiten I Nevzat Haznedari konfirmoi vendimin e Gjykatës Ushtarake Elbasan nr. 793, date 15.12.1947.
Në datën 5.03.1948 Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesës së të dënuarve me vdekje për falje, nëpërmjet letrës se firmosur nga nën Ministri I Mbrojtjes Kombëtare Kristo Themelko.
Në 11 mars 1948, nëpërmjet Aktit nr. 798, kryetari i Gjykatës Ushtarake Elbasan, Kapiten I Myftar Grabocka, i dërgoi njoftim Gjykatës së Lartë Ushtarake se: “Data e ekzekutimit të dënuarve me vdekje: 1) Fadil Gurmani, 2) Zija Luniku, 3) Xhaferr Miraku dhe 4) Mahmut Maçi asht 09.03.1948 ora 19 e mbramjes, të cilët para ekzekutimit u shprehën si vijon:
- Zija Luniku tha: Rroft Shqipërija;
- Xhaferr Miraku tha: Rroftë Pushteti! Shqipëninë le ta gëzojnë shokët e vendosun, kjo është e vërteta, amanet djalin ta edukoni dhe ta bani njeri të vlefshëm!
- Mahmut Maçi tha: Rroft Nacjonalizmi pa parti dhe
- Fadil Gurmani nuk foli asnjë fjale.
Vetëm një person i afërt i familjes e pa Zija Lunikun ditët e fundit përpara pushkatimit – atij i kishin shkulur të gjitha dhëmbët dhe thonjtë, dhe ishte krejtësisht i nxirë dhe i dërrmuar nga torturat cnjerëzore.
Zija Luniku dhe bashkëshortja e tij, Nashiferi, i dhanë jetë 4 fëmijëve, tre vajza dhe një djalë. Djali, Kamberi, lindi në vitin 1942 dhe vdiq në vitin 1944.
Zijai la pas:
- Bashkëshorten, Nashifer Luniku (Sejdini) (09.09.1915), e bija e heroit të Popullit Kamber Sejdini, dhe me lidhje të ngushta dhe shumë të afërta familjare me Qemal Stafes, e cila ndërroi jetë në vitin 1978, pas një kalvari shumë të gjatë vuajtjesh dhe persekutimi të paimagjinueshëm, dhe 3 vajzat:
- Fatmira Luniku (Lamçja) (15.08.1940), e cila ndërroi jetë në vitin 2008, duke lënë pas katër fëmijë – Merita Lamçja, Liljana Lamçja, Benon Lamçja, Ervin Lamçja;
- Lumnije Luniku (Muça) (02.03.1942), e cila ndërroi jetë në vitin 2022, duke lënë pas 3 femijë – Manuela Muça, Flora Muça, Sokol Muça;
- Vjollca Luniku (Dobi) (28.06.1946) e dënuar ne vitin 1978 me 5 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit se “ka patur dijeni për veprimtari armiqesore dhe nuk ka denoncuar në organet përkatëse”, e cila jeton në Itali me vajzën e saj, Genta Tirana (Dopi).
Pas vitit 1990, asgjë prej pasurive të tundshme apo të patundshme nuk iu rikthyen familjeve të dëmtuara nga ky proçes farsë, pavarësisht se në dosje gjendet një përmbledhje, në të cilën specifikohet se 18 faqe janë vetëm “inventari i pasunisë” (por, që janë zhdukur). (Lista e dosjes se akteve që i takon të pandehurit Zija Luniku, 2.12.1947).
Banesa, prona të tundshme dhe të patundshme iu dhanë në përdorim oficerëve të lartë të Sigurimit të Shtetit, gjykatës ushtarake, prokurorisë dhe drejtuesve partiakë në prefekturën e Elbasanit.
Eshtrat e të pushkatuarve nuk u gjetën asnjëhere, individët që ishin akoma gjallë, e që morën pjesë në dënimin e tyre, pas vitit 1990 nuk patën kurajo të tregonin vendin e pushkatimit të tyre në Kodër Krastë. Fshatarët e zonës, pas një sërë përpjekjesh për gjetjen e varreve, iu rrëfyen familjarëve se, me krijimin e varrezave të dëshmorëve të Elbasanit, një pjesë e eshtrave të të pushkatuarve në kodër Krastë ndër vite u lëvizën në atë varrezë për të plotësuar numrin, dhe ç’ka mund të ketë mbetur është hedhur në ujrat e lumit Shkumbin.
Kujtojmë me respekt dhe dashuri të gjithë ata që bisha komuniste i vuri poshtë, por nuk i mundi, që na frymëzuan të ecim përpara dhe të bëjmë pjesën tonë për përmbysjen e atij regjimi gjakatar.
Rrno për me tregue!
Emrat dhe ngjarjet në këtë publikim
RedaktoZija Luniku; Nashifer Luniku (Sejdini); Fatmira Luniku (Lamçja); Lumnije Luniku (Muça); Kamber Luniku; Vjollca Luniku (Dobi); Merita Lamçja; Benon Lamçja; Ervin Lamçja; Liljana Lamçja; Manuela Muça (Çami); Flora Muça (Gorica); Sokol Muça; Genta Dopi (Tirana).
Fadil Gurmani; Xhaferr Miraku; Mahmut Maçi; Sabri Baholli; Xhemal Llalla; Veniamin Dashi; Osman Duduci; Seit Kuqi; Qemal Hoxha; Qamil Bylykbashi; Mehmet Haxhihasani; Ibrahim Plaka; Virtyt Gjylbega; Refat Haka.
Avokat Minella K. Noçka, Avokat Fuat Asllani.
Edip Çuçi, Kleanthi Andoni; Toger Sulo Aliaj, Toger Nuci Tira; Mehmet Tepelena; Prokurori Josif Taja; Prokurori Publik Sybhi Dedei; Kapiten I Kristo Mushi; Kapiteni I Myftar Grabocka, Major Niko Çeta, Kapiten I Nexhat Hyseni, Kapiteni II Mustafa Iljazi, Aspirant Thoma Rino, Kapiten I Nevzat Haznedari; Nën Ministri I Mbrojtjes Kombëtare Kristo Themelko.
- Ngjarje
Kodra e Krastës, të pushkatuar politikë, Elbasan, varre të humbura; rroftë Shqipëria;
Publikime
RedaktoDosje gjyqësore Nr. 2011 dhe 1376 Zija Sulejman Luniku (AIDSSH)
Fotografi nga Fototeka Kombëtare Marubi (Luniku, Fatmira & Zia; Zia & grue)
https://www.radiandradi.com/tag/dr-zija-luniku/
http://www.iskk.gov.al/wp-content/uploads/2017/03/fjalori-enciklopedik-V-l-m.compressed.pdf
https://wiki.shqipopedia.org/luniku-zija
https://wiki.shqipopedia.org/dobi-vjollca
https://kujto.al/personat/abdurrahim-luniku/
https://www.myheritage.com/names/sulejman_luniku
https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=13667
https://wiki.shqipopedia.org/luniku-qamil-sulejman
https://kujto.al/bukepjekesi-qe-u-be-oficer-sigurimi-dhe-kerkonte-favore-seksuale/