Kamber Sejdini
Kamber Sejdini, i njohur edhe si Kamber Elbasani, i biri i Ibrahimit dhe Alemshah (vajza e dytë e Riza Çiftja), vëllai i Hysenit, Kasemit, Qazimit, Hedijes (Bejtja) dhe Hamides (nëna e Heroit të Popullit Qemal Stafa) u lind në Elbasan në vitin 1875 dhe nisi mësimet e tij në shkollat e Manastirit. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u dërgua në Akademinë Ushtarake të Stambollit ku u diplomua si oficer.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX në vilajetet e Perandorisë Osmane kishte 6 shkolla të mesme ushtarake (askeri idadiyesi), një prej të cilave ndodhej në qytetin e Manastirit. Në programet e saj mësimore përfshiheshin lëndë të tilla si: histori, gjeografi, matematikë, fizikë, algjebër, gjeometri, kozmografi, arabisht, frëngjisht, anglisht, vizatim, gjimnastikë, drejtshkrim, etj. Kamber Sejdini punoi si mësues në Shkollën e Mesme Ushtarake të Manastirit, pikërisht në ato vite kur në këtë shkollë u diplomua edhe Mustafa Kemal Ataturk.
Për shkak të luftës Greko-Turke e la mësuesinë për t'u bërë komandant kompanie në ushtri.
Me shpalljen e Pavarësisë, në 28 Nëntor 1912, la punën dhe gradat ushtarake në Stamboll dhe u kthye në shërbim të Kombit, duke u bërë pjesë e xhandarmërisë shqiptare të sapokrijuar, me gradën Kapiten, duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përpjekjet kombëtare për organizimin e Xhandarmërisë Shqiptare.
Siç shprehet Kolonel Sali Onuzi në një artikull të tij në Revistën Ushtria të vitit 2015: “që më 1913, Shtabi Madhor i pat hyrë një pune të veçantë për terminologjinë ushtarake. Për këtë çështje ai pat angazhuar një komision të posaçëm në të cilin bënin pjesë oficerë të kulturuar si Kamber Sejdini (Dëshmor i Atdheut) nga Elbasani, ish profesor në gjimnazin ushtarak të Manastirit. Veprimtarisë së këtij komisioni i takojnë shumë terma që përdorim sot në fushën ushtarake. Kjo veprimtari është një tregues tjetër i kulturës së Shtabit Madhor, që luftonte për ekzistencë me armë e diplomaci, dhe ditën të çmojnë vlerën e kulturës ushtarake si pjesë të luftës për liri dhe pavarësi".
Kryengritja e Shqipërisë së Mesme, një kryengritje antikombëtare, e drejtuar kundër të parit shtet të ri shqiptar, themelet e të cilit u hodhën më 28 Nëntor 1912, e gjeti Kapiten Kamber Sejdinin në frontin e parë të luftës kundër forcave ''rebele'' ose ''esadiste'', shkaktari kryesor i të cilës ishte Esad Pashë Toptani. Esadistët ndihmuan politikën e serbëve shovinistë, e grekëve megalloideistë, dhe italianëve imperialistë, duke i nxjerrë pengesa të pakapërcyeshme qeverisë provizore të Vlorës dhe zëvendësuan flamurin e Skënderbeut me bajrakun osmanlli, duke bashkëpunuar me forcat kriminale dhe duke vrare qindra patriotë.
Mëngjesin e datës 15 qershor 1914, forcat rebele sulmuan Durrësin nga drejtime të ndryshme. Në këtë betejë, tek Ura e Dajlanit, në krah të Kolonelit Lodewijk Thomson, Kapiten Kamber Sejdini u vra heroikisht, në moshën 39 vjeç.
Kapiten Kamber Sejdini është i pari oficer i lartë Shqiptar që vdes, në shesh të luftës, për atdheun, duke marrë titullin "Dëshmor i Atdheut".
Kapiten Kamber Sejdini ishte përfaqësuesi lartë ushtarak i qeverisë shqiptare pranë oficerëve hollandezë, të cilët e nderonin si oficer dhe individ me shumë kulturë.
Në lidhje me humbjen e tij, në shkrimet e Sabri Qytezës, citohet një bashkë-luftëtar i Kapitenit Kamber Sejdini: “Atë ditë që vdiq Thompsoni, na u-vra një oficer i vlefshëm shqiptar; Kamber Sejdini nga Elbasani, kapiten në xhandarmëri. Kamberi ishte i njohur prej shokëvet dhe miqvet të tij si një njeri me zemër dhe me virtute. Unë që shkruaj këto radhë e kam njohur që kur ishim shokë të ushtrisë në Stamboll, dhe q’ahere e di qysh punonte për idenë kombiare, për të përhapurë ndjenjat dhe mësimin e shqipes dhe të Shqipërisë”.
Monumenti i parë në Shqipërinë e pavarur të asaj kohe është ngritur në skelën e Durrësit për të kujtuar dëshmorët e 15 qershorit 1914 që ranë në luftë kundër "esadistëve", dhe shërbëtorëve të tyre: Kamber Sejdini, Haki Glina, Agustin Prizreni, Syrja Tetova, Ismail Haki Peqini, Ceno Sharra, Durmish Presheva dhe kolonel Thomson, që, tok me dhjetra e dhjetra dëshmorë luftuan atë ditë krah për krah Bajram Currit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit.
Historiani i njohur durrsak Sali Hidri në dokumentat që përmbajnë rrëfimet e dëshmitarëve okularë të asaj dite në qershorin e vitit 1914 jep edhe një shkrim të lënë nga Shemsi Hajro, në të cilin thuhet: “Duke vajtur pas planeve të hartuara nga vetë dora e Esadit, rebelët rrethuan Durrësin. Përpjekja më e ashpër u bë te Ura e Dajlanit ku mbetën të vrarë Kamber Sejdini dhe trima të tjerë. U vra edhe vetë koloneli Lodewijk Thomson. Forcat e shumta rebele u futën gjer në lagjet nga ana e Porto Romanos. Duke qënë puna kështu, Widi e Thomson ndërmjetësuan pranë austriakëve, të cilët dërguan dhe sollën nga Vlora me një vapor rreth 500 vullnetarë. Para se të arrinin ata, rezistenca ndaj rebelëve u bë nga trimat kosovarë të Isa Boletinit dhe Bajram Currit. Esadi la 300 të vrarë, panë ç’panë dhe u tërhoqën”.
Kapiten Kamber Sejdini la pas bashkëshorten, Alemshah dhe dy vajzat, Meleq Sejdini (Stringa) e cila u martua në Elbasan me mësuesin Azmi Stringa, dhe Nashifer Sejdini (Luniku), e cila u martua me avokatin Zija Luniku.
Në vitet’20 - ‘40, një nga dy rrugët kryesore të qytetit te Elbasanit mbante emrin e tij “Kamo Sejdini”, për t’u zëvendësuar pas muajit janar 1945. Pas viteve ’90 një rrugice në Elbasan iu vu emri i tij.
Deri në vitin 1944 Kapiten Kamber Sejdini njihej si "Dëshmor i Atdheut". Por, gjatë periudhës së sundimit komunist, për shkak të keqinterpretimit nga regjimi komunist dhe historianët e regjimit, të historisë shqiptare, titulli nuk iu njoh më, dhe varrin ia zhdukën. Në 97 vjetorin e krijimit të forcave të armatosura (Urdhër 1749, 03.12.2009), Ministra e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, dekoroi, pas vdekjes, Kapitenin Kamber Sejdini me medaljen “Për Shërbime të Shquara” me motivacion “Për kontribut të shquar në ngritjen e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, për vetëmohim në mbrojtje të idealeve demokratike dhe për kontribut të veçantë në fushën e terminologjisë ushtarake shqiptare”.
Asnjë institucion pas vitit 1992 nuk u kujtua t'ia kthente titullin: "Dëshmor i Atdheut".
Muzeu Etnografik i Elbasanit, në hipotekë, vazhdon të jetë pronë në emër të Kamber Sejdinit, vëllezerve dhe motrave të tij.
Emra dhe ngjarje
RedaktoKamber Sejdini; Kamber Elbasani; Ibrahim Sejdini; Alemshah Sejdini (Çiftja); Hysen Sejdini; Kasem Sejdini; Qazimi Sejdini; Hedije Sejdini (Bejtja); dhe Hamide Sejdini (Stafa); Meleq Sejdini (Stringa); Nashifer Sejdini (Luniku); Haxhi Qamili; Kolonel Lodewijk Thomson; Sabri Qyteza; Azmi Stringa; Zija Luniku; Haki Glina, Agustin Prizreni, Syrja Tetova, Ismail Haki Peqini, Ceno Sharra, Durmish Presheva; Bajram Curri, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi; Sali Hidri; Sejfi Vllamasi; Mustafa Kemal Ataturk; Mustafa Maksuti;
Lufta Greko Turke; Lufta e Parë Botërore; Elbasan, Durrës; Porto Romano; Xhandarmeria Shqiptare; Ura Dajlanit; Revista Ushtria; Shtabi Madhor; Dëshmor i Atdheut; Esadiste; Muzeu Etnografik i Elbasanit, Medalja "Për shërbime të Shquara"; Dëshmor i Atdheut.
Referenca
RedaktoSejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Tiranë, 2012.
https://adsh.al/s/elbasani/item/21597
https://www.radiandradi.com/kongresi-i-manastirit-14-22-nentor-1908-nga-engjell-sh-zerdelia/
https://www.arkivalajmeve.com/kerko/Kapiten+Kamber+Sejdini/
https://pashtriku.org/si-u-vra-koloneli-holandez-thomson-ne-mbrojtje-te-durresit-ne-qershor-1914/
https://egnatianews.com/kamber-sejdini-oficeri-i-pare-shqiptar-i-vrare-histori-elbasani/
https://agim.albanianforum.net/t828-deshmia-e-skender-luarasit-enver-hoxha-haxhi-qamili-dhe-dumbabet
https://www.arkivalajmeve.com/Familja-iftja--shkelqimi-dhe-renia-e-nje-familjeje-patriote.417450/
http://www.albanianhistory.net/1920_Vllamasi/index.html
https://adsh.al/s/adsh/item/21599
https://www.forum-al.com/threads/princ-vidi-dhe-shqiptar%C3%ABt.25876/
https://telegraf.al/dosier/engjell-zerdelia112-vjet-nga-kongresi-i-manastirit/
https://www.zaninalte.al/2014/10/sanxhaku-i-manastirit-ne-fund-te-shek-xix-dhe-ne-fillim-te-shek-xx/
https://www.mod.gov.al/images/gazetaushtria/pdf/2015/ushtria_060215.pdf