Qamil Xhameta i njohur si Haxhi Qamili (Sharrë, 1876 - Durrës, 16 gusht 1915) mendohet se ka qenë sheh i tarikatit Melami dhe njëri nga prijësit e kryengritjes së viteve 1914-1915 e Shqipërisë së Mesme.[1]

Haxhi Qamili para ekzekutimit, Durrës 1916.

Biografia

Redakto

U lind në Sharrë, i biri i Zyber Xhametës,[2] ishte shehu i një teqeje të tarikatit Melami.[3][4][5] Pasuesit e këtij tarikat kishin ndjekur kryengritjen e madhe në Rumeli në shekullin e 15 të drejtuar nga shejh Bedredini, nxitur për barazinë shoqërore dhe braktisjen e luksit të shfrenuar.[6] Sipas Thanas Floqit, në rininë e tij kishte punuar për Toptanasit.[7] Sipas Mid'hat Frashërit, pasi nuk e pranoi rekrutimi i redifëve, shkoi vullnetar në mbrojtje të Shkodrës vjeshtën e 1912, i dekoruar për trimërinë e tij nga Hasan Riza Pasha.[8]

Kryengritja

Redakto

Kryengritja nisi në mesin e majit të 1914, por zanafillën e kishte që më 1913 nga Banka Kombëtare që themeloi Qeveria e Vlorës. Fryma e kryengritjes gjeti mbështetje në ish-zyrtarët osmanë, hoxhallarët dhe nga fshatarët të cilët kishin frikë nga humbja e tokave nga spekullimi financiar. Më 17 maj 1914 kryengritja shpërtheu rreth Shijakut dhe Kavajës. Më 18 maj kryengritësit morën Tiranën, dhe pak më vonë u drejtuan nga Durrësi ku të paraqitnin kërkesat e tyre, por u zmbrapsën me forcën e armëve.[6] Më 3 qershor 1914 kryengritësit në Shijak, bënë të ditur kërkesat e tyre në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellur nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një princ osman nën sovranitetin e sulltanit dhe në përputhje me Sherijen. Flamuri që mbanin kryengritësit ishte me yll e hënë në fushë jeshile. Në Shijak u formua "kryeqendra", ku Mustafa Ndroqi qe kryetari, Xhenabi Adil zëvendësi dhe oficeri xhonturk Qamil Haxhi Fejza kryekomandanti i trupave, ndërsa Musa Qazimi, myftiu i Tiranës,[6] dhe Haxhi Qamili qenë anëtarë.[1][6] Porse Haxhi Qamili qe prijësi i njëmendtë shpirtëror i fshatarësisë, i cili e ndjente veten që kishte caktim hyjnor për të zhbërë padrejtësitë.[6]

Së pari shpërndau pasurinë e tij tek të varfërit dhe jetimët, më pas u zhvendos nga një vend në tjetrin duke konfiskuar mallrat dhe shtëpitë e të pasurve e duke ua dhënë të varfërve. E tillë shkoi kryengritja saqë korrikun e 1914 e gjithë Shqipëria përveç Durrësit, Vlorës dhe Korçës, qe ndër duart e kryengritësve. Durrësi dhe Vlora ende mbaheshin nga administrata e Vidit, ndërsa Shkodra qe nën administrimin ndërkombëtar.[6]

Gushtin e 1914, kryengritësit e Haxhi Qamilit përparuan drejt Vlorës ku mposhtën trupat e dobëta qeveritare që duhet ta kishin mbrojtur qytetin kund pranë Lushnjes. Pas mosmarrëveshjeve të "kryeqendrës" me Esad pashë Toptanin, dhe kur Perandoria Osmane u shpalli luftë fuqive të Antantës, më 14 nëntor 1914 - shpërtheu edhe konflikti i armatosur mes kryengritësve dhe njësive të pashait. Më 23 nëntor, kryengritësit me prijën e Haxhiut, sulmuan Tiranën dhe dogjën sarajet e pashait Toptanas[6]Derven.[9] Esadi u rrethua në Durrës, i ndihmuar nga italianët.[9]

Janarin e 1915 kryengritësit me Qamilin në krye bënë një mbledhje në Tiranë, ku vendosën se qeveria e Esad Pashës ishte jolegjitime dhe duke pohuar neutralitetin e shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore.[10] Më 9 maj 1915 në Tiranë, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, u zgjodh komandant i përgjithshëm.[11] Duke shikuar pushtimin e jugut nga andartet greke, zbarkimin e italianëve në Vlorë dhe rrezikun edhe më të madh serb që bëhej gati të ripushtonte Shqipërinë, pleqësia e kryengritësve u dërguan letra Serbisë dhe fuqive të mëdha. Për të mos u dhënë shkas që të pushtoheshin, u propozonin paqen dhe iu zotuan që të mos shërbenin si mercenarë me asnjërën palë ndërluftuese të luftës botërore.[6]

Megjithatë, ushtria serbe mësyu Shqipërinë nga Dibra më 2 qershor 1915. Trupat e Haxhi Qamilit i bënë një pritë të fortë në Qukës dhe Qafë Krrabë, por u thyen. Myftiu Musa Qazimi dhe Haxhi Qamili u zunë rob nga serbët, të cilët më 11 qershor mbërritën në Tiranë dhe pas dy ditëve në Durrës ku liruan Esad Pashën nga rrethimi që i kishin bërë kryengritësit. I dorëzuan atij dy krerët e kryengritjes; Musa Qazimi, Haxhi Qamili, Qamil Haxhi Fejza u dënuan me varje nga një gjykatë ushtarake e drejtuar nga Xhelal bej Zogu.[12] Haxhi Qamili u var më 16 gusht;[13] krerë të tjerë u dënuan me pushkatim.[6]

Trashëgimia

Redakto

Ndër bashkëkohësit, Sali Nivica nuk e përkrahte kërkesën e tij për princin musliman për shtetin shqiptar, por mbështet karakterin klasor të lëvizjes së masave. Sejfi Vllamasi e sheh si kundërkombëtar, Avni Rustemi më 1921 në mbledhjen themeluese të federatës Atdheu deklaroi se "shkaku i prishjes së Shqipërisë nuk duhet kërkuar te rebelët, por te bejlerët"; duke u vendosur kështu në të njëjtën linjë me veprimtarinë e Haxhi Qamilit. Halim Xhelo te Liria Kombëtare më 1928 e portretizon si "njeri të pagdhendur dhe fanatik", por gjithashtu synon ta arsyetojë lëvizjen si të bazuar mbi interesa klasore.[14] Thanas Floqi e përshkruan "Me anë të ca veprimeve energjike, në dukje të drejta u ngjit shpejtë dhe u bë terrori i njerëzve të shkolluar dhe patriotë. Për thuajse një vit ishte njeriu që kontrollonte Shqipërinë e Mesme."[7] Sejfulla Malëshova më 1928 e krahasonte me Pugaçovin, një kozak që i priu një kryengritjeje të fshatarësisë ruse. Kurse Mid'hat Frashëri e krahason kryengritjen me bolshevizmin.[15]

Analiza historike

Redakto

Enver Hoxha besonte se kryengritja fshatare nën drejtimin e Qamilit ishte kryesisht e fshatarëve të varfër, të cilët mbështeteshin tek forma tradicional qeverisëse si kuvendet e fshatit për të organizuar dhe drejtuar një përpjekje kundër interesave feudale.[16] Kësodore Hoxha u angazhua që Haxhi Qamili të interpretohej si një simbol i luftës popullore kundër imperialistëve të jashtëm dhe armiqve klasorë të brendshëm.[14] Kështu, në historiografinë e kohës së komunizmit për Qamilin thuhet se ai predikonte se çdo pronë që tejkalonte nevojat personale t'u kalonte skamnorëve, duke cituar Kuranin dhe duke përcjellur mësimin e tarikatit Melami, i cili mëson kundër pronës private.[17] Gjithashtu thuhet se kryengritësit nën komandën e Qamilit konfiskuan çifligjet e feudalëve, dogjën sarajet e bejlerëve dhe ndihmuan të varfërit, të pamundurit dhe jetimët.[1] Sipas Enver Hoxhës, lëvizja e Qamilit ishte "kundër feudalëve, pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, pronarëve të tokave dhe privilegjeve në tërësi".[18] Në debatin intelektual të kohës së regjimit, ndër kundërshtuesit e këtij interpretimi ka qenë Skënder Luarasi,[19] Osman Myderizi dhe të tjerë, të cilët goditën për këtë kundërshtim kundër karakterit "kombëtar" të kryengritjes.[20]

Në këtë vazhdën e interpretimit zyrtar, në fshatin e prejardhjes iu kushtua muzeu figurës së tij, në mjediset e të cilit u xhiruan edhe skena të filmit "Nëntori i dytë". Më 1993 muzeu u plaçkit dhe vitin pasardhës u dogj. Në dhjetor të 2012 së bashku me shumë banesa tjera që u qe dhënë statusi monumente në kohën e diktaturës, iu hoq statusi "Monument i Kulturës" nga ministria e Kulturës.[21]

Historiografia moderne ka kritikuar ashpër portretizimin e Haxhi Qamilit në veprat e kohës së komunizmit pasi ato vepra "rrekeshin të provonin të vërtetat e [Enver] Hoxhës në vend që të kërkonin të vërtetën".[22] Duke hedhur poshtë linjën komuniste sipas së cilës lëvizja ishte përparimtare, anti-feudale dhe për barazi, Kolasi and Rrapaj këmbëngulin që rebilimi ishte "kryengritje reaksionare myslimane" e motivuar nga "frika e fshatarëve se tokat e tyre mund t'ua merrte qeveria."[22] Teksti i historisë i Akademisë e përshkruan "një fshatar analfabet me çrregullime mendore por shumë patriot dhe besimtar," si dhe që njihej si "Haxhi Zjarri".[2]

Shkolla e Sharrës

Redakto

Në gusht të 2006 një e përditshme e Tiranës shkruajti për shkollën e ciklit të ulët në Sharrë që mbante emrin e Haxhi Qamilit. Nga opinionistët dhe intelektualët u trajtua si skandal dhe pati prononcim nga ministri i Arsimit i kohës. Në të njëjtin muaj me datë 18 u botua tek "Tirana observer" opinioni i banorëve të Sharrës, mes tyre edhe familjarë të Haxhi Qamilit, shprehën tjera qëndrime nga "elitarët" e Tiranës: "Ai mendonte vetëm për të varfërit"; "Ka dhënë ndihmesën e vet në mbrojtjen e Shqipërisë së Mesme. Ai ka qenë gjithmonë gati t'i ndihmojë fshatarët e varfër dhe i përbuzte agallarët dhe bejlerët"; "Ka qenë atdhetar... për mua është hero"; "Figura më e ndritur në atë kohë në Shqipërinë e Mesme". Përveç shkollës, kujtesa popullore ka emërtuar edhe vende të tjera në atë zonë me emrin e tij: një urë dhe një burim. Kështu, - shkruan Enis Sulstarova - një hendek ekziston mes historisë zyrtare bashkëkohore që e sheh këtë figurë si simbol të injorancës dhe anarkisë me kujtesën popullore vendore, që e sheh si hero popullor të krahinës e madje hero.[14]

Ligjërimi publik

Redakto

Në ligjërimin publik shqiptar të pas-regjimit komunist si në rrafshin politik nga krerë si Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama, ashtu edhe nga Ismail Kadare, emri i tij përdoret për të shënjuar kundërheroin si dhe qëndrimet penguese që shqiptarët të "arratisen nga Lindja" në mënyrë që "t'i kthehen Evropës". Por ka po ashtu qasje nga Olsi Jazexhi për ta parë si hero qëndrestar, përvijues të një botëkuptimi që u margjinalizua dhe ndjehej i rrezikuar, dhe që po i jepte përgjigje ndryshimeve globale.[14]

Vepër që e trajton

Redakto
  • Floqi, Thanas (2008). Fytyra e vërtetë e Haxhi Qamilit: kujtime për vitet e mbrapshta 1914-1915. Tiranë: 55.

Referime

Redakto

Literatura

Redakto
  • Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Londër: I.B. Taurus & Co Ltd.
  • Frashëri, Kristo (1964). The History of Albania: A Brief Survey (në anglisht). Tiranë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Hoxha, Enver (1977). Vepra. Vëll. 23. Tiranë: Shtëpia Botuese "8 Nëntori".
  • Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: UET press. fq. 574. ISBN 978-9928-190-91-8.
  • Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: Independence, Republic And Monarchy 1908–1939 (në anglisht). New York: New York University Press.
  • Pollo, Stefanaq; Puto, Arben (1981). The History of Albania: From its Origins to the Present Day (në anglisht). Londër: Routledge & Kegan Paul Ltd.

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Frashëri 1964, p. 196.
  2. ^ a b Akademia e Shkencave e Shqipërsië (2007). Historia e popullit shqiptar. Vëll. 3. Tiranë: Toena. fq. 68–71.
  3. ^ Schmitt, Oliver Jens; Rathberger, Andreas (2010). Religion und Kultur im albanischsprachigen Südosteuropa (në gjermanisht). Peter Lang. fq. 154. ISBN 9783631602959.
  4. ^ Elsie 2012, p. 376.
  5. ^ Pearson 2004, p. 84.
  6. ^ a b c d e f g h i Kaleshi, Hasan (1976). "Haxhi Qamili". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). Vëll. 2. München. fq. 131–133.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  7. ^ a b Flloqi, Thanas. "Si u var Haxhi Qamili?". opinion.al. Marrë më 2 janar 2019.
  8. ^ Shpuza, Gazmend (13 korrik 2014). "Haxhi Qamili, pararendës i bolshevizmit?!". Gazeta shqiptare (6114): 14–15.
  9. ^ a b Ikonomi 2016, pp. 366–371.
  10. ^ Pearson 2004, p. 87.
  11. ^ Ikonomi 2016, p. 403.
  12. ^ Pearson 2004, p. 90.
  13. ^ Ikonomi 2016, p. 406.
  14. ^ a b c d Sulstarova, Enis (2007). Haxhi Qamili: Rebel, Hero dhe Kundërhero. Tiranë: UET. fq. 53–67. {{cite book}}: Parametri |journal= është injoruar (Ndihmë!)
  15. ^ Hoxha, Çelo (13 prill 2013). "Haxhi Qamili, lavdërimi i kriminelit". Standard (2585): 14-15.
  16. ^ Hoxha 1977, p. 142.
  17. ^ Pollo, Puto 1981, pp. 164-165.
  18. ^ Hoxha 1977, f. 171.
  19. ^ Luarasi, Petro (29 janar 2009) [14 shtator 2006]. "Dëshmia e Skënder Luarasit: Enver Hoxha, Haxhi Qamili dhe "dumbabët"". Ndryshe (106): 6–7.
  20. ^ Meksi, Aleksandër (16 janar 2000). "Shënime për Haxhi Qamilin: [Lidhur me një shkrim të Qamil Çeliramës për karakterin e lëvizjes së Haxhi Qamilit]". Gazeta shqiptare (1793): 6. Arkivuar nga origjinali më 13 shkurt 2021. Marrë më 20 janar 2021.
  21. ^ Peti, Enkeleda (18 mars 2013). "Flet nipi i Haxhi Qamilit: pse u përplasëm me Topallin: [në fshatin Sharrë të Tiranës, aty ku ngrihej muzeu dhe shtëpia e heroit, si u shkatërrua shtëpia pas vlerësimit të historianëve]". Shekulli (3903): 14. Arkivuar nga origjinali më 13 shkurt 2021. Marrë më 20 janar 2021.
  22. ^ a b Rrapaj, Jonilda; Kolasi, Klevis (2013). "The Curious Case of Albanian Nationalism: the Crooked Line from a Scattered Array of Clans to a Nation-State" (PDF). The Turkish Yearbook of International Relations (në anglisht). Ankara University, Faculty of Political Science. 43: 185–228. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 27 qershor 2018. Marrë më 3 janar 2019.