Osman Myderizi (Tiranë, 14 mars 1891 - 20 dhjetor 1973) ka qenë arsimtar, gjuhëtar dhe orientalist shqiptar. Ka kontribuar në fushën e studimeve të gjuhës shqipe, bashkëhartues i Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), si dhe hulumtues i letërsisë së bejtexhinjve.[1] Është hartuesi i pjesës historike të monografisë Tirana 1604-1937 botuar më 1937 nga bashkia e kryeqytetit, e para monografi për temën në fjalë.[2]

Biografia

Redakto

U lind në Tiranë, i biri i Sali Myderizit, në një familje hoxhallarësh. Pas shkollimit në vendlindje dhe ryzhdijen në Shkodër, shkollimin e lartë e ndoqi në Stamboll. Pasi u kthye në Shqipëri më 1913, çeli një shkollë shqipe në Ndroq. Më 1917 bashkëthemeloi shoqërinë Dituria që ishte aktive në jetën politike të kohës. Gushtin e 1920 nisi botimin e të përdyjavshmes jetëshkurtër "Zani i ri".

Më 21 prill 1921 Myderizi u bë pjesë e të parit parlament shqiptar dhe përfaqësoi Tiranën në Asamblenë Kushtetuese më 1924. Me Triumfin e Legalitetit dhjetorin e 1924, shkoi në mërgim, si shumë mbështetës të tjerë të Lëvizjes së Nolit.[3] Me dekretin e 1925 për çeljen e liceut të Tiranës, shkolla u vendos në shtëpinë Myderizëve.[4]

Përfitoi nga amnistitë e mëpasme për t'u kthyer, dhe u punësua mësues në Berat (1929-1934). Më 1940, gjatë pushtimit italian, u internua në Arezzo të Toskanës, dhe u kthye në Shqipëri vetëm pas kapitullimit italian më 1943.

Prej 1947 e deri kur doli në pension më 1966, ka qenë studjues aktiv në Institutin e Shkencave dhe më pas në Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë në Tiranë.[3]

Myderizi është autor i një gramatike shkollore në standardin e para 1972, Gramatika e ré e shqipes (Tiranë, 1944), bashkëpunoi në hartimin e Fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 1954).

Emri i tij ama lidhet në mënyrë parësore me punimet e tij mbi letërsinë e hershme shqipe me alfabet arab. Në këtë lëmi, ai zbuloi dhe shpëtoi dorëshkrimet e shumë poetëve të hershëm myslymanë, dorëshkrime të cilët i tejshkroi, studjoi dhe i bëri të njohur. Puna e tij ka qenë veçanërisht delikate duke qenë se u zhvillua në gjatë fushatës së hovshme të regjimit komunist për shtypjen dhe zhdukjen e fesë, kur shumë libra dhe dorëshkrime të vjetër u lanë të kalbeshin kishave dhe xhamive para se këto të shembeshin. Po të mos ishte për kontributin e Myderizit, e gjithë tradita e letërsisë shqipe me alfabet arab do të ishte humbur.

Studimet e tij u botuan në një gjerdan artikujsh në vitet 1950' dhe 1960' që i çelën rrugën studimeve orientalistike në Shqipëri.[3]

Referime

Redakto
  1. ^ Balcı, Mustafa; Dibra, Fatos (2020). "Arnavutluk'ta Türkoloji". academia.edu (në turqisht). fq. 81.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 64. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 8 nëntor 2021.
  3. ^ a b c Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B. Tauris në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptare. fq. 323–324. ISBN 9781780764313.
  4. ^ Abazi, Enika (10 maj 2021). "Osman Myderrizi, një jetë mes njerëzve të mençëm". liberale.al.