Zija Shkodra
Zija Shkodra (Shkodër, 14 gusht 1925 - 29 gusht 2002) ka qenë veprimtar antifashist i LANÇ-it, arsimtar, studjues i lëmijve të ndryshme të historisë, veçanërisht i ekonomisë urbane,[1] si dhe autor i dy monografive të rëndësishme Esnafet shqiptare (1973) dhe Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare (1984) me shumë vlerë për shkencat ballkanologjike.[2]
Biografia
RedaktoU lind në Shkodër më 14 gusht të 1925, i biri i Sulejmanit dhe Lytfijes, dy vite pas së motrës Shadijes. I ati ishte ushtarak akademist, i shkolluar në kryeqytetin osman që para pavarësisë ku dhe ishte njohur me të shoqen, e lindur në Stamboll në një familje shqiptare nga Bënja e Përmetit.[3] Sylejmani shërbeu në ushtrinë osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, ku u zu rob nga ushtria ruse në frontin e Kaukazit.[4] Pas luftërave turke për pavarësi, Sylejmani me të shoqen vendosën të ktheheshin në Shqipëri.[3] Shërbeu në luftën e Koplikut si kapiten i njësive vullnetare në pozicione të ndryshme.[4]
I ati u angazhua me lëvizjen kundërqeveritare që nisi opozita qershorin e 1924, kus pas dështimit të saj doli mërgim. Me amnistitë e njëmbasnjëshme që u bënë u kthye në vendlindje më 1928, ku dhe ndërroi jetë dhe u varros në varrezat Komane. Për fëmijët u përkujdes xhaxhai i tyre, Myrto Shkodra. Arsimin fillor dhe atë të mesëm e ndoqi dhe e përfundoi në Shkodër. Në moshën 17 vjeçare (viti 1942) i bashkohet familjarisht lëvizjes Nacional–Çlirimtare. Shtëpia e tij u kthye në një nga bazat më të rëndësishme të rezistencës, dhe për këtë kontribut, po kjo shtëpi do të nderohet mbas luftës me një pllakë përkujtimore, e cila ruhet ende sot.[3]
Pas Çlirimit u zgjodh në kryesinë e rinisë antifashiste të lagjeve "Rus i vogël", "Rus Maxharr" dhe "Has Hot".[5] Më tej nisi studimet universitare në Zagreb (1945), duke i ndërperë për shkak të prishjës së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e Titos (1948), për t'i vazhduar në Bukuresht (1948–1951), ku diplomohet me rezulate të shkëlqyera në dy degë, në Ekonomi Tregtare dhe në Ekonomi Politike.
Në vitin 1951 fillon punë si kryetar dege në Komisionin e Planit të Shtetit, por martesa me Nahide Frashërin, familja e të cilës pësoi luftën e klasave u bë shkak për transferimin e tij nga puna si mësues i ekonomisë në një shkollë profesionale në Tiranë. Duke vazhduar punën hulumtuese në fushën e historisë, publikimi i disa artikujve tepër të rëndësishëm për periudhën e mesjetës, ngjalli interes, dhe për rrjedhojë pranohet si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historisë më 1952, dhe më 1954 u përfshi si punonjës shkencor pranë Akademisë së Shkencave. Guximi për të debatuar me autoritetet e Institutit dhe Akademisë së Shkencave, për pengesat që haste në botimin e monografisë Esnafet Shqiptare, i kushtoi largimin nga puna. Kryesia vendosi ta dërgojë për “qarkullim në bazë” në rrethin e Lezhës, si mesues vizatimi në shkollën 8 vjeçare të Shëngjinit (1967-1971).[6] U rikthye sërisht në Institutin e Historisë më 1972, dhe vazhdoi punën kërkimore e shkencore në këtë institucion deri kur doli në pension, në vitin 1988.
Referime
Redakto- ^ Misja, Vladimir (20 shkurt 2008). "Zija Shkodra, studjuesi i qyteteve". monitor.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Gjika, Thanas (6 prill 2018). "Elita shkodrane në institutet e albanologjisë". Illyria Press. Arkivuar nga origjinali më 8 nëntor 2019. Marrë më 22 shkurt 2021.
- ^ a b c Shkodra (Mardodaj), Valbona; Shkodra (Çabej), Rozafa; Mardodaj, Dritan (18 mars 2022). "Biografia e Prof. Dr. Zija Shkodrës, historianit shqiptar". tr.ocnal.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 444. OCLC 645720493.
- ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 198. ISBN 9789928440358.
- ^ Biçoku, Kasem (2022). Terrorizmi në albanologji. Shkup. fq. 89. ISBN 9786084634560.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)