Aljeksandr Llukashenka lindi më 30 gusht 1954rajonin Vitebsk, Bjellorusi. Është një politikan bjellorus dhe presidenti i Bjellorusisë. Ai u rrit pa baba dhe mori shumë shpejt mbi shpatulla përgjegjësinë e familjes. Është kjo anë shumë njerëzore e tij që do të bënte më pas për vete zgjedhësit në kohën kur ai u prezantua si lider në zgjedhjet e vitit 1990.

Aljeksandr Llukashenka

Ai përfundoi studimet e larta për ekonomi në “Mogilev Teaching Institute” në vitin 1974, më pas shërbeu në ushtrinë sovjetike në trupat e kufirit në vitet 1975-77 dhe 1980-82. Pasi përfundoi ushtrinë ai u zgjodh në vitin 1985 drejtor i "sovkhoz" (“ferma” e madhe e shtetit). Pra punoi si ekonomist për Partinë Komuniste të Bjellorusisë. Po në këtë vit ai u diplomua në Akademinë Bjelloruse të Bujqësisë.

Karriera politike

Redakto

Në vitin 1990 ai bën hapin e parë në politikë, kur u zgjodh deputet më Këshillin e Lartë të Parlamentit të Republikës. Ai themeloi "Komunistët për demokracinë", që duhet të udhëhiqte Bashkimin Sovjetik të bëhej një vend demokratik duke ndjekur parimet komuniste. Ai denoncoi pikat e dobëta të politikanëve, problemet e jetuara në brendësi të vendit. Ai njihej për aftësitë e shprehjes së pikëpamjes së tij dhe shitjes së ideve. Kur hyri në Komitetin e Këshillit të Lartë për të mposhtur korrupsionin, Llukashenka konfirmoi reputacionin e tij si mbrojtës i mirëqenies së shoqërisë. Pjesëmarrja e tij pranë kabinetit qeveritar, e konsideruar pozitive nga qytetarët, i dha atij mundësinë të fitojë shumë popullaritet dhe vlerësim.

Në vitin 1994, gjatë zgjedhjeve të para demokratike të republikës bjelloruse (6 ishin kandidatët për postin e presidentit) ai arriti të dalë i pari duke fituar 45 për qind të votave kundrejt 15 për qind të Vyacheslav Kebich dhe 10 për qind të Stanislav Shushkevich. Më pas në turin e dytë elektoral më 10 korrik 1994 Llukashenka fitoi më shumë se 80 për qind të votave dhe kështu arriti të shpallet president i vendit. Ai e përdori të gjithë popullaritetin dhe mirënjohjen e vendit duke treguar se ishte një njeri që i gatshëm të luftonte për drejtësinë e popullit të tij me qëllim ai të jetonte në kushte sa më të mira. Për një popullsi, që pjesa më e madhe është rurale, frika e një pasiviteti politik që mbretëronte që prej disa shekujsh dhe për një të ardhme të paparashikuar, bëri që të kishte shumë besim në fjalët dhe premtimet e Llukashenkas. Ky i fundit, me një nuhatje të jashtëzakonshme politike, kuptoi shumë shpejt atë që kërkonte populli dhe filloi të tregohet i kuptueshëm me të duke ndarë të njëjtat pikëpamje. Duke poseduar tashmë theksin dhe zakonet e tyre, Llukashenka dukej realisht shumë pranë popullit të tij. Atij ata i vunë pseudonimin “Batka”, që do të thotë baba.

Që kur u emërua në detyrë sjelljet dhe veprimet e tij u përshkruan si diktatoriale dhe autoritare nga ana kundërshtarëve, ndërsa përkrahësit e tij pohojnë se politika që bënte ai ka shpëtuar Bjellorusinë nga efektet e këqija të reformave ekonomike post-BS. Një raport i Bankës Botërore tregoi se rritja ekonomike në Bjellorusi ishte e madhe dhe që përfitimet janë ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë popullatës. Nën drejtimin e Llukashenkas papunësia në Bjellorusi ishte nën 2 për qind, varfëria ra dhe paga mesatare ishte me e madhe se në republikat e tjera ish-sovjetike, përfshi këtu edhe Ukrainën. Marrëdhëniet e saj me vendet e Evropës Perëndimore, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, ishin shumë të ndera. Në fakt,

Lukanshenko u përkufizua nga qeveria amerikane si diktatori dhe tirani i fundit në Evropë pasi, sipas tyre, ai kufizon lirinë e fjalës dhe të shtypit të vendit të tij. Në Bjellorusi ishte e ndaluar të merrje pjesë në Këshillin e Evropës. Dhe ndërsa disa sondazhe që vinin nga agjenci të pavarura të vendeve perëndimore pohojnë që politika e Llukashenkas është shumë e vlerësuar në Bjellorusi, OSBE-ja theksoi që zgjedhjet, në të cilat ai u zgjodh president, nuk ishin të lira dhe të ndershme.

Mandati i parë presidencial 1994-2001

Redakto

Fitorja e Llukashenkas erdhi pak a shumë si surprizë në Bjellorusi dhe në vendet e huaja duke qenë se ai ishte në një moshë të re për një post të tillë dhe duke pasur parasysh faktin se kishte një eksperiencë të shkurtër në politikë. Qëllimet e tij kryesore ishin para së gjithash të stabilizonte një qeveri të pastër, duke larguar nga puna zyrtarët e korruptuar; të rriste sa më shumë pagat dhe kushtet ekonomike dhe të çonte Bjellorusinë dhe Rusinë drejt një integrimi më të madh. Edhe pse ai fitoi falë kundërshtimit të tij të hapur kundër reformave të tregtisë dhe privatizimit, gjatë një pjese të madhe të mandatit të tij ai u përqendrua në largimin e zyrtarëve të korruptuar në radhët e qeverisë bjelloruse.

Gjatë fushatës së tij elektorale ai sulmoi me fjalë të forta këta oponentë, duke iu premtuar se do t’i largonte pa asnjë mëshirë. Gjatë kohës së fushatës së tij elektorale për postin e presidentit, Bjellorusia po kalonte një periudhë krize në ekonomi. Llukashenka mori përsipër të stabilizojë ekonominë e vendit. Para së gjithash ai dyfishoi kuotën minimale të pagës, më pas rifuti kontrollin e çmimeve nga ana e shtetit dhe hoqi të paktat reforma ekonomike që u morën ne qeverinë e mëparshme. Por në një vend pothuajse plotësisht të varur nga Rusia, nga e cila importonte gazin dhe elektricitetin, qeveria bjelloruse u gjend para shumë borxheve. Në këtë rast Llukashenka sheh si nevojë të vetme bashkimin ekonomik ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë. Në vitin 1995 Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pezulluan borxhet e Bjellorusisë për shkak të mungesës së reformave ekonomike që ofronte politika e Llukashenkas.

12 shtator 1995, tre parashutistë që merrnin pjesë në garën “Kupa Gordon Bennett” hynë në hapësirën ajrore bjelloruse. Duke qenë se organizatorët nuk informuan qeverinë bjelloruse për këtë garë, aeronautika bjelloruse qëlloi mbi këta parashutistë duke vrarë dy shtetas amerikanë dhe detyroi dy të tjerët të uleshin poshtë. Ekuipazhi i tyre u arrestua dhe u gjobit për faktin se kishin hyrë në territorin bjellorus pa vizë, por më pas u lanë të lirë.

Në verë të vitit 1996, 70 nga 110 pjesëtarët e parlamentit bjellorus firmosën një peticion për të akuzuar Llukashenkan se kishte shkelur Kushtetutën. Ai ftoi disa negociatorë rusë, ndër të cilët ish-kryeministri sovjetik Viktor Chernomyrdin, dhe me mbështetjen e tyre arriti të organizojë një referendum (më 24 nëntor 1996), me të cilin mundi të shtyjë mandatin e presidentit nga katër në shtatë vjet. Ky referendum, në të cilin Llukashenka fitoi 70,5 për qind të votave, u kritikua ashpër nga kundërshtarët, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara refuzuan të pranojnë legjitimitetin e votimit. Falë pushteteve të reja që i dha referendumi, ai ia doli mbanë “të përzërë” 89 deputetë nga parlamenti pasi rezultuan të jashtëligjshëm. U rizgjodh një parlament i ri i përbërë nga 110 aleatë të Llukashenkas dhe ky veprim u dënua nga shumë qeveri ndërkombëtare dhe nga organizata për të drejtat njerëzore. Në fillim të vitit 1998 Banka qendrore ruse nuk po e “trajtonte” më rublën bjelloruse duke çuar në dështim vlerën e valutës. Në këto kushte Llukashenka merr kontrollin e Bankës qendrore bjelloruse duke ngrirë llogaritë në bankë dhe duke reduktuar aktivitetet e bankave tregtare. Të 30 zyrtarët e qeverisë u arrestuan dhe qindra të tjerë u ndëshkuan pasi Llukashenka i akuzoi se ishin ata që e kishin çuar vendin në këtë krizë ekonomike.

Në vitin 1998 i përjashtoi ambasadorët e Francës, të Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe Japonisë, të akuzuar për konspiracion kundër tij, nga rezidencat e tyre pranë Minskut duke shkaktuar protesta ndërkombëtare. Në këtë periudhë disa episode në nivel ekonomik, si përjashtimi i Bjellorusisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe në nivel sportiv, si përjashtimi i fitoreve të Bjellorusisë nga Olimpiadat e Naganos në Japoni, bënë që Llukashenka të akuzonte vendet perëndimore se donin ta çonin Bjellorusinë në vendet që janë larg parametrave ndërkombëtarë.

Mandati i dytë 2001-2006

Redakto

Mandati i parë, që përfundoi në vitin 1999, u zgjat deri në vitin 2001 falë referendumit të vitit 1996. Para zgjedhjeve të 9 shtatorit të vitit 2001 fushata e tij politike pati si synim një bashkim mes Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe një rritje të zhvillimit ekonomik. Rivali i tij ishte Uladzimir Hansharyk dhe Llukashenka korri fitore që në turin e parë, megjithëse OSBE-ja e përshkroi fitoren e tij jo në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat njerëzore. Vendet perëndimore u shprehën sërish kundër legjitimitetit të votës, ndërsa Rusia i tha mirëseardhjen e saj mandatit të ri të Llukashenkas. Përkrahja e qeverisë ruse pa dyshim që pati shumë efekt në zgjedhjet presidenciale.

7 shtator 2004, gjatë një debati televiziv ai anunçoi një referendum me anë të të cilit kërkonte të eliminonte kufijtë e mandateve presidencialë. Kështu në referendumin e 17 tetorit të vitit 2004, 79.42 për qind e votuesve dhanë vendimin e tyre. Në fakt kohë më parë Kushtetuta bjelloruse e kufizonte në dy mandate postin e presidentit të republikës, por në këtë mënyrë ai mund të rikandidonte për zgjedhjet e vitit 2006. Rezultatet e këtij referendumi u kontestuan nga OSBE-ja, nga Bashkimi Evropian dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi ata e përkufizuan antidemokratike fushatën elektorale të Llukashenkas.

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2006

Redakto

Në tetor të vitit 2005 Llukashenka konfirmoi qëllimin e tij për të kandiduar për të tretën herë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2006. Kundërshtari kryesor ishte liberali (në të vërtetë një ultranacionalist me origjinë polake) Aleksandr Milinkevich që me mbështetjen e vendeve perëndimore ia doli mbanë të shkaktojë manifestime kundër qeverisë së Llukashenkas. Gjithsesi në zgjedhjet e 19 marsit të vitit 2006 Llukashenka fitoi sërish në mënyrë shumë domethënëse me rezultatin 82.6 për qind të votave në favor të tij, ndërsa Milinkevich fiton vetëm 6 për qind. Kjo bëri që kundërshtarë të tij t’i referohen Kushtetutës bjelloruse për parregullsi të mundshme gjatë zgjedhjeve, por vendimi u shty dhe më 23 mars Llukashenka u shpall president për herë të tretë. Në ditët që vijuan qindra protestues dolën në rrugët e Minskut, duke valëvitur flamurin e Bashkimit Evropian dhe atë bardhezi që ishte flamuri i republikës ndërmjet viteve 1991 dhe 1995, të udhëhequr nga Milinkevich dhe nga kundërshtari tjetër “demokrat”, Aleksandr Kazulin. Edhe në këtë rast vëzhguesit e OSBE-së i shpallën zgjedhjet jo të vlefshme sepse nuk u zhvilluan në një ambient demokratik dhe me lirinë e votës, ndërsa Rusia i dërgoi urimet e saj Llukashenkas, ndër ta edhe presidenti Vladimir Putin, që i cilësoi zgjedhjet e ndershme dhe të pastra.

Realizimet e tij politike

Redakto

Ai e filloi karrierën e tij politike me zbatimin e një sistemi qeveritar shumë të hierarkizuar. Dekretet i ngjanin gjithnjë e më shumë modelit sovjetik. Kompanitë që dukeshin interesante për investitorët u deklaruan «prona e masës». Kështu sipërmarrësit e vendit u bënë të varur nga vendimet e Llukashenkas. Kjo masë i pengoi këto kompani të kishin lidhje me vendet e huaj. Me qëllim që të mos humbiste admirimin e popullit të tij, presidenti vendosi një pension për personat e moshuar. Edhe pse populli qëndroi në varfëri, kjo masë siguroi një farë rritje ekonomike.

Nga viti 19972002, rritja ekonomike u realizua me 36 për qind dhe inflacioni qëndroi i kontrolluar në 2 për qind. Ai bëri të pamundurën me qëllim që qytetarët e tij të kishin një sistem shëndetësor të përshtatshëm, si dhe arsimim dhe që mund t’u referohen organizatave shkencore dhe pedagogjike. Ai do të vendosë gjithashtu një sistem të sigurisë. Për më tepër, Llukashenka e shikonte gjithmonë SHBA-në si kundërshtare. Marrëdhëniet u prishën shumë shpejt pasi Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk pranuan të merrnin parasysh rezultatet e referendumit të organizuar nga Llukashenka në vitin 1996. Ky i fundit i akuzoi në televizion për konspiracion. Ky ishte fillimi i izolimit ekonomik dhe politik të Bjellorusisë. Megjithatë presidenti vendosi të fitojë një reputacion pozitiv në pjesën lindore dhe përpjekjet e tij ishin shumë domethënëse. Qytetarët e Rusisë e pranuan Llukashenkan me simpati. Në fakt presidenti “projektoi” gjithmonë imazhin e një njeriu të mirë, aktiv dhe sportiv, gjë që i pëlqente shumë popullit. Disa masa të realizuara nga presidenti bënë që Bjellorusia të zhvillonte marrëdhënie të shëndosha me Rusinë. Llukashenka bëri shumë përpjekje me qëllim konsolidimin e unionit me Rusinë. Bashkëpunimi i tij me presidentin Boris Jelcin dhe pasardhësin e tij Vladimir Putin i dha mundësinë të nënshkruante një traktat dypalësh mes Rusisë dhe Bjellorusisë në dhjetor të vitit 1999. Në të kundërt, sapo Vladimir Putin erdhi në pushtet, ai filloi të kërkonte llogaritë në nivel të marrëdhënieve ekonomike që zhvilloheshin në Bjellorusi. Llukashenka u ndje i kërcënuar nga Rusia.

Ai u akuzua se kishte gisht në zhdukjen e Viktor Gonchar dhe Yury Zakharenko (anëtarë të Ministrisë së Drejtësisë) që prej vitit 1999. Stacionet televizive ruse u ndikuan shumë shpejt nga kjo histori dhe e përdorën për të bërë një fushatë anti-Llukashenka. Megjithatë në vitin 2001, presidenti u zgjodh sërish në këtë post. Që prej asaj kohe ai foli shumë për liberalizimin e ekonomisë dhe demokratizimin politik. Megjithatë regjimi i tij u bë gjithnjë e më shumë i paqëndrueshëm dhe jo i frytshëm ekonomikisht. Reputacioni dhe popullariteti i tij ishin disi të rrezikuar në radhët e të rinjve, veçanërisht studentët e universiteteve të Bjellorusisë. Ndihma ekonomike dhe financiare e Rusisë mbetej thelbësore për këtë vend.

Argëtimi i tij

Redakto

Llukashenka përfiton nga imazhi i tij dhe i akordon shumë rëndësi pamjes së jashtme. Në fushën e sportit, ai praktikon tenisin, bën ski, lojën e hockeyt, futbollit dhe patinat. Ai ishte i interesuar për letërsinë klasike dhe librat që kishin të bënin me sociologjinë. Llukashenkas i pëlqente shumë natyra dhe shëtitjet pranë saj. Është i martuar dhe ka dy djem, Viktor dhe Dmitry.