Ali Aliu - Kelmendi (lindi më 22 qershor 1924 - 25 prill 2010) ishte një shkrimtar, ekonomist, mësues, aktivist dhe i burgosur politik shqiptar i cili i kaloi më se 10 vjet burg për kundërshtimin që i bëri diskriminimit të shqiptarëve në Jugosllavi si dhe për angazhimin e tij për Bashkim Kombëtar të shqiptarëve.

Ali Aliu - Kelmendi
KombësiaShqiptar i Republikës së Kosovës

Ai ishte i njohur si një njeri i rezistencës përgjatë tërë jetës së tij, e poashtu njihej edhe si një ndër ekonomistët e parë të Kosovës dhe si shkrimtar.

Jeta dhe aktivizmi i hershëm

Redakto

I lindur në Preshevë, Aliu ishte një aktivist në Luftën e Dytë Botërore që nga viti 1941 e tutje. Si pjesëtar në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare veproi në Shqipëri dhe Kosovë. Ishte plot ideale, po me të mbaruar lufta, e pa se e gjitha ishte e kotë dhe se shovinizmi serb vazhdonte të ishte po ai i përparshmi. Pas luftës së dytë botërore vazhdoi veprimtarinë e tij në lëvizjet çlirimtare në Kosovë kundër pushtimit Jugosllav, që kishin për synim shkëputjen e territoreve shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia dhe bashkimin me shtetin amë Shqipërinë.

Ai u arrestua 3 herë dhe kaloi mbi 10 vjet në burgjet jugosllave, ndër të tjera edhe në burgun famëkeq Goli Otok.

Aliu në Kosovën e pasluftës

Redakto

Ali Aliu është babai i aktivistit dhe deputetit në Kuvendin e Kosovës, Liburn Aliu, i cili poashtu është aktivist dhe bashkëthemelues i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Ai ishte i njohur nga shqiptarët si "Baca Ali" dhe si një shembull dhe frymëzim ideologjik nga anti-fashistët dhe aktivistët shqiptarë për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar.

Në varrimin e tij më 26 prill 2010, Policia e Kosovës nën urdhra nga policia ndërkombëtare e EULEX tentoi ta arrestojë Albin Kurtin, aktivist të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qytetarët që ishin prezentë gjatë varrimit, i rezistuan policisë dhe nuk i lejuan që ta arrestojnë Kurtin. Kurti kishte qenë në varrim në mënyrë që të tregojë respektin e tij dhe të mbajë një fjalim mbi rolin e Bacës Ali në formësimin e rezistencës shqiptare.

Në vitin e 86 të jetës së tij, Baca Ali, nëse ka mundur ta hap syrin atëherë ka lexuar, e nëse ka mundur ta lëviz edhe dorën atëherë ka shkruar. Viti i fundit i jetës së tij nuk ishte fare i jashtëzakonshëm. Ai po e bënte atë që kishte bërë gjithmonë: po merrte dije dhe po jepte dije. Pra, tamam ashtu siç duhet të jetë një veprimtar – njëkohësisht edhe student, edhe profesor.[1]

Baca Ali ka qenë veprimtar e dëshmitar i të gjitha zhvillimeve politike që prej fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai kurrë nuk i është përshtatur regjimeve. As atëherë kur ato ishin komplet të huaja as atëherë kur pushtetarët kishin emra shqiptarësh. Përherë i ka rezistuar të keqes, por i ka rezistuar edhe të mirës. I ka rezistuar trysnive e shtypjes, por i ka rezistuar edhe ofertave e lajkave. Ka qenë i dashur ndaj njerëzve dhe kokëfortë ndaj regjimeve. Tamam ashtu siç duhet të jetë një veprimtar – njëkohësisht i përshtatet popullit dhe është i papërshtatshëm për regjimet.[1]

Ali Aliu, Baca Ali, është një jetë rezistencë. Në anën e rezistencës, përjetësisht. Saqë, nuk ka më njeri individ aty te Baca Ali, është vetëm kjo jetë, e gjitha rezistencë. Ka shumë njerëz të rezistencës, njerëz si rezistencë, ama jo edhe jetë rezistencë, jo edhe jetë si rezistencë. E gjithë jeta si rezistencë është shumë shumë e rrallë. E, një jetë e gjatë si kjo e Bacës Ali, 85 vjeçare, e gjitha kushtuar rezistencës, është gjithsesi e pashembullt.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ a b Kurti, Albin (26 prill 2010). "Ashtu siç duhet të jetë një veprimtar". Vetëvendosje!. {{cite news}}: Nuk lejohet formatim teksti në: |publisher= (Ndihmë!)
  2. ^ Kurti, Albin (12 shtator 2009). "Në anën e rezistencës". Vetëvendosje!. {{cite news}}: Nuk lejohet formatim teksti në: |publisher= (Ndihmë!)