Dali Ndreu (Sllovë, 10 mars 1912 - Tiranë, 25 dhjetor 1956) qe anëtar i Grupit Komunist të Tiranës, partizan, ushtarak i lartë shqiptar. Ndreu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]

Lindi në Sllovë, në mesin e familjes Ndreu, i biri i Isufit dhe Xhevrijes[2].

Më 1931 kreu studimet në Shkollën e Ushtarake të Plotësimit si oficer artilerie i graduar nëntoger. Fillimisht shërbeu në degën e rekrutimit në Përmet, më pas në artilierinë e divizionit Kosova deri më 1933. U anëtarësua në Grupin e Tiranës të themeluar dhe drejtuar nga arsimtari Hasan Reçi, ku merrnin pjesë shumë oficerë.

U dënua me shkakun e Kryengritjes së Fierit më 1935, u shkarkua si oficer. Pas daljes nga burgu, vijoi studimet për Shkenca Ekonomike në Firence[3].

Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane. Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendëskomandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion.

Brigada III Sulmuese ishte formacioni ushtarak që ai drejtoi në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare.

Pas 24 Majit 1944 drejtoi Divizionin I Sulmues.

18 gusht 1944 drejtoi Korparmatën I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë.

Në krye të Korparmatës I, ai drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës etj., deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë[2]. U shkarkua nga ushtria në vitin 1948 dhe i ishin dhënë poste të vogla ekonomike. Në vitin 1956 mendohej nga CIA se ishte zëvendësministër i Industrisë[4].

Në vitin 1956 Dali Ndreun e arrestojnë me akuza si bashkëpunëtor i jugosllave së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Gega, e cila ishte një tjetër kuadro e asaj kohe.

Dhjetor i vitit 1956 pushkatohet Dali Ndreu dhe Liri Gega në një vend ku nuk u mor vesh kurrë se ku[2].

Referime

Redakto
  1. ^ Gazeta Standard (29 nëntor 2014). "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane" (në anglisht). Marrë më 22 maj 2018.
  2. ^ a b c Saliu A., Përse u pushkatuan Liri Gega dhe Dali Ndreu?!Korrieri. - Nr. 266, 28 shtator, 2008, f. 10 - 11.
  3. ^ Kasapi V., Dali Ndreu - Personalitet i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, telegraf.al, 8 shtator 2014.
  4. ^ Kondi L., CIA: Konferenca e Tiranës dhe përplasja me Moskën për ekzekutimin e Liri Gegës, përkthyer nga dosjet e deklasifikuara të CIA-s, ESAU XIX-62 Arkivuar 16 maj 2017 tek Wayback Machine, shoqeriacivile.com, 14 nëntor 2017.