Demonstratat studentore të tetorit 1997
Demonstratat studentore të tetorit 1997 të njohura edhe me emrin Protestat studentore të tetorit 1997 kanë qenë një varg demonstratash dhe protestash që kanë nisur më datën 1 tetor të vitit 1997 në Prishtinë dhe kanë vazhduar për disa ditë. Kërkesa kryesore e këtyre demonstratave ishte lirimi i të gjitha objekteve të institucioneve arsimore në Kosovë. [1]
Vështrim
RedaktoDemonstrata dhe protesta studentore e 1 tetorit 1997 në Prishtinë ka qenë një organizim i gjithmbarshëm i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilat u pasuan me protesta dhe demonstrata tjera gjithëpopullore kundër pushtetit serb. Lëvizja studentore e vitit 1997 drejtohej nga Bujar Dugolli, kryetar i Unionit të Pavarur Studentor, Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli dhe Driton Lajçi, të përkrahur nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, profesori Hajrullah Koliqi si dhe nga profesorët e të gjitha fakulteteve. Rreth 30,000 studentë dhe profesorë, si dhe intelektualë të tjerë dhe mbi 100.000 qytetarë shqiptarë dolën në rrugë e sheshe në mbështetje të kërkesës së studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP) për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare të uzurpuara nga regjimi serb vite më parë. Marshi i protestuesve u nis nga lagja "Velania", ndërsa në udhëkryqin e "Tauk Bahçes" u ndaluan nga një kordon i madh i policisë speciale serbe të pajisur me makineri të blinduara, me armë dhe shkopinj gome. Në ballë të protestave ndodhej rektori i UP-së, Ejup Statovci, bashkë me liderët e lëvizjes studentore. Edhe pse protestat ishin paqësore autoritetet serbe u përgjigjën më arrestime dhe dhunë brutale. Radhët e studentëve, profesorëve dhe qytetarëve u sulmuan me gaz lotsjellës nga helikopteri i policisë serbe dhe nga njësitet e policisë speciale. Me atë rast u arrestuan rektori Ejup Statovci, prorektori Ahmet Gecaj, pastaj liderët e studentëve, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi, Lulëzim Jagxhiu etj. Përfaqësues të shumtë diplomatikë dhe të medieve të njohura ndërkombëtare ndoqën me vëmendje ngjarjet në ditën e protestës. Pas kësaj ngjarje, gjendja u tensionua në mbarë Kosovën. Përdorimin e dhunës ndaj protestuesve paqësorë dhe arrestimet e shumta i dënuan të gjitha forumet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në shtetet perëndimore. [2] [3]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 310. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ https://www.epokaere.com/shtypi-shqip-i-kosoves-per-protestat-studentore-te-1-tetorit-1997/
- ^ https://kallxo.com/lajm/sot-shenohet-26-vjetori-nga-protestat-e-levizjes-studentore/