Dhimitër Misha
Dhimitër Misha i njohur edhe si Dhimitër Ballkameni (Bellkamen, 1890 - Tushemisht, 25 maj 1928) ishte një mësimdhënës dhe prift patriot nga rrethi i Follorinës që dha kontribut të konsiderueshëm në fillimet e arsimit dhe shkollës shqipe.[1]
Biografia
RedaktoDhimitër Misha u lind më 1890 në Ballkamen, në kazanë e Follorinës, afër Negovanit. Pas Luftërave Ballkanike, e la vendbanimin e tij dhe erdhi në Shqipëri, aty nga viti 1917. Porsa erdhi në Shqipëri filloi të ushtrojë profesionin e mësuesit në shkollat fillore shqipe, që ishin hapur atëhere në rrethin e Korçës e të Pogradecit, në marrëveshje me komandën e ushtërisë franceze, që ishte vendosur në Korçë e Pogradec. Hyri si mësues në fillim në fshatin Podgorie dhe Alarup dhe, më vonë, në fshatin Tushemisht të rrethit të Pogradecit.
Nga dëshira për të hequr influencën greke dhe sërbe nga kisha, u vesh prift në vitin 1925 dhe filloi të ushtrojë të dy profesionet (mësues dhe prift). Filloi menjëherë të meshojë në gjuhën shqipe, jo vetëm në fshatin Tushemisht, por edhe në fshatrat fqinjë.
Për të mbrojtur territorin shqiptar dhe shkronjat shqipe ai kishte prishur shkronjat cirilike të një faltoreje të vogël të quajtur "Najazmë" e që ndodhet brenda territorit shqiptar e pranë kufirit me Jugosllavinë afër manastirit të Shën Naumit. At Dhimitri i prishte shkronjat sërbe dhe i shkruante me shkronja shqipe. Kjo gjë u përsërit disa herë gjer sa u vra më 25 maj të vitit 1928 në pragun e Kishës së Shën Panteleimonit në fshatin Tushemisht të Rrethit të Pogradecit.[2]