Abaz Aliu

(Përcjellë nga El-Abas ibn Ali)
This is the stable version, checked on 15 shtator 2019. 4 pending changes await review.

Abaz Aliu lindi më 4 tetor në vitit 26 hixhri hënor (648). Nëna e tij quhej Fatime, apo e njohur ndryshe me epitetin Ummul Benin; ajo ishte vajza e Hezam Ibne Halid Ibne Rabije Ibne Amer Kelbi. Ai lindi si djali i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore. Imam Aliu pati katër djem me këtë grua të nderuar; ata quheshin: Abas, Osman, Xhafer dhe Abdullah. Abazi ishte vëllai më i madh, dhe që të katër vëllezërit i kishin dhënë besën vëllait të tyre, Imam Hysenit, për të cilin sakrifikuan edhe jetët e tyre në ngjarjen e Qerbelasë. Nganjëherë Aliu kur hidhte vështrimin te djali i tij, i shfaqej para syve e ardhmja e të birit; pas një buzëqeshjeje kënaqësie ndaj caktimit të Zotit, nga sytë e tij rridhnin lot. Kur bashkëshortja e tij e pyeti se pse po vajtonte, ai i tha: “Abazit do t’i presin krahët kur t’i vijë në ndihmë Hysenit”. Atëherë, për hir të dashurisë të madhe që ka Zoti ndaj tij, do t’i falë Abazit dy krahë, që të fluturojë në parajsë si xhaxhai i vet Xhaferi bin Ebi Talib.

Abaz Aliu

Në vitin 37, hixhri në luftën e Sifinit, megjithëse ishte një djalosh shumë i njomë, vetëm 14 vjeç, ai luftoi me një heroizëm dhe trimëri të pashoqe edhe në beteja të tjera. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit, rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Armiku mori shenjë dhe e goditi në krahë Abaz Aliun. Trimi, si i humbi të dy krahët nga goditja e armikut, ra nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji vëllain e dashur që më pas shkoi te Zoti.

Teqeja e Kulmakut

Redakto

Teqeja e Kulmakut është ndërtuar për herë të parë rreth viteve 1908, nga besimtarë vendas. Ishte një dervishije me dy dhoma me mur guri poshtë Çukës së Tomorit ose Qafa e rrugës për Abaz Ali. Në pranverën e vitit 1914, andartët grekë bënë reprezalje në drejtim të objekteve të kultit bektashianë, duke djegur e shkatërruar dhjetëra teqe në Jug. Këtyre reprezaljeve nuk u shpëtoi dot as dervishija, poshtë Çukës Abaz Ali, e cila u shkatërrua nga themelet. E ringriti dhe e themeloi teqenë e re më poshtë dervishijes (1908) në Kulmak, dervish Iliazi në vitin 1916. Ndërtimi i saj i plotë me dy kate i ngjante një kështjelle. Teqeja u ndërtua në shërbim të tyrbes së Abaz Aliut, flamurtarit të Qerbelasë. Sot kjo teqe është dykatëshe, me mjedise të mëdha, dhe në datat 20 - 25 gusht të çdo viti pret mijëra besimtarë bektashianë nga Shqipëria, diaspora, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia e deri nga SHBA.

Gjurmët e Abaz Aliut në Skrapar

Redakto

Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën se si ka ardhur Abaz Aliu në Tomor. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në: “Dërrasën e Kajcës”, në kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në “Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”, varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët e dashamirësit gjatë gjithë vitit, por sidomos në ditët 20-25 gusht. Emri i Abaz Aliut është më i hyjnizuari, më i lartësuari, më i shenjti, më i adhuruari ndër besimtarët e jobesimtarët e trevës së Skraparit dhe në Shqipëri e më gjerë, qysh herët e deri në ditët e sotme. Abaz Aliu ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorit ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Abaz Aliu, si luftëtar që ra për lirine, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë Tomor.

Referime

Redakto
  • Shënim: Për këtë shkrim janë përdorur materiale nga libri “Tek Abaz Aliu”, i autorit Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane
  • Shkrimi u botua në Gazeta Shqiptare nga Ferdinand Samarxhi me titull: Kryegjysh Baba Mondi: Tomori mitik - Perëndi e të gjithëve
  • www.bksh.al