Esat Berisha
Esat Berisha (Gjilan, 1913 - 18 dhjetor 1944) ka qenë jurist dhe veprimtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Biografia
RedaktoU lind në më 14 prill 1913 në Gjilan, i biri i Ymerit dhe Refiqes. I ati ishte hoxhë dhe e ëma amvise, të cilët patën 5 djem e 1 vajzë.
Shkollën fillore Esati e regjistroi më 1922 dhe e kreu më 1926 në Gjilan në gjuhën serbe. Në vitin shkollor 1927/1928 regjistrohet në Medresenë e Madhe "kral Aleksandri" të Shkupi, të cilën e kryen me sukses më 1935. Në Medrese pati fatin të njihet me shumë intelektual e patriotë të kohës. Menjëherë pas mbarimit të medresesë regjistrohet në në fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit në vitin shkollor 1935/1936. Pas fillimit të luftës së Dytë Botërore u detyrua t`i ndërpres studimet, ndërsa më 1942 u regjistrua në Universitetin e Zagrebit, ku edhe u diplomua në mars të vitit 1943.
Aktiviteti atdhetar
RedaktoGjatë studimeve sa ishta në Beograd u angazhua në Lëvizjen e Rinisë Përparimtare të Kosovës, e cila ishte e organizuar dhe funksiononte përmes Organizatës "Kosmet". Kundërshtoi publikisht planin e pushtetit jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Më 1937 ishte njëri ndër shumë studentë të Kosovës që nënshkroi Proklamatën kundër shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë për në Turqi në bazë të marrëveshjes që Jugosllavia e kishte nënshkruar me Turqinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Esat Berisha u angazhua në jetën politike si veprimtar për çështje të kosolidimit të shtetit shqiptar dhe të përfshirjes së të gjitha trojeve etnike brenda kufijve të Shqipërisë. Si intelektual Esati bashkëpunoi me shumë gazeta e revista të kohës që dilnin në gjuhën shqipe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Interesimet dhe shkrimet e tij ishin të angazhuara dhe preknin fushën kulturo-arsimore dhe politiko-juridike të jetës dhe shtetit shqiptar. Me këtë rast po veçojmë artikujt "veprimtaria e arsimtarëve në Gjilan" të botuar në gazetën "Lidhja e Prizrenit" të datës 2 prill 1944 dhe "Shqipëria në letërsinë serbe" të datës 9 prill 1944. Esat Berisha udhëhoqi tubimin e organizuar me nëpunësit e rininë që shërbente në administratën e nënprefekturës së Gjilanit më 1941. Si i ri u mor edhe me sport, sidomos me futboll. Luante në klubin sportiv "Bashkimi" të Gjilanit së bashku me Xheladin Kurbaliun, Abdullah Preshevë, Selim Selimin, etj. Ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues të këtij klubi. Meqë me profesion ishte jurist, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi një kohë si gjyqtar i Gjyqit Paqtues për Nënprefekturën e Gjilanit.
Veprimtaria politike
RedaktoEsat Berisha së bashku me Mehmet Devajën ishte delegat i Gjilanit në Kuvendin Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në këtë Kuvend u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qendror. Kur me propozimin e Tahir Zajmit Kuvendi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizerenit proklamoi bashkimin e kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tivarit me Shqipërinë si dhe të qarkut të Kosovës (Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva) që i takonte zonës së pushtimit gjerman, avokati Esat Berisha në cilësinë e delegatit të Gjilanit kërkon nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës kufitare me bullgarinë fashiste duke u angazhuar që brenda kufijve të Shqipërisë të përfshihen trevat shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Me rastin e riorganizimit të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit nga ana e Xhafer Devës, në korrik të vitit 1944, Esat Berisha caktohet përgjegjës për dikasterin e transportit.[1] Pas 17 nëntorit 1944 kur shumica e anëtarëve të Komitetit Qendror të lidhjes së Dytë të Prizrenit vendosën të lëshonin vendin, Esat Berisha u gjend në mesin e atyre që nuk deshtën të largohen nga Kosova. Pothuaj të gjithë ata që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri u ekzekutuan nga ana e organeve të pushtetit serb, i cili u vendos në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore.[2]
Menjëherë pas depërtimit në Gjilan të njësiteve të UNCJ-së dhe të forcave të ushtrisë bullgare, si dhe me konsolidimin e pushtetit komunist filloi riaktivizimi i elementeve proçetnike sebo-malazeze, të cilët shfrytëzuan momentin për të realizuar qëllimet e tyre për likuidimin fizik të shqiptarëve, sidomos të atyre më me autoritet dhe të atyre që kishin mbrojtur dhe mbronin interesat kombëtare shqiptare. Ata veçmas i likuidonin intelektualët dhe patriotët shqiptarë. Kësisoj brenda një kohe të shkurtër u mbushën burgjet përplot shqiptarë dhe filloi likuidimi i tyre pa kurrfarë procedure gjyqësore.
Pushkatimi
RedaktoOrganet e OZN-së Esatin e arrestuan më 17 dhjetor 1944, ndërsa e pushkatuan të nesërmen më 18 dhjetor 1944 në mënyrën më mizore me të vetmin "faj" se kishte qenë anëtar i Komitetit Qendror të Lidhes II të Prizrenit. Më vonë ia vrasin edhe babanë - Ymerin, pa kurrfarë gjyqi, ndërsa vëllaun Hamdiun, ia denojnë me burg të përjetshëm[3].[4]
Referime
Redakto- ^ Botuar në gazetën "Lidhja e Prizrenit" të datës 2 prill 1944
- ^ [qender e rezistences kombetare ne Kosoven juglindore 1941/ 1951]
- ^ "Masakrat e Gjilanit -Esat Berisha". 2016.
- ^ Prof.Aliriza Selmanit, master ne histori:: Lufta e Gjilanit dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945