Esat Ndreu
Esat Elez Ndreu (1910-1973) ishte kolonel dhe komandant i Brigadës XVIII Sulmuese. Ai lindi më 12 prill 1910 në Sllovë dhe vdiq më 27 tetor 1973 në Memaliaj. Ndreu qe i biri i prijësit Elez Isuf Ndreut.
Jeta
RedaktoFormimi
RedaktoNdreu lindi më 12 prill të vitit 1910 në Sllovë të Dibrës në një familje qëndrestare. Ai është i biri i Elez Isuf Ndreut. Ndreu ngeli jetim në moshën 14-vjeçare.
Esat Ndreu u formua në shkolla të ndryshme. Fillimisht në Peshkopi dhe më vonë hyri në shkollën teknike "Harry Fultz" në Tiranë. Në 1931, mbaron shkollën e Artilerisë dhe fiton gradën e Aspirantit. Në 1932, gradohet, pas një provimi, nëntoger i artilerisë. Ai shërben në armën e Artilerisë deri në vitin 1934.
Pas 1934, Ndreu transferohet me gradën e oficerit të zyrës së rekrutimit në Gramsh ku punon deri në 1937. Në 1935 merr pjesë në kryengritjen e Fierit.
Në 10 korrik 1937, Ndreu burgoset me 21 oficerë të tjerë që kishin denoncuar kushtet e vështira të punës së tyre. Ai lirohet në 25 nëntor të të njëjtit vit dhe çmobilizohet nga ushtria pa të drejtë grade.
Lufta e Dytë Botërore
RedaktoPas pushtimit të Shqipërisë, Ndreu fillon propagandën për rezistencën ndaj pushtuesve. Fashistët italianë e burgosin 5 ditë në nëntor të vitit 1941. Pas lirimit, hyn në ilegalitet deri në formimin e çetës partizane në qershor të vitit 1942.
Gjatë luftës ka marrë pjesë si nën-komandant çete, nën-komandant batalioni, komandant grupi në Dibër e Lumë, komandant i Brigadës XVIII Sulmuese. Brigada u formua në Sllatinë të Dibrës më 18 gusht 1944 sipas urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm mbi bazën e tre batalioneve, të Dibrës, Martaneshit, Çermenikës si dhe të partizanëve të ardhur nga krahina të tjera të vendit. Ndreu u caktua komandant i kësaj brigade.
Paslufta
RedaktoPas luftës, u emërua nën-komandant i Korpusit III të Shkodrës deri në vitin 1946.
Nga viti 1948 punon si shef-llogaritar. Fillimisht në Komitetin e Arteve dhe Kulturës në Tiranë e më vonë në Drejtorinë e Informatave e në Kryeministri.
Familja e tij luftoi kundër pushtuesve, por pas vendosjes së regjimit të Enver Hoxhës u distancuan nga ai duke kundërshtuar aleancën me Jugosllavinë. Disa u arratisën. Të tjerët u përndoqën duke u burgosur dhe internuar.
Në zbatim të vendimit nr. 445, datë 13 dhjetor 1991, të Këshillit të Ministrave, komisioni i krijuar për verifikimin e kohës së vuajtjes së dënimit administrativ, me vendim nr. 22, datë 8 prill 1993, vendosi t’i njohë kohën e dëbimit nga rrethi i Dibrës në Tepelenë, prej datës 23 prill 1956 deri më 27 tetor 1973.
Qyteti i Memaliajt e konsakron Qytetar Nderi më 2007.
Dekorata
Redakto- 23 nëntor 1945: Ylli Partizan, grada e II-të. Motivacioni: "I pajisur me cilësi të veçanta ushtarake e politike, është shquar për udhëheqje të guximshme dhe plot sukses të reparteve që komandonte, në lufte kundra okupatorit dhe tradhtarëve për çlirimin e Atdheut dhe Popullit Shqiptar”".
- 9 korrik 1945: Ylli Partizan grada e III-të. Motivacioni: "Udhëheqës i dalluar ushtarak e politik, ka udhëhequr me sukses repartet që komandonte, në luftë kundër okupatorit dhe tradhëtarëve për Çlirimin e Atdheut dhe te popullit shqiptar".
- 9 korrik 1945: Medalja e Kujtimit. Motivacioni: "Qysh para dates 10 korrik 1943 që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm t’Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, ka marrë pjesë pa ndërprerje deri në fund, me armë ose me aktivitet politik t’organizuar në luftën kundra okupatorit dhe tradhëtarëve për çlirimin e Atdheut dhe të popullit shqiptar".
- 5 shkurt 1953: Medalja e Trimërisë. Motivacioni: "Luftëtar trim, ka qenë shëmbull qëndrese dhe vetëmohimi në luftë kundër okupatorit dhe tradhëtarëve për Çlirimin e Atdheut dhe të popullit shqiptar".
- 23 korrik 1953: Medalja e Çlirimit. Motivacioni: "Ka marrë pjesë në reshtat e Ushtrisë Nacional-Clirimtare Shqiptare dhe me armë në dorë ka luftuar kundra okupatorit dhe tradhëtarëve deri në Çlirimin e plotë të Atdheut dhe të Popullit Shqiptar".
- 1993: Martir i Demokracisë (Presidenti i Republikës së Shqipërisë).
- 26 dhjetor 2007: Qytetar Nderi në Memaliaj. Motivacioni: "Për kontribut të shquar në Luftên Nacional Çlirimtare, për punë të palodhur në ndërtimin e vendit, për Figurë të shquar morale, qëndrim të lartë qytetar gjatë periudhës së internimit të Regjimit Komunist 1957-1990 dhe kontributin e dhënë në proceset demokratike".
Burimet
Redakto- Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në Vitet 1924-1944 dhe Formimi i PKSH. Shtëpia botuese 55.