Fehim Mezhgorani
Fehim bej Mezhgorani ose Mullaraj (Mezhgoran, 12 gusht 1874 - 4 shkurt 1920) ka qenë kryetar i klubit “Bashkimi” të Janinës pas vrasjes së Kadri Gjatës nga qarqe ekstremiste greke.
Është delegat dhe firmëtar i Pavarësisë në Vlorë si përfaqësues i klubit “Bashkimi” dhe Tepelenës, Feim Mezhgorani, ose Fehim Tepelena siç nënshkruante në shumë raste, lindi në vitin 1874 në Mezhgoran të Tepelenës. Është i biri i Myrtezanit, i cili ishte emigrant në Amerikë. Kreu shkollën fillore në vendlindje dhe pastaj gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Pasi përfundoi me rezultate të larta shkollën në Janinë, shkon për studime në Stamboll, ku përfundon në vitin 1902 Fakultetin për Drejtësi. I ndikuar nga atdhetarët si Sami Frashëri, Shahin Kolonja e Rasim Dino u bë veprimtar i zellshëm i klubeve patriotike të Stambollit. Pas përfundimit të shkollës në vitin 1902 u emërua në gjykatën e Janinës ku u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët Musa e Rexhep Demi, Kadri Gjatën dhe Ali Asllanin. Pati bashkëpunim me pjesëtarët e klubit “Vëllazëria” të Filatit dhe “Drita” të Gjirokastrës.
Anëtar i klubit atdhetar “Bashkimi” të Janinës në vitin 1908-1911 dhe kryeredaktor i gazetës “Zgjimi i Shqipërisë“ drejtor i të cilës në atë kohë ishte Nuçi Naçi e më vonë Abdyl Kadri. Kjo gazetë me përmbajtje atdhetare dërgohej fshehurazi nga Femi Mezhgorani në Tepelenë. Pas vrasjes nga shovinistët grekë të patriotit Kadri Gjata, Femi Mezhgorani u zgjidh Kryetar i klubit “Bashkimi” të Janinës. Sapo u njoftua për kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë u nis nga Janina për në Vlorë si përfaqësues i “Bashkimit”. Në Gjirokastër u takua me Myfid Libohovën, Petro Pogën dhe Hysen Hoxhën. Pritën dhe delegatët e Çamërisë dhe u nisën drejt Vlorës ku arritën në datën 3 dhjetor 1912.
Feim Mezhgorani dhe Kristo Meksi, zëvendësuan Sheh Maksutin dhe Sami Beun (nga Mezhgorani), të cilët nuk mund të vinin për arsye shëndetësore. Sami Havës Mullai, që zëvendësoi e kishte djalë xhaxhai. Më datën 4 dhjetor 1912, Feim Mezhgorani së bashku me Kristo Meksin i dërgojnë telegram Tepelenës: “U japim lajmin e gëzueshëm se Kabineti dhe Senati u formuan. Presim përgjigjen e telegramit që u dërguam dije..”
Me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e Qeverisë së Ismail Qemalit, duke pasur parasysh aftësitë e tij, caktohet si ndihmës i Ministrit të Drejtësisë z. Petro Poga për të hartuar aktet ligjore të shtetit të ri. Pastaj kryeministri, Ismail Qemali në maj të vitit 1913 e cakton Feim Mezhgoranin Drejtorin e Policisë së shtetit.