Filumena Marturano, histori drithëruese, që i takon sot në realitetin e ashpër shqiptar ! Kështu u shpreh regjisori Albert Minga për ngjarjen që zhvillohet në premierën teatrore “Filumena Marturano”, e cila e pati premieren e saj me 20 shkurt 2009 në skenën e Teatrit Kombëtar.

Për regjisorin Minga realiteti i sotëm shqiptar, fatkeqësisht, është i mbushur me histori Filumenash. “Ato mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtin e tyre drama edhe më të fuqishme se Filomena jonë. Pikërisht këtu do të insistojë edhe vepra, të demaskojë këtë realitet poshtërues ndaj femrës dhe të sensibilizojë shoqërinë tonë”.

Filumena në veprën e Eduardo de Filippos përfaqëson femrën e guximshme, e plotë dashuri njerëzore, që ka vuajtur shumë në jetë, ndonëse më shumë ka falur dashuri se sa ka marrë prej saj. Pjesa do te interpretohet nga aktorët Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, “Artistja e Popullit” Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Fadil Kujofca, etj. Ngjarja në dramë vendoset rreth një gruaje ish-prostitutë, e cila prej njëzet e pesë vjetësh jeton në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez. Ajo ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e “detyron” atë të martohet me të zyrtarisht, duke e gënjyer sikur ishte në prag të vdekjes ! Drama e shkruar në vitin 1944 nga Eduardo de Filippo, do të realizohet me skenografi të mjeshtrit të skenës, Agim Zajmi.

Në konferencën për shtyp sot në mjediset e Teatrit Kombëtar, regjisori Minga u shpreh se : “Filumena Marturano, një dramë thellësisht realiste zbërthen shpirtin e trazuar njerëzor. Për të kuptuar veprën, potencialin intelektual dhe emocional që përcjell tek shikuesi, mjafton t'u rrëfej një detaj, që lidhet me aktoren Tinka Kurti. Si një sekret aktorial, ajo ka dashur prej vitesh të luaj në një vepër të tillë, prandaj mendoj se kjo do jetë një anë pozitive e shfaqjes". Sipas regjisorit, në shfaqje ka gjetje origjinale në drejtim të zgjidhjes figurative të spektaklit, siç është interpretimi aktorial dhe bashkëpunimi me skenografin Agim Zajmi. “E veçanta e skenografisë është se për të parën herë, në teknikën e ndërtimit është përdorur afresku, që në dramacitetin e veprës, krijon një mjedis poetik që shpërfaq konfliktet e mëdha mes personazheve dhe realitetit jetësor”, u shpreh mes të tjerave Minga. Sipas tij personazhi i Filomena Marturanos sot ëndërrohet nga shumë aktorë. “Është një nga ato figura të cilat janë ëndrra për shume aktor, sepse për potencialin e vet dramaturgjik, për rrethanat dramaturgjike në të cilat veprojnë personazhet, për emocionet që përcjellin. Është një personazh i cili i ofron mundësi aktorëve të zbulojnë atë potencialin e tyre aktorial ", theksoi ndër të tjera regjisori Minga. Ndërsa aktorja Yllka Mujo, e cila ka dhe rol kryesor në vepër u shpreh se ajo e ndjente këtë figurë dhe ishte krenare për këtë. "Në çdo grua ka Filomenë, por jo të gjithë njerëzit e përjetojnë njësoj, jo të gjithë kanë të njëjtat memorie, prandaj është e bukur kjo vepër. Sigurisht më ka ndihmuar ajo pjesë e personazhit që ndjej tek vetja dhe jam e sigurt se të gjitha gratë që do të shohin shfaqjen, do të jenë krenare për Filumenën që e ndjejnë brenda vetes”,u shpreh aktorja Mujo. Më tej ajo theksoi se “Filumena Marturano” do të ketë një jetë të gjatë në skenat teatrore. “ Roli më ka pëlqyer shumë, por puna nuk mbaron me kaq. Për të hyrë në lëkurën e personazhit unë kam mënyrën time. Uroj që publiku të marrë emocionet e shfaqjes. Roli më ka pëlqyer shumë dhe për këtë falenderoj regjisorin Albert Minga”. Drejtori i Teatrit Kombëtar Kristaq Skrami, e cilësoi veprën si një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore. Sipas tij tematika dhe problematika që ajo trajton përkon shumë jo vetëm me realitetin shqiptar, por dhe më gjerë.

Regjisor

Albert Minga

interpretojnë

Yllka Mujo – Filumena Marturano,

Bujar Asqeriu – Domenico Soriano

Tinka Kurti – Rosalia Solimene

Vangjel Toçe

Neritan Liçaj

Arben Derhemi

Fadil Kujovska

Olta Gixhari

Shkrimtar

Eduardo De Filippo

Skenarist

Agim Zajmi