Gent Sejko
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Gent Sejko është Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj. Ai u zgjodh në këtë pozicion nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 5 shkurt 2015, bazuar në Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Z. Sejko ka mbaruar studimet në vitin 1991 pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, i diplomuar si ekonomist industrie. Në vitin 1997, kreu studimet pasuniversitare dhe zotëron diplomën Master në Kontabilitet Ndërkombëtar dhe Menaxhim Financiar (MAcc), nga Universiteti i Glasgow-t, Skoci, ku ka mbrojtur temën e masterit: “Roli i bankave dhe privatizimi i bankave në ekonomitë në tranzicion”.
Zoti Sejko e ka filluar karrierën bankare në vitin 1992 pranë Bankës Kombëtare Tregtare si Përgjegjës i Sektorit të Kredisë. Më pas, ka punuar pranë Bankës së Shqipërisë si inspektor mbikëqyrjeje në Departamentin e Mbikëqyrjes, pozicion të cilin e ka mbajtur deri në vitin 1998, me shkëputje për studimet pasuniversitare.
Në periudhën 1998 - 2000, z. Sejko ka punuar pranë firmës Deloitte & Touche, si auditor i lartë dhe konsulent, me detyrën e përgjegjësit për menaxhimin e procesit të auditimit.
Në periudhën 2001 – 2002, ai ka punuar pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm dhe Përputhshmërisë, si dhe është angazhuar për hapjen e degëve të kësaj banke.
Në periudhën 2002 - 2004, zoti Sejko është rikthyer pranë Bankës së Shqipërisë në pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit të Ekzaminimeve në Vend, në Departamentin e Mbikëqyrjes.
Në periudhën 2004 – 2010, ai ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese pranë Bankës Raiffeisen si Drejtor i Divizionit të Auditimit të Brendshëm, Përputhshmërisë dhe Marrëdhënieve me Qeverinë, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Leasing sh.a., Drejtor i Divizionit të Korporatave Raiffeisen Bank; dhe ndër të tjera ka shërbyer edhe si anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës, anëtar i Komitetit të Menaxhimit të Aktiv-Pasiveve, Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Raiffeisen Leasing dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Fondit të Pensioneve.
Ndërsa, në periudhën korrik 2010 – shkurt 2015, z. Sejko ka qenë Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Divizionit Retail dhe Rrjetit të Degëve, pranë Bankës Societe Generale Albania, si dhe anëtar i Komitetit të Menaxhimit të aktiv-pasiveve, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të SG Leasing dhe anëtar i Komitetit të Kreditit të Bankës.
Z. Sejko zotëron gjuhët anglisht dhe italisht.
Referimet
RedaktoKy artikull në lidhje me një biografi individi është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |