Hasan Kurti (1933-2018) ishte një mjek shqiptar, me profesion radiolog dhe autor librash.

Doktor Hasan Kurti

Jetëshkrimi

Redakto

Hasan Qamil Kurti lindi në 6 maj të vitit 1933 në Elbasan. Ai mbeti jetim që kur ishte fëmijë dhe në moshën 7-vjeçare, për shkak të varfërisë ekstreme, largohet nga shtëpia për të shërbyer në një familje. U detyrua të bëjë punë të rënda bujqësore, me lodhje dhe mundim.

Fillon të mësojë si audodidakt, por ëndrra për t’u arsimuar iu realizua pas çlirimit të Shqipërisë.

Fëmijëria e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjeve zgjoi tek Hasan Kurti dëshirën për t’u bërë mjek e për të ndihmuar më të dobëtit e të pafatët. I jepet e drejta e studimit dhe më vonë fiton bursën për në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në korrik 1954, doktor Hasani emërohet në Qendrën Sanitare, shef i Epidemiologjisë në Elbasan. Emërimi në punën e re koinçidon me përhapjen e epidemisë së kollës së mirë e, më vonë, me epideminë e fruthit - morbilli. Për të punuar atij i duhej të shkonte në zonën e Shpatit: në Gjinar dhe në Zavalinë apo në zona të tjera duke ecur për shumë orë në këmbë në kushtet e mungesës së rrugës automobilistike.

Pas përfundimit të Fakultetit, në shtator të vitit 1962 fillon zyrtarisht punën pranë Kombinatit të Drurit në Elbasan dhe më pas në Qendrën Sanitare në sektorin Epidemiologjik. Në shtator të vitit 1964 shkon në Tiranë për t’u specializuar në Rontgen Diagnostikë Radiologji. Pas përfundimit të specializimit fillon punën si mjek radiolog në Spitalin Civil në Elbasan.

Në 7 shkurt 1965 martohet me Sherife Mezini, që punonte në Bankën e Shqipërisë në Tiranë. Nga kjo martesë lindin tre vajza.

Pas shumë vitesh pune në spital transferohet në ambulancën e qytetit të Elbasanit, ku ushtron profesionin e mjekut radiolog në kushte të vështira, me orare të tejzgjatura, me një numër të madh njerëzish e me radiacion të lartë të rrezeve rontgen. U dallua për pasion, përgjegjësi dhe përkushtim, i gatshëm për të shkuar në çdo orë të natës në spital e për t’iu gjendur pranë pacientëve në situatë kritike.

Del në pension në vitin 1993. Në qershor 1995 transferohet familjarisht në Tiranë. Në 2006 shpërngulet së bashku me të shoqen në Itali, pranë vajzave.

Ishte lexues i apasionuar i letërsisë klasike dhe moderne duke ia transmetuar këtë dëshirë së bijës, poetes dhe shkrimtares Irma Kurti. Luajti një rol themelor në inkurajimin dhe mbështetjen e krijimtarisë së hershme dhe të mëvonshme të saj.

Pas vdekjes së gruas, Sherife Mezini Kurti, ai i dedikohet dorëshkrimit të jetës dhe kujtimeve të punës si mjek. Në shkurt të vitit 2014 i dorëzoi së bijës, shkrimtares Irma Kurti, ditarin me fragmente nga puna dhe jeta e tij: historinë e një fëmije jetim, të braktisur nga fati, por me vullnet të jashtëzakonshëm për të realizuar ëndrrën për t’u bërë mjek. Romani në gjuhën shqipe “Njeriu që fliste me pemët” i botuar në gjuhën italiane me titullin: “In assenza di parole”(Në mungesë të fjalëve) lindi dhe u bazua pikërisht mbi atë ditar. La pas disa ditare me fakte, mbresa dhe eksperienca të jetës së tij profesionale e private si dhe shënime kritike e komente për libra të shumtë të lexuar ndër vite.

Fragmente nga ditaret e tij janë botuar në gjuhën shqipe, italiane, angleze e franceze në Shqipëri, Kosovë, Itali, Filipine dhe Kamerun.

Mbylli sytë përgjithmonë në 19 prill 2018 në BergamoItalisë.

Botime

Redakto
  • I ricordi di un medico, me bashkautore Irma Kurti, Kimerik, Itali, 2020;
  • Kujtimet e një mjeku, me bashkautore Irma Kurti, ADA,Tiranë, 2021;
  • Fragments from a doctor's diary, Poetry Planet Book, Filipine, 2022;
  • Prozë poetike dhe aforizma, Lena Graphic, Prishtinë, 2022;
  • Tra le righe di un diario, Youcanprint Edizioni, Itali, 2022;
  • Fragments du journal d’un médecin, Guiguess Editions, Kamerun, 2023.

Lidhje të jashtme

Redakto