* Ky artikull është për krahinën etnografike. Për ndarjen administrative në Shqipëri shih Rrethi i Hasit.

Krahina e Hasit
Plaku me plis nga Hasi - Prizren - Kosovë
Grua me veshje kombëtare nga Hasi

Hasi është një krahinë etnografike që shtrihet anëve të Pashtrikut të kthyera kah Dukagjini, mes malit Pashtrik, Erenikut dhe Drinit të Bardhë.

Gjeografia

Redakto

Prej vendbanimit Morinë relieve gradualisht ngritët dhe Pashtriku kufitar bënë lartësinë më të madhe (1989 m). Mbizotëron relieve kodrinor.

Izoterma vjetore dhe reshjet mesatare vjetore dhe lartësia e rrjedhjes si pasojë e proceseve klimatike nuk kanë ndërrime të rëndësishme. Është hapësirë në të cilën tokat e papunueshme arrijnë afro 82 %, përkatësisht sipërfaqet me pyje përfshijnë afro 62 % dhe përbën elementin kryesor të peizazhit. Rogova e Hasit

Krahina Has që është pjesë e Republikës së Shqipërisë nuk përmban tërë trevën etnografik të Hasit. Hasi eshte një krahinë etnografike me kufij të përcaktuar mirë, rrethuar me liqene. Treva i saj në pjesë të Shqipërisë është i bazuar në Kukës dhe përmes palës kosovare është e ndarë në Komunën e Gjakovës dhe një pjesë në Komunën e Prizrenit. Disa nga lumenjtë kryesorë në Has janë Kruma, Vlahna, Rosman, Leshnica, Vogova, Raçica, Trava dhe Deshtica ndërsa liqenet kryesore janë Liqeni i Krumës, Liqeni i Zymit, Liqeni i Shigjetit dhe Fierza.

Në Shqipëri, Hasi përmban 32 fshatra të cilët janë të ndarë në vendbanime të sheshta, vendbanime kodrinore dhe malore shkëmbore. Këto fshatra janë: Bardhaj (Maç), Brenogë, Brrut, Cahan, Dobrunë, Domaj, Fajzë, Gajrep, Golaj, Gjinaj, Helshan, Kishaj, Kosturr, Krumë, Letaj, Liken i Kuq, Metaliaj, Mulaj, Nikoliq, Peraj, Perollaj, Pogaj, Pus i Thatë, Qarr, Shalqin, Sefoll, Tobël, Tregtan, Vlahën, Vranisht, Zahrisht dhe Zgjeç.[1]

Në Kosovë, Hasi përmban 38 fshatra të cilët janë të ndarë në vendbanime të sheshta, vendbanime kodrinore dhe malore shkëmbore. Këto fshatra janë: Gorozhup, Milaj, Pllanejë, Kojushë, Mazrek, Gjonaj, Tupec, Karashëngjergj, Zym, Lukinaj, Krajk, Romajë, Dedaj, Lubizhdë e Hasit, Kabash i Hasit, Kushnin, Rogovë, Damjan, Gërçinë, Lipovec, Ujz, Fshaj, Bishtazhin, Smaq, Goden, Dol, Raçë, Moglicë, Zhub, Pjetërshan, Guskë, Vogovë, Brekoc, Zylfaj, Kushavec, Kusar, Firzë dhe Devë.[1]

Prej 38 vendbanimeve, 22 i takojnë komunës së Gjakovës dhe 16 asaj të Prizrenit.

Demografia

Redakto

Veçori demografike e Hasit është shtimi i lartë natyrorë. Por megjithatë përashkak të emigrimit të lartë pas Rugovës është hapësira më e pabanuar.

Vendbanimet janë të vogla dhe të mesme sipas numrit të popullsisë, pa ndonjë qendër të zhvilluar, me përjashtim te Fshatit Gjonaj. Hasi është në periferi të Rrafshit të Dukagjinit, në një pjesë mjaft të pa përshtatshme për dalje në rrugëtn kryesore. Ndërsa pas përfundimit të luftës është bere asfaltimi i rrugës rajonale qe i lidhe qytetet Gjakove-Prizren. D. m. th. bën lehtësimin e qarkullimit neper te gjitha fshatrat e rajonit të Hasit.

Krahina në territorin e shtetit shqiptar

Redakto

Shtrihet në të djathtë të lumenjve Drin I Bardhë dhe Drin I Bashkuar, në veri të qytetit të Kukësit me të cilin I ndan një vijë kufitare prej 44 km [2] ndahet pothuajse përgjysmë prej kufirit politik të vendosur padrejtësisht me 1913, prandaj vetëm një pjesë e fshatrave ndodhen brenda territorit të shtetit shqiptar, të tjerët shkojnë me Kosovën.

Pozita Gjeografike

Redakto

Shtrihet në mes gjerësive gjeografike veriore 42° 05’ 45" në Fshatin Brrud dhe 42° 17’ 57" në veri në majën e Krajlicës si dhe në gjatësinë gjeografike lindore 20° 13’ 11" në Kosturr (Bregu i Drinit) dhe 20° 32’ 50" në majën e Pashtrikut në lindje [3]. Gjatësia e vijës kufitare është 85,8 km. Nga jugu Hasi kufizohet me Lumën (prej së cilës e ndan Drini I Bardhë) dhe me Malziun ( I ndan Drini I Bashkuar). Në perëndim lumi I vogël I Skatinës (14 km vijë kufitare) e ndan nga Bytyci dhe Berisha eMalësisë së Gjakovës. Në verilindje krahina etnografike e Hasit shkon deri afër Gjakovës (e ndan lumi Erenik). Në lindje Drini i Bardhë e veçon nga Podrimja dhe Vrrini I Prizrenit. Që nga viti 1913 Hasi I Shqipërisë formon një njësi më vete administrative me qendër Krumë[4].

Ndarja në zona

Redakto

Rrethi I Hasit ka gjithsej 30 zona kadastrale[5] dhe përfshin 30 katunde me një sipërfaqe të përgjithshme 36850 ha ose 393 km². Malësia e Hasit bën pjesë në Albanidet e brendshme, në zonën tektonike Mirdita, në territoret nga formacione kryesisht magmatike dhe më pak nga gëlqerorët, në nënzonën veriore të zonës klimatike mesdhetare paramalore, në pellgun e Drinit.

Vendbanimet e Rrethit të Hasit

Redakto

Vendbanimet e Rrethit të Hasit brenda kufirit shqiptar janë: Brrut, Myç, Pus i Thatë, Gjinaj, Pogaj, Shalqin, Kishaj, Cahan, Muja, Vlahën, Nikoliq, Golaj, Qarr, Dobrunë, Letaj, Zgjeç, Perollaj, Helshan, Kostur, Likeni i Kuq, Zahrisht, Krumë, Vranisht, Tregtan, Metaliaj[6].

Relievi

Redakto

Relievi I Hasit është kryesisht I ulët malor pasi lartësitë (400-800m) zënë 66% të sipërfaqes dhe pjesërisht malor ku majat më të larta janë Pashtriku(1989m), Kunora(1512m). Në pjesën verilindore relievi zbutet me disa kodrina e fushëza gjatë bregut të Drinit të Bardhë. Ka disa qafa si ajo e Erës (1100m) që lidh pellgun e Krumës me atë të Vlahnës dhe Qafa e Mullarëve (1220m) që lidh Hasin e Brijës me Hasin e Rrafshit. Në bazë të relievit gjeografik Hasi ndahet në 3 pjesë Brija, Guri dhe Rrafshi që së bashku njihen zakonisht me emrin Hasi I Thatë. Dallohet për larmishmëri të formave të relievit si gropa e Krumës, rrafshi I Planit, Bregu I Vlahnës deri tek qafat dhe majat më të larta. Ka një sipërfaqe pyjore 23200 ha, sipërfaqe të zhveshur 760 ha, sipërfaqe të punueshme dhe urbane 8500 ha, kullota dhe livadhe 4430 ha dhe sipërfaqe jo-produktive 8361 ha[7]. Lartësia mesatare e Malësisë së Hasit është 662 m mbi nivelin e detit dhe rritet nga perëndimi drejt lindjes si dhe nga juglindja drejt verilindjes. Malet e njësisë veriperëndimore, duke u nisur nga Pashtriku në qendër, ndahen në dy vargmale[8].

  • Vargmali Pashtrik-Krajlicë.
  • Vargmali Pashtrik-Tregtan.

Hidrografia

Redakto
 
Lumi i Krumes

Hasi ka një rrjet të pasur lumor i cili karakterizohet nga përrenj të vegjël që furnizohen kryesisht nga reshjet e shiut dhe të dëborës. Furnizimi I këtyre lumenjve nga burimet nëntokësore është I pakët ndaj edhe prurjet e tyre kanë një diferencë të madhe në varësi të stinës, janë të rrëmbyeshëm dhe tejbartës të materialeve të ngurta. Rëndësia e tyre është e lartë për mirëqenien, furnizimin me ujë të pijshëm dhe vaditjen në zona të ndryshme. Nga periudha 1945-1990 Hasi gjithashtu trashëgoi një pasuri të madhe ujore sic janë numri I madh i rezervuarëve të lidhur me një rrjet të gjerë kanalizimesh. Sipërfaqja ujore e rrethit të Hasit përbëhet nga 24 rezervuare që ujitin 23% të tokës bujqësore. Gjithashtu përshkohet nga disa përrenj më I madhi I të cilëve është Kruma[9], gjatësia e të cilit llogaritet të jetë 6 km, me shumë degëzime, që derdhet në Drinin e bashkuar. Shumë të rëndësishme janë gjithashtu edhe vrella e Brrudit, Domaj[10] dhe vrella e Harhullës që furnizojnë me ujë të pijshëm fshatrat përkatës. Disa nga përrenjtë e rrethit të Hasit janë përroi I Skatinës (14 km), I Vlahnës (13 km ), Rosmanit (11 km), Shirzës, Spahisë, dhe Tërshanës[11] . Rëndësi të madhe ka edhe kufizimi me Liqeni i Fierzës që do të thotë një pasuri shumë e madhe ujore për fshatrat Zahrisht, Metaliaj duke ndikuar fuqishëm në zhvillimin e turizmit sidomos në fshatin e Zahrishtit ku shihet prespektivë edhe në sektorin e peshkimit.

Malësia e Hasit bën pjesë në klimën mesdhetare paramalore veriore. Në vitet 1969-1970 u ngrit stacioni metorologjik në Krumë i cili merrej jo vetëm me studimin e të dhënave meterologjike të atmosferës por edhe me temperaturën e tokës në thellësi[12]. Temperatura mesatare vjetore arrin 11.4 °C në Krumë. Në shpërndarjen mujore të temperaturave vërehet se janari është muaji më I ftohtë me vlerë mesatare 0.4-0.9 °C[13]. Minimumet absolute të kësaj zone takohen gjithashtu në muajin janar, kur kanë arritur në -19 °C në qytetin e Krumës por shtrirja e tyre kap gjith periudhën tetor-prill. Temperaturat më të larta takohen gjatë muajit korrik me mesatare 21 °C-22 °C për stacionin e Krumës. Maksimalja absolute është shënuar në qytetin e Krumës në muajin korrik 38.6 °C. Malësia bën pjesë në territoret që marrin reshje nën mesataren e vendit. Kjo sepse ajo rrethohet nga perëndimi me male të larta, në të cilat shkarkohet pjesa më e madhe e lagështirës së masave ajrore të lagështa që vijnë nga perëndimi e jugperëndimi. Mesatarisht bien 900–1000 mm reshje në vit. Ato kanë regjime mesdhetare të çrregullta 60-65% e tyre bien në gjysmën e ftohtë te vitit.

 
Pyje të reja në rrethin e Hasit

Rethi I Hasit ka një sipërfaqe pyjore gjithsej 23200 ha me vëllim 1117000 metër kub të cilët ndahen në:

  • Pyje prodhues 13790 ha me vëllim 839000 metër kub.
  • Pyje mbrojtës 9410 ha me vëllim 338000 metër kub.
  • Pyjet e këtij rrethi dallohen për një larmishmëri të lëndës drusore si ah (2220 ha), dushk (17120 ha), panjë (360 ha), frashër (100 ha), shkozë (1200 ha), shqeme (70 ha), bush (530 ha), lajthi (70 ha) dhe lloje të tjera (1530 ha )[14]. Siç shihet pasuritë pyjore janë vërtet të mëdha krahasuar me sipërfaqen e përgjithshme të rrethit por duhet theksuar se keq-menaxhimi ka quar në shpërdorim të lëndës drusore dhe dëmtim të shumë zonave me vlera të larta jo vetëm materiale por edhe turistike e historike.

Pasurite nëntokësore

Redakto

Rrethi I Hasit ka pasuri të shumta minerare[15] përbëhet nga shkëmbinj gëlqerorë, magmatikë dhe metamorfikë kjo lidhet me pasuritë e shumta minerare në këtë zonë. Sasia më e madhe e kromit njihet në Vlahën dhe vendburimi lokalizohet në masivin ofiolitik Tropojë-Has duke u lidhur me vend-burimet e Kam-Tropojës për nga lokalizmi dhe tregu me Qafë Prushin. Në masivin e Vlahnës ndodhen rreth 2700000 ton rezerva Cr me pastërti 18%-38%. Miniera e Qafë Perollit[16] njihet për një sasi prej 560000 ton Cr me pastërti 26%-40% ( njësoj me minierën e Vlahnës për nga lokaliteti). Sipas studimeve në Golaj gjenden rreth 4.5 milion ton rezerva bakër të pashfrytëzuara edhe për shkak të mos-funksionimit të minierës. Fshatrat Vranisht, Vlahën dhe së fundmi Cahan njihen për nëntokë të pasur me Fe-Ni.

Resurset turistike

Redakto
 
Mali i Pashtrikut

Rrethi I Hasit është një zonë e panjohur turistike sigurisht për shkak të investimeve të pakta në këtë fushë por edhe mungesës së vëmendjes dhe promovimit të pjesëve me rëndësi të madhe studimore. Sipas Ministrisë së Mjedisit [3] Arkivuar 28 tetor 2020 tek Wayback Machine biodiversiteti është I veçantë në zona të ndryshme dhe sipas studimeve ka edhe bimë endemike në malin e Pashtrikut. Ndonëse në hapësirë shumë të vogël në Has ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit të gjelbër, të bardhë, ujor, kulturor e gastronomik. Njihen 30 monumente natyrore siç është Ahishtja e Likenit të Kuq dhe 30 ha rezervë natyrore e menaxhuar[17] Tej Drini i bardhë VKM nr.102, datë 15.01.1996. Zona të mbrojtura [18], me vedim të këshillit të ministrave nr.676 datë 20/12/2002 janë: Shpella Tindëlluese, Shpella në Mazrrek, Sofër dhe shpella e Dajçit, Vrella e Krumës, Brrudit, Domaj, Harhullës, maja e Qytezës dhe Pisha e Gjinajve.

  • Mali i Pashtrikut [19], kjo është zona më e famshme e Hasit që dallon për kullotat, shpellat, bimët dhe kafshët e rralla endemike. Ofron gjithashtu peizazhe të bukura, ajër të pastër dhe destinacion veror për turistë. Përmendet për pyjet me biodiversitet të theksuar sidomos në Gadhan, Cahan dhe Kishaj. Nga lartësia duket rrafshnalta e Dukagjinit ku qyteti i Gjakovës duket mes fushave pa fund. Nga krahu tjetër duket liqeni i Fierzës dhe më tej qyteti i lashtë i Prizrenit. Mali i Pashtrikut qëndron mes 4 qyteteve, shkëmbinjtë e mëdhenj gëlqeror i japin një pamje të bukur dhe në lartësinë më të madhe të malit shtrihet një gropë që quhet Hurdha e Madhe. Në lartësinë 1700 m mbi nivelin e detit është kroi i Dragovodit i cili dallohet për ujin e tij të akullt. Në majë të Pashtrikut është Vorri i mirë një vend shumë i vizituar pelegrinazhi në muajin gusht.
  • Bjeshkët e Krumës [20], ofrojnë peizazhe të bukura dhe destinacion relaksi, destinacione pelegrinazhi, shpella objekte natyrore dhe arkeologjike , ngjitje alpiniste në majën e qytezës që është vendi më i njohur turistik. Ngjitja bëhet nga Cahani.
  • Shpella e Pëllumbave [21] gjendet në malin e Pashtrikut, në kufirin mes fshatrave Vlahën, Dobrunë dhe Grenicë 1300 m mbi nivelin e detit, pranë pikës kufitare të Gurit të Bardhë. Përbën një shpellë karstike në gëlqerorë mbi 30 m e gjatë, 11 m e gjerë, 5 m e lartë ku ka shum pëllumba të egër nga vjen edhe emri.
  • Shpella me oborr [21] gjendet pranë Krumës, 700 m mbi nivelin e detit. E formuar nga karsti në gëlqerorë, është mbi 40 m e gjatë, 4–5 m e gjerë, dhe e lartë 8–10 m. Ende e pa eksploruar plotësisht është edhe shpella e Dajçit e ngjashme me shpellën e Pëllumbave.
  • Shpella që tingëllon në Mazrrek [22] gjendet në fshatin Mazrrek rreth 600 m mbi nivelin e detit. E formuar nga karsti në gëlqerorët, njihet pak. Fillon me një pus karstik mbi 50 m të thellë dhe 10–20 m të gjerë. Emrin e ka marrë nga tingëllimi i gurëve që hidhen në të.
  • maja e Qytezës [22] gjendet afër Krumës rreth 800 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një maje gëlqerori mbi territorin përreth. Aty janë gjetur mbetje të një vendbanimi human të vjetër.
  • Burimi i Krumës [22] gjendet pranë Krumës rreth 480 m mbi nivelin e detit. Burimi karstik del ne rrëzën e rrëpirës, në kontaktin gëlqerorë-argjile. Ka prurje 600 l/sec .
  • Gurra e Domajve [23] gjendet afër fshatit Domaj, Has 400 m mbi nivelin e detit. Burimi del në kontaktin litologjiko-tektonik, gëlqerorë-terrigjenorë me prurje 300 l/sec.
  • Burimet e Brrutit [24] gjenden afër fshatit Brrut, 450 m mbi nivelin e detit. Janë vetëm dy burime pasi të tjerët u mbuluan nga liqeni i Fierzës.
  • Pisha e Gjinajve [24] është dru 300 vjeçar, afër fshatit Gjinaj, 740 m mbi nivelin e detit, në formë kërpudhe të kurorës, lartësi 20 m dhe diametër të trungut 1 m.
  • Ahishtja e Likenit të Kuq [25] me një sipërfaqe 12 ha. Është pranë fshatit Likeni i Kuq, 300–370 m mbi nivelin e detit buzë liqenit të Fierzës. Është pyll ahu i zhvilluar shumë më poshtë lartësisë normale të arealit të ahut në vendin tonë dhe kjo e bën të veçantë dhe shumë interesant. Drurët e ahut kanë lartësi 25–28 m, diametër të trungjeve 35–57 m dhe moshë 80-150 vjet.
  • Shpella e Dajçit [26] ndodhet rreth 10 km në lindje të Krumës. Gjendet në lagjen Dajç të fshatit Mujaj. Ka qenë e banuar qysh në epokën e bronzit, hekurit dhe deri në antikitetin e hershëm. Këtë e dëshmojnë objektet e zbuluara në shpellë si: shpata, thika, qeramika etj.
 
Qyteti i Krumës

Gropa e Krumës shtrihet në pjesën qëndrore të Hasit dhe ka origjnë tektonike. Në pamje të përgjithshme ajo ka formën e një amfiteatri të madh natyror, të rrethuar nga relievi gjysëm malor e kodrinor[27] që hapet gjerësisht nga jugperëndimi në luginën e lumit Drin. Ka një sipërfaqe prej 227 km² dhe lartësi mesatare 400–500 m mbi nivelin e detit [28]. Pak më ndryshe është relievi I pjesës veriperëndimore të gropës së Krumës mes fshatrave Helshan e Perollaj ku merr një karakter kodrinor më të theksuar. Shpati juglindor ka një thyerje të menjëhershme të pjerrësisë për shkak të diferencimit litologjik dhe tektonik. Shpati verilindor mes majës së Tregtanit e rrethit të Kasolles, përfaqëson një rrëpirë me thyerje karbonike. Si rezultat I copëtimit intensiv tektoniko-eroziv ai është ndarë në një sërë gropash e lugjesh. Shpati veriperëndimor mes fshatrave Kurpal e Helshan, përfaqëson një reliev të zhvillluar ultrabazik të shkatërruar me ndryshim hipsometrik 200–250 m më poshtë se relievet e zhvilluara karbonike.

Qyteti i Krumës

Redakto

Qyteti I Krumës[29], është një qendër mjaft e vjetër administrative, ish qendër e prefekturës Kosova që nga viti 1920 më vonë qendër e nënprefekturës. Qyteti shtrihet rrëzë malit të Pashtrikut dhe rrethohet nga kodra të gjelbëruara. Eshtë ndërtuar në një terren që luhatet nga 6° deri në 11°, në krahun e djathtë të rrugës nacionale Kukës-Bajram Curri. Ka një plan rregullues të qytetit me sistem rrugor kënddrejtë, me sipërfaqe 150 ha dhe sipërfaqe banimi 60 ha. Qendra zhvillohet në mes të qytetit dhe në të janë të kompozuara ndërtesat social-kulturore e administrative kryesore të rrethit dhe njihet si një zonë me rëndësi të madhe kulturore. Kruma është vendi ku nisi Revolucioni i qershorit pasi më 24/5/1924 Bajram Curri sulmoi forcat e Ahmet Zogut duke shënuar fitoren e parë.

Pllaja e Hasit

Redakto

Ka një sipërfaqe prej 126 km², shtrihet në skajin juglindor të malësisë dhe ka lartësi mesatare 900–1000 m mbi nivelin e detit. Përbëhet nga gëlqerorët dhe dallohet për diferencimin më të madh tektonik në krahasim me njësitë e tjera[28]. Kjo pllajë është modeluar mbi një pllakë karbonike të vendosur mbi shkëmbinjtë ultrabazikë me gjerësi dhe trashësi më të madhe tek maja e Pashtrikut (1989 m mbi nivelin e detit). Dukuria karakteristike e saj është zhvillimi I proceseve karstike duke quar në formimin e formave deri në përmasat e uvaleve. Në verilindje të pllajës ngrihet një reliev gati tipik alpin që përfaqësohet nga kurrizi malor Pashtrik-maja e Kunorës.

Demografia

Redakto

Kërkimet arkeologjike kanë dëshmuar se krahina e Hasit ruan shum dëshmi lashtësie dhe se ka qenë e banuar mjaft herët[30]. Pikat arkeologjike me interes janë pikasur në Dajç ku dallohen qartë tumat si dhe Shpella e Dajçit që mendohet ti përkasë një periudhe mes shekujve III dhe I para erës sonë. Me rëndësi janë 2 kala mesjetare, ajo e Lekë Dukagjinit aty ku derdhet Kruma në Dri dhe kalaja e Kosturit sepse e para lidhet me emrin e një bashkëluftëtari të Skënderbeut sic është Lek Dukagjini. Pjesa më e madhe e popullsisë së sotme të Hasit konsiderohet e ardhur, sepse banorët e hershëm siç duket qenë larguar për shkaqe nga më të ndryshmet përfshirë edhe proçesin e myslimanizimit. Këta banorë u terhoqën më në thellësi të vendit, në Mirditë,Mat, Dibër po edhe brigjet e detit Adriatik. Banesat në Has kanë qenë zakonisht të tipit kullë. Për cilësite e banorëve të Hasit kemi një të dhënë të vitit 1911 nga frati Franceskan MIhaevise I cili shkruan: “Njerëzit e kësaj krahine janë fenomenalë, kryelartë dhe të vrazhdë, ndonëse janë tmerrësisht të varfër, janë me shtat të hedhur dhe sy të zjarrtë, ballet e lartë e mustaqe përdredhur. Krahina e Hasit pavarësisht ndryshimeve të vogla është një njësi etnografike mendjenaltë me një unitet etnokulturor si në fushën e kulturës, materiale dhe atë të besimit.

Strehimi i Shqiptareve nga Kosova në zonën e Hasit

Redakto

Në mesin e prillit 1999 Hasi kishte më pak se 22000 banorë, 4942 familje dhe mbi 23000 banorë të dëbuar nga trojet e tyre etnike në Kosovë. Më shumë se 20000 banorë u strehuan në familjet hasjane dhe vetëm një pjesë e vogël u strehua në qendra kolektive e kampe si në xhaminë e Krumës 1000 njerëz, në mjediset e ish pularisë dhe në kampin e ngritur në komunën Fajza nga qeveria franceze. Konkretisht në rrethin e Hasit me 15 prill 1999 gjendja ishte si më poshtë:

  • Bashkia Krumë numëronte 1016 familje dhe 6500 banorë nga Kosova të strehuar.
  • Komuna Golaj numëronte 693 familje dhe 8393 banorë nga Kosova të strehuar.
  • Komuna Gjinaj numeronte 93 familje dhe 1163 banorë nga Kosova të strehuar.
  • Komuna Fajza numëronte 340 familje dhe 2000 banorë nga Kosova të strehuar.

Qendrat kolektive në rrethin e Hasit në këtë periudhë kishin mbi 3500 banorë të shpërngulur dhe sipas situatës konkrete në të gjithë rrethin kishte mbi 23000 banorë të shpërngulur nga Kosova [31].

Demografia ne vitet 2001-2005

Redakto

Sipas Instat në vitin 2001 popullsia totale ishte 19660 banorë nga të cilët 49.3% ishin meshkuj (9686 meshkuj) dhe 50.7% femra (9974 femra) me llogaritje 97 meshkuj për 100 femra. Popullsia e Hasit paraqitej kryesisht fshatare me 16445 banorë që jetojnë në fshat 84.6% dhe 3215 banorë që jetonin në qytet 16.4%. Në vitin 1989 popullsia numërohej 21881 banorë dhe pritej që në vitin 2000 të ishte 27834 por për shkak të emigrimit masiv popullsia jo vetëm që nuk ishte rritur por kishte rënë në 19660 banorë. Dendësia llogaritej në 50.2 banorë per km². Numëroheshin 578 lindje në vit dhe 71 vdekje me një shtesë rreth 507 banorë. Lindshmëria ishte 29.4 për 1000 banorë dhe vdekshmëria 3.61 për 1000 banorë që do të thotë një shtesë natyrore prej 25.79 për 1000 banorë[32]. *Në 2005 popullsia e rrethit të Hasit ishte 21451 banorë.

Censusi 2011

Redakto
  • Në komunën Fajza rezultonin 3491 banorë.
  • Në komunën Gjinaj rezultonin 1106 banorë.
  • Në komunën Golaj rezultonin 6187 banorë.
  • Në bashkinë Krumë rezultonin 6006 banorë.

Popullsia e Hasit ishte 16790 banorë sipas censusit [33]

Referime

Redakto
  1. ^ a b Nexhat Çoçaj (2014), Hasi-Enciklopedi Etnokulturore - Vëllimi II, fq. 8.
  2. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 100
  3. ^ "Ndarja administrative e rrethit te Hasit". Arkivuar nga origjinali më 25 shtator 2020. Marrë më 18 janar 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Hoxha Shefqet,Fjalë e Shprehje nga Krahina e Hasit, Geer Tiranë 2007,ISBN 978-00043-38-52-8 fq.170
  5. ^ Meçaj Nasip, Maxhun Dida, Botimet Toena Tirane 2004, ISBN 99927 1 847 1 , Qarku i Kukësit fq.47
  6. ^ Hoxha Shefqet,Fjalë e Shprehje nga Krahina e Hasit, Geer Tiranë 2007, ISBN 978-00043-38-52-8 fq.166
  7. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq 45.
  8. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.20
  9. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.36
  10. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.37
  11. ^ Meçaj Nasip, Maxhun Dida, Botimet Toena Tirane 2004, ISBN 99927 1 847 1 , Qarku i Kukësit fq.136
  12. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.27
  13. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.33
  14. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq 49.
  15. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq. 105,106,107
  16. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq. ,106
  17. ^ [1],zonat e mbrojtura ne Shqiperi.
  18. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq.23
  19. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 101
  20. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 102
  21. ^ a b Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 105
  22. ^ a b c Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 106
  23. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 107
  24. ^ a b Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 108
  25. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 109
  26. ^ Guidë Mjedisore Turistike,Qendra Integrim dhe Zhvillim Demokratik,Kukes,Adresa Dituria fq. 109
  27. ^ Domi Ali,Të njohim vendlindjen,Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Tiranë 1980. fq.60
  28. ^ a b Gjeografia e Shqipërisë dhe Trevave,Tiranë 2013,ISBN 978-99956-29-88-5 fq.127
  29. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq.156
  30. ^ Hoxha Shefqet,Fjalë e Shprehje nga Krahina e Hasit, Geer Tiranë 2007,ISBN 978-00043-38-52-8 fq.169
  31. ^ Cengu Besmir,Përmasat e mbijetesës,Kukës 2003,NGLB "KOSOVA"-Prizren fq 287-288
  32. ^ Meçaj Nasip,Qarku i Kukësit,Botimet Toena Tirane 2004,ISBN 99927 1 847 1 fq.60,61
  33. ^ [2][lidhje e vdekur],censusi për Qarkun Kukës

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto