Leka III i Dukagjinëve i njohur përgjithësisht si Lekë Dukagjini (~ 1410 – 15 qershor 1481;[1] Lekë trajtë e shkurtër e emrit Aleksandër),[2] ka qenë një anëtar i mistershëm i familjes Dukagjini, bashkëkohës i Skënderbeut.[1] Është pandehur gabimisht si autori i Kanunit, në të cilin janë mbledhur ligjësitë zakonore të Shqipërisë Veriore.[3]

"Lekë Dukagjini" nga Simon Rrota

BiografiaRedakto

Vendlindja e tij mendohet të jetë në Kosovën e ditëve të sotme, në Ulpianë, pranë Lipjanit. Principata e Dukagjinëve shtrihej nga territore që sot janë në Shqipërinë Veriore e vazhdonin deri në Kosovë, me kryeqendrën e dytë të tyre pranë Ulpianës.[4][5]

Deri më 1444 qe pronoiarios i Koja Zaharisë.[6] E mori përsipër parinë e vendit prej të atit Pal Dukagjinit më 1446, i cili me sa dihet vdiq nga apopleksia.[7] Pasi më 1444 vritet Lekë Zaharia,[8] sipas Barletit dhe shumë të tjerë pas tij e vrau Leka,[9] por kronisti Stefano Magno shkruan se qe Nikollë Dukagjini, vetë vasali i Zaharisë, që e kish vrarë zotërinë e tij.[10] Magno shkruan se para se të vdiste, Zaharia la porosi që Danjën t'ia dorëzonte Venedikut.[11]

Dorëzimi i Danjës përvijoi konfliktin mes Nikollës dhe të ëmës së Zaharisë, Boljës, e cila i grishi trupat e Venedikut të merrnin kështjellën.[12][13] Në mars të 1451, Leka së bashku me Bozhidar Dushmanin planifikuan të mësynin Drishtin, zotërim venedikas. Plani u zbulua dhe Bozhidari u shtrëngua të shkonte në mërgim.[14] Në korrik të 1452, Papa Nikolla V ngarkon ipeshkvin e Drishtit, Pal Dushmanin, pajtimin e Dukagjinit me Skënderbeun.[15]

Gjatë inkursioneve osmane ndër vitet 1454-1455, Leka si vasal i Venedikut, mbronte Danjën. Për shkak të disa punëve të dyshimta, Leka e zaptoi me trupat e veta kështjellën më 5 nëntor 1456, duke lënë Rektorin venedikas aty, dhe duke marrë peng të shoqen dhe të bijtë. Venediku rekrutoi menjëherë 200 mercenarë drejt Danjës,[16] komanduar nga Andrea Venier, mbështetur nga Skënderbeu.[17] Më 1457, kur një ushtri osmane kish rrethuar Krujën, venedikasit ia dolën të bëjnë Danjën sërish të vetën.[1] Gushtin e 1457 osmanët kishin pushtuar gjerësisht territoret arbërore, dhe në këtë periudhë Leka u bë me osmanët dhe mori Shatin me ndihmën e tyre. Kjo aleancë bëri që Skënderbeu të bëhej me venedikasit kundër Lekës.[18]

Më 14 shkurt 1458, u nënshkrua një traktat paqeje në Shkodër mes përfaqësuesve të Venedikut dhe vëllezërve Lekës III, Nikollës II, Gjergjit IV dhe kushëririt të tyre të parë, Dragës († 1462; i biri i Nikollës I).[19] Venediku i fali Dukagjinët për krimet që kishin bërë në të kaluarën dhe i priti si miq. Vëllezërit i dhanë kapitenit të Shkodrës, Benedetto Soranzo, ultësirën e quajtur Rogamenia (kund pranë fshatit të Rragamit)[20] me të gjitha banesat e veta dhe zonën e Danjës. Leka i dorëzoi Venedikut edhe kështjellën e Shatit me malin e vet, e cila duhej shkatërruar dhe mos të ndërtohej më. Në këmbim u mbeteshin zotërimet e tjera ndër malet e Shatit, nëpër Zadrimë dhe matanë Drinit si feud kundrejt një interesi vjetor prej dy pishtarëve dyll (20 libra), që duhej dërguar në Venedik. Pas çdo kërkese prej Venedikut apo përfaqësuesve të tyre, Dukagjinët duhet të arrestonin çdo rebel nëpër zotërimet e tyre dhe t'ia dorëzonin venedikasve. Po kështu u zotua edhe pala venedikase.[21]

Por Leka shumë shpejt e prishi paqen me Republikën e Shën Markut, sepse nëntorin e 1458 Venediku e quajti atë bashkë me kushëririn Palin III "renegatë". Siç duket, kishin njohur syzerenitetin e Sulltan Mehmet Fatihut.[16]

Meqë në traktatin e 14 shkurtit 1458 Leka i pranoi me kusht që mos të ishte vartës i Skënderbeut, i cili nuk i pranoi, edhe pse u përfshi në traktativa.[7] Si rrjedhim Leka nuk i ndërpreu marrëdhëniet me Osmanët, Papa Piu II ndërhyri dhe thirri Arqipeshkvin e Tivarit që t'u jepte Lekës dhe kushëririt të tij ferandæ sententiæ,[22] dhe shkishërim në rast se nuk i ndërprenin marrëdhëniet me Osmanët brenda 15 ditëve.[1] Vjeshtën e 1463, proveditori i ri i Venedikut në Arbëri, Gabriele Trevisano u ngarkua me detyrën që të ndante Lekën nga marrëdhëniet me osmanët dhe ta pajtonte me Skendërbeun, gjë që u arrit vitin pasardhës me ndërmjetësinë e Arqipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit. Pasi Papa Piu II vdiq dhe bashkë me të plani i kryqëzatës, Leka muar pjesë në mbrojtjen e Krujës.[1]

Pas vdekjes së Skënderbeut, osmanët pushtuan pjesën më të madhe të Arbërisë. Paria e vjetër ngatërrohej mesvete; vëllezërit Nikolla II dhe Leka III kishin dëbuar të vëllanë Progonin IV, i cili arriti ta merrte trashëgiminë e vet vetëm me anë të ndërhyrjes venedikase.[23] Më 1470 aleati i Venedikut, Nikolla II e mposhti të vëllanë, Lekën që ishte në krahun osman.[24] Më pas marrëdhëniet u kthyen anapolla, Nikolla u bë me osmanët dhe Leka me venedikasit: Nikolla i dërgoi të birin sulltanit, dhe u bë ndër armiqtë më të ethshëm të venedikasve, ndërsa Leka bashkëpunoi me republikën adriatike. Dikur venedikasit ia arritën të bindnin Nikollën të kthehej t'u shërbente atyre. Të dy vëllezërit morën pjesë në luftërat Osmano-Venedikase në atë që sot është Shqipëria Veriore dhe ikën në Venedik pasi u dorëzua Shkodra më 1479.[1]

Pas vdekjes së Fatihut, pati trazime në perandori, gjë që pengoi dërgimin e trupave në rrethimin e Otrantos.[25] Raguzanët u raportojnë aragonezëve se Leka me Nikollën qenë kthyer në Arbëri.[1] Asokohe Gjoni II Kastrioti u përgatit të kthehej në viset arbërore, ku së bashku me trupat e tij iu bashkua kushëriri Kostandin Muzaka si dhe vëllezërit Nikollë e Lekë Dukagjini me një galerë napolitane. Dukagjinët shkuan drejt zotërimeve që kishin patur dhe shkaktuan një kryengritje që bëri Hadëm Sylejman Pashën të dërgonte trupa tjera në ato vise. Situata e krijuar bëri të mundur që Otrantoja nga trupat napolitane më 10 shtator 1481.[25]

TrashëgimiaRedakto

FamiljaRedakto

Më 1447[nevojitet citimi] u martua me Teodora Muzakën, motrën e vogël e Gjon Muzakës.[26] Patën dy djem, Stefanin dhe Nikollën.[19]

KanuniRedakto

Lënda juridike që mbarështonte jetesën në viset malore në veri të Drinit, e mbledhur dhe e kodifikuar nga frati Shtjefën Gjeçovi u botua e titulluar Kanuni i Lekë Dukagjinit. Titulli sugjeroi përfytyrimin kolektiv të një kodi ligjor mesjetar hartuar nga fisniku arbëror.[27][28] Qe zgjedhja editoriale e Gjeçovit për ta titulluar ashtu, por duke përdorur në tekst edhe trajtën e njohur në popull Kanuni i Maleve.[27] Vlora mendon se mveshja është bërë krejt arbitrare, pa asnjë bazë historike.[29] Valentini përcjell se termin Kanuni i Lekës nuk e ka hasur në asnjë burim përpara shek. XIX[30] dhe mendohet të jetë (si dhe Zakoni i Kurbinit që u quajt i Skënderbeut) thjesht konstrukt letrar.[31]

GjâmaRedakto

Historiani Giammaria Biemmi përshkroi në biografinë e tij "Istoria di Giorgio Castrioto",[32] se Leka u kishte përcjellur arbërorëve të tjerë vdekjen e Skënderbeut duke i shqyer rrobat dhe duke i shqyer flokët ("... quarciandosi le vesti, e svellandosi i capelli..."). Në të vërtetë, Leka nuk mund të ishte ndër besnikët e Skënderbeut, pasi ai ishte për një kohë të gjatë armiku i tij.[22]

ToponimiaRedakto

Sipas një artikulli të Tonin Çobanit, përcillet një gojëdhënë që vendlindja e Dukagjinit të ketë qenë Velekinca, e njohur edhe si "Vendi i Lekës".[33]

ReferimetRedakto

  1. ^ a b c d e f g Kaleshi, Hasan (1974). "Dukagjini". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). München. fq. 444–446.
  2. ^ Malcolm, Noel (1998), Kosovo: a short history (në anglisht), New York: New York University Press, fq. 17, ISBN 978-0-8147-5598-3, OCLC 37310785, Lek or Lekë being abbreviated form of Alexander
  3. ^ Reinkowski, Maurus (2005). "Gewohnheitsrecht im multinationalen Staat: Die Osmanen und der albanische Kanun". Rechtspluralismus in der Islamischen Welt: Gewohnheitsrecht zwischen Staat und Gesellschaft (në gjermanisht). 16. Walter de Gruyter. fq. 129. ISBN 9783110184556.
  4. ^ Sellers, Mortimer; Tomaszewski, Tadeusz (2010). The Rule of Law in Comparative Perspective (në anglisht). Springer Science & Business Media. fq. 207. ISBN 9789048137497.
  5. ^ Warrander, Gail; Knaus, Verena (2007). Kosovo (në anglisht). Bradt Travel Guides. fq. 141. ISBN 9781841621999.
  6. ^ Božić, Ivan (1979), Nemirno pomorje XV veka (në serbisht), Beograd: Srpska književna zadruga, fq. 291, OCLC 5845972, велики пронијари Павле и Лека Дукађини
  7. ^ a b Malaj, Edmond (2017). "Dukagjinët gjatë Mesjetës" (PDF). Studime historike (1–2): 17.
  8. ^ Schmitt, Oliver Jens (2001), Das venezianische Albanien (1392-1479) (në gjermanisht), München: R. Oldenbourg Verlag GmbH München, fq. 300, ISBN 3-486-56569--9, In ein Aktenstück von Januar 1445 inseriert ist eine Urkunde des Skutariner Grafen Francesco Querini vom 18. Septembar 1443, in der Lekas witwe Bozha, seiner Tochter Bolja und derren sohnchen Koja einge Dorfer aus Lekas baština und eine pension...
  9. ^ Andoni, Ben (27 mars 2007). "Në trojet e Lekë Zaharisë". zemrashqiptare.net. Marrë më 7 janar 2021.
  10. ^ Božić, Ivan (1979), Nemirno pomorje XV veka (në serbisht), Beograd: Srpska književna zadruga, fq. 364, OCLC 5845972, Никола Дукађин убио је Леку Закарију. Према млетачком хроничару Стефану Мању убио га је "у битки" као његов вазал. Мада Барлеције погрешно наводи да је убиство извршио Лека Дукађин
  11. ^ Božić 1979, p. 364.
  12. ^ Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar. Tiranë: Toena. fq. 407. ISBN 9789992716229.
  13. ^ Fine, John Van Antwerp (1994), The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest (në anglisht), University of Michigan Press, fq. 557, ISBN 978-0-472-08260-5
  14. ^ Schmitt 2001, p. 308. "Die eigene Herrschaft im Norden war nicht ungefährdet, wie die Aufdeckung eines Anschlags Božidar Dushmans und Leka Dukagjins gegen Drivasto erwies (Marz 1451),.."
  15. ^ Spomenik (në serbisht). 95–97. SANU. 1942. fq. xv. Рим, јули 1452: Папа Никола V шаље Павла Душмана, бискупа у Дривасту, да изравна спор између Скендербега и Дукађина
  16. ^ a b Johann Gottfried Gruber, Johann Samuel Ersch (1868). Allgemeine Encyklopädie der Wissenschaften und Künste (në gjermanisht). Leipzig: Hermann Brockhaus. fq. 135.
  17. ^ Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 461. ISBN 978-1-78076-431-3. Ten years later, with the support of Scanderbeg, he led Venetian forces against the Dukagjini family for control of the fortress of Dagno
  18. ^ Gruber & Ersch 1868, p. 174.
  19. ^ a b Petta, Paolo (2000). Despoti d'Epiro e principi di Macedonia. Esuli albanesi nell'Italia del Rinascimento (në italisht). Lecce: Argo. fq. 205. ISBN 88-8234-028-7.
  20. ^ Schmitt, Oliver Jens (2009). Skanderbeg, Der neue Alexander auf dem Balkan (në gjermanisht). Regensburg: Friedrich Pustet. fq. 141. ISBN 978-3-7917-2229-0.
  21. ^ Predelli, Ricardo (2012). I libri commemoriali della Republica di Venezia: Regestri (në italisht). V. Cambridge University Press. fq. 132. ISBN 978-1-108-04323-6.
  22. ^ a b Petta 2000, p. 204.
  23. ^ Gruber & Ersch 1868, p. 157.
  24. ^ Petta 2000, p. 218.
  25. ^ a b Akademia e Shkencave e Shqipërisë 2002, pp. 473-474.
  26. ^ Jurlaro, Rosario (1971). I Musachi, despoti d'Epiro (PDF) (në italisht). Bari: Edizioni del Centro Librario. fq. 54.
  27. ^ a b Bardhoshi, Nebi (2016). Antropologjia e Kanunit. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 119–120. ISBN 978-9928-185-38-9.
  28. ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 30. ISBN 9781845112875.
  29. ^ Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Amelie (2010) [1955-56]. Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri. 1. Tiranë: 55. fq. 62. ISBN 978-99943-56-83-6.
  30. ^ Studime Historike. 9. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSH., Instituti i Historisë. 1972. fq. 107–110.
  31. ^ Martucci, Donato (2017). "Le consuetudini giuridiche albanesi tra oralità e scrittura". Palaver (në italisht). 2. fq. 73–106. ISSN 2280-4250.
  32. ^ Biemme, Giammaria (1756). Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh (në italisht). Brescia: Giammaria Rizzardi. fq. 479.
  33. ^ "Lekë Dukagjini, pinjolli i fundit i Dukagjinasve: Njeriu i Kanunit". velekinca.20m.com. 2 janar 2011. Marrë më 8 janar 2021.