Hermionë Xhin Granxher është një personazh në serinë Harry PotterJoanne K. Rowling. Ajo së pari shfaqet në Harry Potter dhe Guri Filozofal, si një nxënëse e re në rrugën e saj për në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. Pasi Harri dhe Roni e shpëtojnë atë nga një përbindesh mali në banjën e vajzave, ajo bëhet shoqe e ngushtë me ta dhe shpesh përdor zgjuarsinë, shkathtësinë e kujtesës dhe njohuritë e saj të shumta për të ndihmuar në situata të rrezikshme. Rowling është shprehur se Hermiona i ngjan asaj, me pasigurinë dhe me frikën e dështimit që e karakterizonte atë vetë kur ishte e re.[1]

Hermionë Grenxhër
Personazh nga Harry Potter
Krijuar ngaJ. K. Rowling
Luajtur ngaEmma Watson
Informacione
Bashkshortja(et)Ron Uezli
FëmijëtRoza Grenxhër-Uezli (bija)
Hugo Grenxhër-Uezli (biri)

Personazhi ka pasur një popullaritet të jashtëzakonshëm. Hermiona, e cila portretizohet nga Emma Watson në të tetë filmat e Harri Poterit,që nga Harry Potter dhe Guri Filozofal më 2001 deri te Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes Pjesa e Dytë, në vitin 2011, u votua si personazhi më i mirë femër i filmave të gjitha kohërave në një sondazh të kryer nga profesionistët e Hollivudit The Hollywood Reporter më 2016.[2]

Karateristikat e personazhit

Redakto

Hermionë Xhin Granger është një Grifart e lindur në nje familje babanacësh, e cila bëhet shoqe e ngushtë me Harri Poterin dhe Ron Uezlin. J. K. Rowling deklaron se ajo ka lindur më 19 shtator 1979 dhe ishte përafërsisht dymbëdhjetë vjeç kur filloi te shkollohej në Hoguorts.[3] Ajo shkëlqen akademikisht dhe është përshkruar nga JK Rowling si një personazh "shumë logjik, i drejtë dhe i mirë".[4] Rowling shton se prindërit e Hermionës, dy dentistë babanacë janë pak të befasuar nga vajza e tyre "e çuditshme" por,në të njejtën kohë ndihen shumë krenarë për të.[5] Ata janë në dijeni te ekzistencës së botës së magjisë dhe kanë vizituar Diagon Allinë me të. Fillimisht, Hermiona ishte menduar të kishte një motër por motra e planifikuar nuk u shfaq në romanin e parë Harry Potter dhe Guri Filozofal dhe, siç vuri në dukje Rowling, "ishte shumë vonë" për të prezantuar personazhin pas gjithë kësaj kohe. Në një intervistë të vitit 2004, Rowling konfirmoi se Hermiona është fëmijë i vetëm.[6]

Rowling e përshkruan personazhin e Luna Lovëgudit si "anti-Hermiona" duke qenë se ato janë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. "Pengesa" më e madhe e Hermionës në Hoguorts është Pansi Parkinsoni, një personazh tallës që ilustron vajzat te cilat e ngacmonin autoren gjatë kohës kur ajo ishte shkollë.

Personazhi i Hermionës mbart disa ndikime autobiografike - deklaron Rowling. "Nuk ishte qellimi im ta bëja Hermionën të më përngjaste kaq shumë por... ajo është njêsoj si unë kur isha e re". Ajo sjell ndër mend që në rininë e saj, është quajtur shpesh një "person që di gjithçka"(në formë tallëse). Për më tepër, ajo shprehet se "ka shumë pasiguri dhe një frikë të madhe për dështim" nën famën e zhurmshme të Hermionës, njësoj si për veten e saj. Së fundmi, sipas Rowling, për sa i përket diturisë së tij të gjithëanshme, pas Albus Urtimorit, Hermiona është personazhi i përsosur që di gjithçka dhe gjithmonë mund të përdoret si një udhërrefyese për të shpjeguar boten e Harri Poterit.[7] Rowling shprehet gjithashtu se ndërgjegjja e saj feministe shpëtohet nga Hermiona, "që është shtriga më e zgjuar e epokës së saj" dhe është një "karakter femëror shumë i fortë".[8]

Emri i parë i Hermionës është marrë nga një personazh në “The Winter's tale ” të Uiliam Shekspirit megjithëse të dy personazhet nuk kanë lidhje fare me njeri tjetrin.[9] Rowling tha se ajo dëshironte që emri i saj të ishte i pazakontë pasi sa më shumë vajza të quheshin si ajo, aq më pak prej tyre do të perlesheshin për të, dhe rezultoi se "dy dentistë profesionistë, të cilët donin të provonin zgjuarsinë e tyre, i vunë asaj një emër të pazakontë të cilin shumë pak veta arrinin ta shqiptonin".[10] Mbiemri i saj në fillim ishte "Puckle", por sipas Rowling ky mbiemër "nuk i përshtatej asaj", dhe kësisoj ne libra dhe në filma u vendos mbiemri "Granxher",i cili ishte një mbiemër më serioz.

Shfaqjet në filma

Redakto

Harry Potter dhe Guri Filozofal

Redakto

Hermiona fillimisht shfaqet në filmin Harry Potter dhe Guri Filozofal kur takon Harrin dhe Ronin në ekspresin e Hoguortsit, ku ajo vë në lojë Ronin për paaftësinë e tij për të bërë magji dhe për ta kthyer miun ne ngjyrë te verdhë. Ajo iu rrëfen atyre se i ka mësuar përmendësh të gjithë librat e shkollës dhe përdor formulën magjike "occulus repario" për të ndrequr syzet e thyera të Harrit, dhe për të treguar në këtë menyrë sa shumë njohuri ka nxënë. Për shkak se ajo vazhdimisht i bezdis bashkëmoshatarët me njohuritë e saj të shumta, në fillim Harri dhe Roni e konsiderojnë arrogante, veçanërisht pasi ajo kritikon përpjekjen e Ronit për yshtjen e ngritjes ne ajer. Ata kanë një mospëlqim të thellë për të deri, në momentin kur e shpëtojnë nga një përbindesh mali (troll) në banjën e vajzave gjatë festës së Halloween-it, gjë për të cilen ajo iu është aq mirënjohëse saqë gënjen përpara profesoreshës MekGur për t'i mbrojtur ata të dy nga ndëshkimi, duke fituar kështu miqësinë e tyre. Logjika e Hermionës më vonë i mundëson treshes zgjidhjen e enigmës që është thelbësore për marrjen e Gurit Filozofal, gjithashtu ajo mposht bimën "Kurthi i Djallit" duke thirrur magjinë e rrezeve të diellit.

Hermiona është ajo që drejton planin për të hyrë në vendin ku është fshehur Guri Filozofal. Ajo i beson paralajmërimeve të Harrit për profesor Pitonin dhe është po aq dyshuese sa ai për të. Ajo i tregon Harrit dhe Ronit që bën mjaft kërkime në bibliotekë gjë që e ndihmon atë të mposhtë "Kurthin e Djallit" dhe të praktikohet me mësimet e Shurupeve.

Rowling u shpreh në faqen e saj të internetit se ajo i bëri ballë kërkesave të redaktorit të saj për të hequr skenën e trollit, duke vënë në dukje se "Hermiona është aq shumë arrogante dhe e bezdisshme në fillim të Harry Potter dhe Guri Filozofal saqë e ndjeja se në të vërtetë duhej diçka e madhe për ta miqesuar atë me Harrin dhe Ronin."

Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave

Redakto

Hermiona, (së bashku me nënën e Ronit, Moli Uezli dhe disa studentë në Hoguorts) ushqejnë një simpati për mësuesin e lëndes "Mbrojtja Kundër Arteve të Errëta", Xhilldroi Lokhart, duke qenë se ai është autori i të gjithë librave për lëndën e Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta në Harry Potter dhe Dhoma e të Fshehtave. Një mëngjes, gjatë një përballjeje midis ekipeve të Kuidiçit të Grifartit dhe Gjarpërblertit, gati pason një përleshje, pasi kur Hermiona mbron ekipin e Kuidiçit te Grifartëve, Drako Mallfoi e quan atë "Gjakpërzier", i cili është një epitet shumë fyes për magjistarët e lindur nga prindër babanacë. Ajo arrin të pergatisë "Shurupin Shumëlëngjesh" që i duhet treshes për t'u maskuar si shokët e Drako Mallfoit, në mënyrë që të mbledhin informacione rreth trashëgimtarit të Gjarpërblertit i cili ka rihapur Dhomën e të Fshehtave. Sidoqoftë, ajo e ka të pamundur ti bashkohet Harrit dhe Ronit në hetim pasi fija e flokut të studentes së Gjarpërblertit, Milicent Bulstrod e cila ka ngelur në rrobat e Hermionës nga përleshja që ajo pati me të gjatë orës mësimore për Duelet të Lokhart-it, në të vërtetë ishte e maces së saj, dhe në këtë mënyrë Hermiona merr pamjen e maces dhe duhen disa javë që efekti i shurupit të tërhiqet plotësisht. Pas identifikimit me sukses të krijesës përmes hulumtimeve në bibliotekë, Hermiona nguroset nga Bazilisiku. Megjithëse ajo qëndron e pavetëdijshme në infermierinë e shkollës, informacioni që ajo ka gjetur është thelbësor për zgjidhjen me sukses të misterit të Dhomes se të Fshehtave nga Harri dhe Roni. Pasi Harri vret Bazilisikun, Hermiona çnguroset, por, ajo nuk e pret mirë lajmin kur mëson se të gjitha provimet e fundvitit janë anuluar si një shpërblim nga shkolla.

Harry Potter dhe i Burgosuri i Azkabanit

Redakto

Hermiona blen një mace me emrin Kërcigrep , e cila vazhdimisht ndjek miun Kore të Ronit. Para fillimit të semestrit, Profesoresha MekGur i jep fshehurazi Hermionës një Kohëkthyes, pajisje e cila i mundëson asaj të kthehet në kohë dhe të arrije t'i ndjekë të gjitha orët e shumta mësimore. Një tension i madh hyn në lojë midis Hermionës dhe dy miqve të saj më të mirë; Harry është i zemëruar me të, sepse ajo i tha MekGur-it se ai kishte marrë dhuratë nga një i panjohur një bisht fshese të llojit "Shigjeta e Zjarrtë", e cila iu konfiskua për tu inspektuar për gjurmë të magjisë së errët. Roni është i zemëruar sepse ai ndjen se macoku i saj, Kërcigrepi është përgjegjës për zhdukjen e miut Kore, ndërsa Hermiona dëshmon ashpër se Kërcigrepi është i pafajshëm.

Ndërsa po zëvëndësonte Remus Lupinin në një ore mesimore të Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta, Pitoni e etiketon Hermionën si "një të padurueshme qe di gjithcka" dhe i heq pikë Grifartëve pasi ajo i përgjigjet pa leje pyetjes së profesor Pitonit duke përshkruar një ujk të egër kur askush tjetër nuk e di përgjigjen. Ajo arrin të zbulojë sekretin e profesor Lupinit pasi mbaroi detyrën e shtëpisë që Pitoni i kërkoi klasës të bënte. Kërcigrepi arrin të vërë në dukje se miu Kore i Ronit ,është në të vërtetë Piter Pavleri, një magjikafshë dhe njëkohësisht mik i Xhejms dhe Lili Potter i cili natën e vrasjes së tyre, i tregoi Fluronvdekjes, vendndodhjet e tyre dhe ia atribuoi fajin Sirius Blekut, (i cili ishte nuni i Harrit). Me anë të Kohëkthyesit, dhe Hipogrifit "Sqepfortë", Harri dhe Hermiona arrijnë ta shpëtojnë Siriusin, para se ta rikthenin në Azkaban.

Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit

Redakto

Hermiona është e tmerruar nga mënyra sesi magjistarët i shfrytëzojnë Xhuxhët Shtëpiakë dhe ndërmerr një nismë si një përpjekje për të fituar të drejtat themelore për ta. Ajo bëhet partnerja e mrekullueshme e lojtarit bullgar të Kuidiçit, Viktor Krumit në ballon e "Turneut të Tre Magjistarëve". Ajo përpiqet ti mësojë Krumit se si të shqiptojë emrin e saj, e cila nuk ishte një gjë e lehtë. Më vonë ajo ka një zënkë me Ronin, pasi ai e akuzon atë për "miqësi me armikun" duke qenë se Krumi vinte nga shkolla Durmstrang. Në libër, ndjenjat e Hermionës ndaj Ronit vihen në dukje kur ajo i thotë se ai nuk arriti kurrë ta shikonte atë "si një vajzë", por Krumi mundi. Ajo e mbështet Harrin në "Turneun e Tre Magjistarëve", duke e ndihmuar atë të përgatitet për secilën sfidë. Në fund të sfidës së dytë, Krumi kërkon asaj që ta vizitojë atë gjatë verës në Bullgari, por ajo me mirësjellje refuzon. Pranë mbarimit të afatit, ajo demaskon gazetaren mashtruese Rita Skiter, e cila ishte një Magjikafshë, dhe gjatë Turneut ,kishte botuar materiale jo të vërteta për të, Harrin dhe Hagridin, dhe e mban atë të mbyllur në një kavanoz në formën e saj si Magjikafshë.

Harri Potter dhe Urdhri i Feniksit

Redakto

Në vitin e pestë, Hermiona dhe Roni zgjidhen prefektë te Grifartit. Hermiona miqësohet me Luna Lovëgudin. Ajo gjithashtu nis një konflikt me Livanda Brounin për besimin e pretendimeve të gazetës "E përditshmja e Profetit" që Harri e trilloi historinë e kthimit të Fluronvdekjes. Edhe pse e kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke u grindur, me gjasë për shkak të rritjes së ndjenjave romantike ndaj njëri-tjetrit, Roni dhe Hermiona tregojnë besnikëri të vazhdueshme ndaj Harrit. Më vonë, profesoresha e re dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Magjisë, Dolores Umbrixhi përpiqet të ndalojë Kuidiçin në Hoguorts. Kjo përpjekje bëhet e zjarrtë ndërkohë që intervista e Harrit për kthimin e Fluronvdekjes përhapet shpejt nëpër shkollë. Duke qenë se Umbrixhi, e cila ishte mësuesja e lëndes së "Mbrojtjes Kundër Arteve të Errëta", i detyronte ata vetëm të merrnin shënime dhe nuk i vinte të praktikonin magjinë, Hermiona hedh idenë e krijimit të nje grupi që do të stërviteshin nga Harri në mënyrë të fshehtë për Magjitë Mbrojtëse. Hermiona merr një përgjigje pozitive nga një grup i madh studentësh dhe formohet një grup i quajtur Ushtria e Urtimorit. Ajo është e përfshirë në betejën në Departamentin e Mistereve ne Ministrinë e Magjisë dhe plagoset nga një magji prej Hamortit Anton Dolohov.

Harri Potter dhe Princi Gjakpërzier

Redakto

Profesori i ri i Shurupeve Horas Brikërmilli e fton Hermionën për t'iu bashkuar grupit të tij të "Të Përzgjedhurve", gjithashtu ajo ndihmon Ronin të ruajë vendin e tij në ekipin e Kuidiçit të Grifartit, duke i bërë një magji hutuese Kormak MëkLagenit, në kohën kur po zgjidheshin anëtarët e skuadrës, që në këtë mënyrë ai të humbte ekuilibrin në portë gjatë lojës. Ndjenjat e Hermionës për Ronin vazhdojnë të rriten dhe ajo vendos ta ftojë atë në festën e Krishtlindjeve të organizuar nga Brikërmilli, por ndërkohë ai po përjeton një romancë me Livanda Brounin, të cilën e përdor dhe si hakmarrje për faktin se Hermiona e kishte puthur Viktor Krumin vite më parë. Kështu që ajo merr MekLagenin në festën e Krishtlindjeve, por plani i saj shkon keq kur ai përpiqet ta puthë dhe ajo e braktis atë në mes të festës. Roni dhe Hermiona grinden vazhdimisht me njëri-tjetrin (Roni është i mërzitur me të sepse ajo i yshti zogjtë që ta sulmonin pasi e pa duke u puthur dhe Livandën; Hermiona është shumicën e kohës e acaruar për shkak të xhelozisë së saj që rritet dita-ditës) derisa Roni pëson një helmim fatal nga ujëmjalti i helmuar, gjë që e frikëson mjaftueshëm atë saqë ato pajtohen. Pas vdekjes së Urtimorit, që të dy Roni dhe Hermiona zotohen të qëndrojnë me Harrin ne misionin e tij pavarësisht gjithckaje. Në libër nënkuptohet një "rivalitet" i vogël në lëndën e Shurupeve midis Hermionës dhe Harrit sepse Hermiona është mësuar të jetë gjithmonë e para e klasës ne lëndët shkollore dhe ajo zemërohet kur Harri ia kalon asaj në mënyrë të pamerituar duke marrë udhëzime të shkruara në faqet e librit nga pronari i tij i mëparshëm. Gjithashtu, Hermiona është e vetmja nga treshja që kalon me sukses provimin e Trupëzimit (Roni dështoi, megjithëse për pak, ndërsa Harri ende nuk e kishte mbushur moshën qe ishte kriter për Trupëzimin).

Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes

Redakto

librin e shtatë dhe të fundit, Hermiona e shoqëron Harrin në misionin e tij për të shkatërruar Horkruksët e mbetur të Fluronvdekjes. Para se të largohej nga shtëpia e saj, për sigurinë e tyre, ajo ushtron mbi prindërit e saj shortinë e kujtesës, duke i bërë ata të mendojnë se janë Wendell dhe Monica Wilkins, ambicia e të cilëve gjatë gjithë jetës ka qenë që një ditë të transferoheshin në Australi. Në këtë menyrë ata do të ishin të sigurt nëse Hamortët e gjenin shtëpinë e saj. Urtimori i ka lënë asaj trashëgimi kopjen e tij të librit "Rrëfenjat e Bardit Bidëll" gjë qe e ndihmon atë të deshifrojë disa nga sekretet e "Dhuratave të Vdekjes". Ajo u përgatit udhëtimin e tyre duke i bërë një shorti zgjerimi "Çantës së saj të vogël me rruaza" në mënyrë qe të vendoste në të, të gjitha gjërat që do t'ju duheshin gjatë udhëtimit. Magjia e Hermionës e shpëton atë dhe Harrin nga Lordi Fluronvdekje dhe gjarpri i tij Nagini në "Gufallën e Godrikut" megjithëse padashje ajo thyen shkopin magjik të Harrit. Kur ajo, Roni dhe Harri kapen nga Kërkuesit, të cilët janë nën urdhrat e Ministrisë për të kapur të lindurit Babanacë, Hermiona me një shorti shpërfytyruese, e shpërfytyron përkohësisht fytyrën e Harrit me qëllim që ata të mos e njohin kush është. Ajo gjithashtu përpiqet të personifikojë veten si ish-studentja e Hoguortsit, Penelope Clearwater për të shmangur persekutimin, por fatkeqësisht ata njihen nga Kërkuesit dhe dërgohen në Vilën e Mallfonjve. Bellatriks Lestrejnxh e torturon atë me "Mallkimin Kruçiatus" në përpjekje për të marrë vesh se si Hermiona, Harri dhe Roni arritën të merrnin Shpatën e Godrik Grifartit (që supozohej të ishte e sigurt në kasafortën "Lestrejnxh" në Bankën Gringots). Belatriksi kërkon që qipulli Griphuk, të inspektojë shpatën dhe të vërtetojë nëse është e rreme apo e vërtetë. Për të shpëtuar Hermionën, Harri e bind qipullin që ta gënjejë Bellatriksin për vërtetshmërinë e shpatës. Ndërkohë që të tjerët ia kanë dalë të shpëtojnë nga qelia ku ishin mbyllur, Belatriksi i kërcënon Harrin dhe Ronin se do ta vriste Hermionën ndërkohë që mban një thikë drejtuar fytit të saj. Në fund, Harri, Roni, Hermiona dhe të burgosurit e tjerë që mbahen në Vilën Mallfoi, shpëtohen nga Dobi .

Më vonë Hermiona përdor Shurupin Shumëlëngjesh për tu dukur si Bellatriksi kur treshja shkon të marrë Kupën e Helga Baldoskuqit nga Banka Gringots. Ajo, Harri dhe Roni bashkohen me Ushtrinë e Urtimorit në Betejën e Hoguortsit, gjatë së cilës Hermiona shkatërron Kupën e Bladoskuqit në Dhomën e Sekreteve me një dhëmb Bazilisiku, duke shkatërruar kështu një Horkruks tjetër. Gjatë kësaj kohe, Hermiona dhe Roni ndajnë puthjen e tyre të parë. Në betejën e fundit në Sallën e Madhe, Hermiona me ndihmën e Xhinit dhe Lunës lufton Bellatriksin. Sidoqoftë, të treja ata nuk e përmbushin këtë pasi Moli Uezli i urdhëron ata të largohen dhe e vret vetë Belatriksin.

Epilogu dhe jeta e mëvonshme

Redakto

Nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Fluronvdekjes, Hermiona dhe Roni kanë dy fëmijë, Roza dhe Hugo. Megjithëse epilogu nuk e qartëson se Hermiona dhe Roni janë martuar, artikuj dhe burime të tjera lajmesh e konsiderojnë këtë një fakt. Dy fëmijët mbajnë emrat Roza Granxher-Uezli dhe Hugo Granxher-Uezli.

Karakterizim

Redakto

Emma Watson, është aktorja që ka portretizuar Hermionën në të tetë filmat Harry Potter. Mësuesja e teatrit në Oksford e Watsonit, ua sugjeroi emrin e saj agjentëve të stafit të Harry Potter dhe Guri Filozofal, e impresionuar nga aktrimi i saj në shfaqjet e shkollës. Megjithëse Watson e mori seriozisht audicionin e saj, ajo "kurrë me të vërtetë nuk mendoi se kishte ndonjë shans" për ta marrë rolin.[11] Prodhuesit u mahnitën nga vetëbesimi i Watson dhe ajo "mundi" mijëra vajzat e tjera që kishin aplikuar.[12]

Rowling vetë e ka mbështetur shumë Watsonin që pas shfaqjes së saj të parë në ekran. Kur e pyetën nëse ajo mendonte se aktorët i përshtaten personazheve, Rowling tha: "Po, plotësisht. Në veçanti Emma Watson ishte njësoj si Hermiona. E dija që ajo ishte e përsosur që pas telefonatës së parë me të."

Referime

Redakto
  1. ^ Rowling, J.K. "Section:Extra Stuff — Hermione Granger" (në anglisht). J.K. Rowling Official Site. Arkivuar nga origjinali më 16 shtator 2008. Marrë më 19 shtator 2008.
  2. ^ THR Staff (9 dhjetor 2016). "Hollywood's 50 Favorite Female Characters" (në anglisht). "The Hollywood Reporter". Marrë më 30 nëntor 2017.
  3. ^ Rowling, J.K. "F.A.Q.: When Hermione arrived at Hogwarts, was she nearly eleven or nearly twelve?" (në anglisht). J.K. Rowling Official Site. Arkivuar nga origjinali më 8 shkurt 2012. Marrë më 9 shkurt 2011.
  4. ^ "J.K. Rowling at the Edinburgh Book Festival" (në anglisht). Accio-quote.org. 15 gusht 2004. Marrë më 23 prill 2007.
  5. ^ "J.K. Rowling's World Book Day Chat" (në anglisht). Accio-quote.org. 4 mars 2004. Marrë më 23 prill 2007.
  6. ^ "J K Rowling at the Edinburgh Book Festival" (në anglisht). Accio-quote.org. 15 gusht 2004. Marrë më 5 shtator 2007.
  7. ^ Mzimba, Lizo (shkurt 2003). "Chamber of Secrets DVD: Interview with Steve Kloves and J.K. Rowling" (në anglisht). Accio-quote.org. Marrë më 1 janar 2011.
  8. ^ "J.K. Rowling's Books That Made a Difference". O, The Oprah Magazine (në anglisht). janar 2001. Marrë më 1 janar 2011. My feminist conscience is saved by Hermione, who's the brightest character. I love Hermione as a character.
  9. ^ "Transcript of National Press Club author's luncheon" (në anglisht). NPR Radio on Accio Quote!. 20 tetor 1999. Marrë më 23 prill 2007.
  10. ^ Rowling, J.K. (1999). "JKR quotes about Names and Naming: Accio Quote! The Largest Archive of J.K. Rowling Quotes on the Web" (në anglisht). Accio-quote.org. Marrë më 10 tetor 2010.
  11. ^ "When Danny met Harry". The Times (në anglisht). UK. 3 nëntor 2001.
  12. ^ Kulkani, Dhananjay (23 qershor 2004). "Emma Watson, New Teenage Sensation!!" (në anglisht). Buzzle. Arkivuar nga origjinali më 29 qershor 2012. Marrë më 3 gusht 2007.

Lidhje të jashtme

Redakto