Ilijas Osmani
Ilijas Osmani lindi në Shipkovicë, në vitin 1954, është një shkrimtar shqiptar.
Shkollimin fillestar dhe atë të mesmin, i kreu në vendlindje dhe Tetovë, Akademinë Pedagogjike në Shkup, ndërsa Fakultetin Filologjik (Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare), në kuadrin e Universitetit të Kosovës, në Prishtinë.
Veprimtaria letrare
RedaktoDisa nga artikujt e tij publicistikë, i firmos nën pseudonimin Kujtim Mani.
Librin e parë me poezi, Lulja e fatit, ia botoi Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në kuadrin e Shtypshkronjës “A.Z. Çajupi” (Tiranë, 1993). Recensentë të këtij vëllimi, për këtë zog me zemër të brishtë, janë dy nga titanët e letërsisë shqiptare: Adriatik Kallulli dhe Abdylazis Islami.
Poezia e Iljaz Osmanit, sipas Kalullit, është “edhe e veçantia, edhe e përgjithshmja, edhe ajo që kuptohet lehtësisht prej shumicës, por edhe ajo që kënaq e komunikon me disa”. Poezia e këtij Zogu me Zemër të Brishtë, sipas një dhëndëri të Shipkovicës (Abdylazis Islami), është impresioniste, e përshkuar me elemente të romantizmit, por në thelb, është poezi moderne. Mënyra e shprehjeve të tij është baraz me pasqyrimin e shpirtit të tij të ndjeshëm ndaj raporteve të jetës, ose raportet e jetës e kanë paraqitur si të tillë.
Rrënjët e lashta të shqiptarizmit, ndërlidhen ngushtë, edhe me botën katolike Duke filluar nga prilli i vitit 1995, Iljas Osmani redakton dhe boton revistën për kulturë, art dhe çështje shoqërore Vlera, duke prezantuar, pos vlerave të shkruara, edhe fotografitë e zmadhuara në ballinë, të do personaliteteve të shquara shqiptare si Dora d’Istria, At Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemali, Josif Bageri, Lasgush Poradeci, Sadudin Gjura, Nënë Tereza, Thoma Kacori, Flora Brovina.
Guximi i tij intelektual, kombëtar dhe konfesional, shkon deri atje saqë boton për herë të parë në këto troje, në faqet e Vlerës, kryevlerat hyjnore të krishterimit : portretin e zmadhuar në kolor, të Shën Mërisë, e shoqëruar me do ikona tjera, vepra të një shqiptari katolik nga Tirana, me të cilin edhe u vëllazëruan, për ua përkujtuar gjeneratave që vijnë, se rrënjët e lashta të shqiptarizmit, ndërlidhen ngushtë, edhe me botën katolike. Libri i dytë i tij mban titullin Hapi sytë. U botua në vitin 2000, në kuadrin e Klubit Letrar ’94, të Tetovës. Është fjala për një përmbledhje prozash të shkurtra shqipe, të cilat i ka vlerësuar lart përmes një eseu të shkëlqyer, dr.
Luan Topçiu, lektor i Gjuhës Shqipe, pranë Universitetit të Bukureshtit. Medaljonet poetike në prozën e Iliaz Osmanit Me vëllimin në prozë “Hapi sytë”, tregime, Klubi Letrar 94, Tetovë 2000, shkrimtari Iliaz Osmani na propozon një formulë të posaçme narrative. Ai provokon format tradicionale dhe konvencionale të rrëfimit dhe ndonëse na fton për të lëçitur tregime na ofron diçka “sui generis”. Autori i këtyre veprave ndodhet në një terren të midisshëm, midis poezisë dhe prozës, mes dëshirës për të rrëfyer dhe asaj për të esencializuar fenomenin, midis sporadikes e spontanes dhe fenomenit universal e të qëndrueshëm. Pikërisht i nisur nga këto dy prirje, që rezultati i secilës do të ishte ose prozë tradicionale ose poezi e mirëfilltë, nga gërshetimi i këtyre tendencave do përftojmë një prozë poetike. Besojmë se ky është dhe shpjegimi teorik i “recetës narrative” të sugjeruar nga prozatori i talentuar Iliaz Osmani. Autori i këtij libri herë shtjellon paradigmën e një fjale, të një ideje, herë ngurtëson një çast, një moment, të zhveshur nga aksesorët e një rrëfimi klasik, duke hequr elementët hyrës, mbyllës apo sqarues. Proza e Iliaz Osmanit, herë merr trajtat e një teksti eseistik, i zhveshur nga elementët e subjektit, herë u mëshon elementeve fragmentare që sjellin, evokojnë dhe rindërtojnë tërësinë. Proza e këtij autori e fton lëçitësin për bashkëpunim, për plotësim të pjesëve mungesore, për pasurim imagjinativ apo ideor. Prozatori dallohet për një shpirt të hollë vëzhgues, posaçërisht në rrafshin psikologjik e veçanërisht në atë psikoanalitik. Medalionet, etydet, skicat, e hartuara nga Iliaz Osmani kanë në qendër të tyre një nyjë psikologjike që zhvillohet me rrafshe psikoanalitikë. “-Kujto një ujëvarë, ashtu, ngjitja sytë asaj. Ndiqe deri në fund të përplasjes, deri të shkuma, disa herë me rradhë, deri sa të të zë gjumi, ose: - Një lëndinë e stërkequr nga dielli dhe sikur një puhizë e lehtë ere e mballon për perëndim bukën e grurit të pjekur, i duhet të ndjekësh me vëmendje, duke i shkaktuar vehtes një qetësim. Këshilla e parë më la përshtypje më të madhe. Ashtu, në vend që vetëm me sy e mendje të shkoj pranë ujëvarës, unë nga përkëdhelja që më shkaktoi kjo, shkova i tëri atje. U afrova afër ujëvarës, mu në kokë të saj, ia ngjita sytë, i laga me ujin hidhërak. Përplasja e ujit më shkaktonte kënaqësinë më të mirë, saqë në fund një dorë dallge më kapi lehtë kokën, qetë më lëshoi me mëshirën më të madhe. Kështu e ndjeva veten në kokël të shpinës mes asaj shkume të bardhë e cila sikur me duar të buta më rrotullonte përreth një shtjelle pambuku” (Gjumi mbi gjemba).
Proza e shkurtër e këtij autori bazohet gjerësisht në asociacionet ideore, vizuale, onirike, duke trajtuar me delikatesë e me një ndjeshmëri të hollë botën njerëzore. Herë i qartë semantikisht, herë hermetik e psikoanalitik duke trajtuar absurdin, herë duke fshikulluar të keqen, herë ironik e herë sarkastik, herë i rrëmbyer nga butësia dhe brishtësia e ndjenjave, herë i zemëruar nga padrejtësitë njerëzore, I. Osmani na jep një gamë të pasur regjistrash të natyrës shqiptare. Pas vëllimit të parë e të suksesshëm poetik “Lulja e fatit”, botuar para disa vitesh në Tiranë, Iliaz Osmani vjen para lexuesit shqiptar me një përmbledhje të prozës së shkurtër. Përpjekjet stilistike të këtij autori nuk zhvillohen në një terren djerrë, por në terrenin pjellor të traditës së prozës së shkurtër shqipe. Nën vazhdën e ndritur të Migjenit, Nonda Bulkës, Anton Pashkut e Zenhulla Rahmanit, Iliaz Osmani na sugjeron një formulë të re e sugjestive dhe moderne, si një bizhuteri plot shkëlqim, të prozës shqipe, të cilën meriton ta lëvrojë edhe më tej.