Sadudin Gjura, lindi në vitin 1926, në fshatin Shipkovicë. Mësimet e para i bëri në fshatin e lindjes, të mesmen në Tetovë, kurse studimet e gjuhës ruse në Shkup. Ai ishte ndër profesorët e parë të Pollogut dhe të Malësisë së Sharrit. Punoi si mësues në shumë fshatra, ndërsa në vitin 1951 vepron si profesor në Normalen e Tetovës.

Në vitin 1952, profesorin e nxjerrin nga mësojtorja dhe prej asaj dite nxënësit nuk e shohin më. Dënohet me 14 vjet burg, por përjetoi vetëm 8 vite nëpër burgjet e errëta dhe kazematet jugosllave të asaj kohe në Idrizovë e Goli Otok. Nga burgu doli i sëmurë psikikisht dhe i paaftë për jetë. Vdekja e tij mbeti enigmatike me dekada. Pas lëshimit nga burgu, gjatë dimrit të madh, humbet në malet e Sharrit. Barinjët e Sharrit e gjejnë kurmin e tij të shformuar dhe të derdhur në qershor të vitit 1962.

Ishte poet dhe dramaturg i martirizuar. Shkroi një grumbull poezishë, por thuajse shumica prej tyre u humbën ose u sekuestruan nga pushteti. Ka shkruar poezinë e gjatë me 50 vargje "Jeta e re e njerëzimit po agon", që e botoi për herë të parë Jeta e Re e Prishtinës, në fillim të viteve 5O-të. Duke i falënderuar dr. Kadir Shabanit nga Shipkovica, të shoqëruar me shënime për autorin, këtë poezi e ribotuam në revistën Brezi 9, para disa vitesh. Nga të afërmit e tij janë ruajtur edhe poezia "Vaj si qenka ba Tetova", "Marshi i normalistit", "Kanga e punëtorit" e tjerë. Sadudin Abdulla Gjura mbet emër letrar i asaj ane, veçmas me dramën "Lalë Bajrami", si dhe me dramat "Fejesa në djep", "Shqipja e malit" dhe "Dervish Cara".

Jetëshkrimi

Redakto

Rrethanat shoqëror-politike në të cilën jetoi dhe veproi Sadudin Gjura përfshinin kthesat e mëdha të shekullit XX për historinë e Ballkanit e më gjërë. Trashëgimia e hartës së coptuar shqiptare përligjet edhe njëherë në nivelet vendosëse botërore. Përpjekjet e shqiptarëve njohin ngritje dhe rënie, por kurrë ndalje. Në këto dimensione duhet të kërkohet edhe vepra e atdhetarit dhe shkrimtarit, Sadudin Gjura.

Sadudin Gjura u lind më 15 mars 1926, në katundin ShipkovicëTetovës. Ishte djali i vetëm i Avdullahut dhe nënës Sedijes. I ati i tij ishte një njeri arsimdashës dhe një fetar i njohur. Ndërkaq, e ëma Sehidja ishte një grua fisnike, mikpritëse, e dashur, mjaft e zgjuar dhe me karakter të fortë.

Sadudin Gjura elementet e para të gjuhës së atëhershme zyrtare serbe dhe katër klasët e para të shkollës i mori në shkollën serbe në vendlindjen e tij. Në vitin shkollor 1936/37, Sadudini regjistrohet në Shkollën e Medreses “Isa Beg” në Shkup, ku ndjek vitin e parë. Klasën e dytë e vazhdon në gjimnazin e Tetovës. Me hyrjen e gjermanëve, italianëve dhe bullgarëve trojet shqiptare administrohen nga këto regjime. Një pjesë e mirë e territoreve shqiptare të Shqipërisë Lindore bashkohen me amën e tyre dhe administrohen nga fashistët italianë ( prill 1941-nëntor 1944). Shqiptarët, të cilët në kohën e Jugosllavisë së Kralit nuk kishin asnjë të drejtë, okupatorët italian i pritën si çlirimtarë. Në mesin e shumë të drejtave që fituan shqiptarët, ishte edhe ajo e shkollimit në gjuhën amtare. Kështu, në korrik të vitit 1941, në Tetovë hapet Kursi për përgatitjen (aftësimin) e nxënësve shqiptarë që të ndjekin shkollimin në gjuhën amtare nëpër shkollat e mesme. Për shkak të largësisë së qytetit, Sadudini vendoset në shtëpinë e axhës së tij, Mulla Jaha në Fushë të Madhe. Me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, në gjimnazin e Tetovës nuk plotësohen kushtet për hapjen e klasave të ciklit të lartë, e me këtë pamundësohet vazhdimi i shkollimit të Sadudinit.

Nga fundi i vjeshtës së vitit 1941, në Prishtinë çelet Shkolla Normale “Naim Frashëri”. Hapja e saj bëri jehonë të madhe dhe u prit me admirim ndër shqiptarë. Babai i Sadudinit vendos ta shkolloj më tej djalin. Nga qyteti i Ohrit e deri në Kumanovë, 17 të rinj shqiptarë regjistrohen në këtë shkollë, në mesin e të cilëve edhe Sadudin Gjura e kushërinjtë e tij Xhelaludin Gjura e Rexhep Sadiku nga Shipkovica, Ismail Saiti dhe Seid Musai nga Tetova, Rahman Besimi nga Piroku, Isni Abdullahu nga Sllatina etj.

Një natë para se të nisen për në Prishtinë, të gjithë këta të rinj bujnë në Shipkovicë tek gjyshja e Sadudinit, e njohur me emrin ”halla Hirqe”. Ishte fundi i nëntorit. Toka kishte pritur borën e parë. Në mëngjes herët, të gjithë këta përmes Malit Sharr shkojnë në Prishtinë, nga se bullgarët kishin vendosur regjimin e vizave në rrugën që kalonte nëpër Grupçin e Shkup. Në Prishtinë, Sadudini ambientohet shpejt. Pos ndjekjes së mësimit, ai interesohet për situatën politike, e përcjell shtypin, lexon beletristikë etj.

Pas prishjes së marrëdhënieve të shteteve të boshtit Berlin-Romë, në fund të qershorit të vitit 1944, Sadudin Gjura ndërpret mësimet dhe kthehet në shtëpi. Mjaft prej këtyre të arsimuarve, me largimin e Bullgarisë, emrohen sekretarë nëpër komunat e Shkupit dhe të Tetovës, ku gjuha shqipe bëhet zyrtare.

Në fillim të vitit 1944, me ardhjen e partizanëve mjaft shqiptarë mobilizohen, ku në mesin e të cilëve edhe dhjetëra shipkovicas, si Sadudin Gjura, Rexhep Sadiku, Bajram Emërllahu, Uzair Uzairi etj. Të gjithë këta i çojnë në qytetin e Kumanovës, ku për disa muaj ushtrojnë artin luftarak. Sadudini tashmë është njeri i informuar mbi relacionet ndërkombëtare. “Pasditeve gjatë kohës së lirë, thotë B.Emërllahu, ai të mobilizuarve shqiptarë u flet për rrethanat politike dhe provon t’u ngrejë moralin luftarak e kombëtar”. Prej mesit të marsit dhe deri kah mesi i muajit prill të vitit 1945, të gjithë këta shqiptarë të rreshtuar në tri eshalone nisin në këmbë marshutën e gjatë Kumanovë, Shkup, Prizren, Kuks, Shkodër, Tivar, Dubrovnik, Rijekë, Trieshtë, e cila përcillet me vrasje masive e malltretime nga shovenstët e çetnikët serb (Tivar) etj. Në eshalonin e tretë mendohet të ketë udhëtuar edhe Sadudin Gjura, eshalon ky që do ta formojë Divizioni i 9-të Dalmatin, pasi për masakrën e Tivarit (në eshalonin e dytë), ata kishin dëgjuar. Pas përfundimit të luftës dhe kryerjes së obligimit ushtarak, Sadudini kthehet në shtëpi.

Pas kthyerjes, Gjura emrohet mësues në disa fshatra të Tetovës; Çellopek, Shipkovicë dhe Pirok. Në vitin 1947, Gjura jep provimet e maturës në Shkollën Normale “Nikolla Karev” në Shkup, ndërkaq në vitin shkollor 1947/48, ai punësohet në fshatin Vrapçisht të Gostivarit. Në këtë shkollë, tregojnë kolegët e tij, Sadudini ishte mësues i vyeshëm, i rregullt dhe në mbledhje të kolektivit kur diskutonte të gjithë kolegët e tij e dëgjonin me një vëmendje të veçantë.

Në vitin shkollor 1948/9, Sadudini fiton bursën e Ministrisë së Arsimit për t’i vazhduar studimet e gjuhës dhe letërsisë ruse në Shkollën Normale “Nikolla Karev” në Shkup. Kjo bursë u jepej arsimtarëve më të dalluar dhe me bindjen, se do ta kryejnë në kohë e me sukses. Gjatë kohës së studimeve në Shkup, ai banon në një dhomë në konvikt me Rexhep Bajramin, Rahman Besimin e Jusuf Skoron. Gjatë studimeve ai dallohet mjaft. Gjuhën ruse e njihte mirë ashtu siç e njihte edhe letërsinë ruse e botërorë. Edhe vitin e dytë të studimeve, Sadudin Gjura e ndjek në Shkup. Ndërkaq, në vitin shkollor 1950/51, Normalja e Shkupit ndahet dhe një pjesë e saj transferohet në Tetovë, në ndërtesën e shkollës fillore “Liria”.

Meqë mungon kuadri, Ministria e Arsimit thërret në Shkup tre shokët e studimeve Sadudin Gjurën, Rexhep Bajramin dhe Rrahman Besimin, ku i njofton për emrimet në Normalen e re në Tetovë. Sadudin Gjurën si njohës i gjuhës e caktojnë profesor të gjuhës shqipe dhe të asaj ruse. Gjatë kohës që jep mësim në normale, ai jep mësim edhe maturantëve të gjimnazit të Tetovës. Sadudini i zotëronte mirë lëndët që i jepte. “Kërkonte rregull e përpikëri, siç ishte vet i rregullt dhe i përpiktë kujton nxënësi tij Hazir Mustafai dhe vazhdon, profesor Sadudin Gjura kërkonte punë dhe mësim, sepse, ai vet punonte në përgatitjen dhe mbajtjen e mësimit. Kujdesej për atë që të sigurojmë shënimet e duhura që të mund të mësojmë, sepse nuk dispononim as me libra, e as me literaturë tjetër plotësuese”.

Sadudin Gjura ishte intelegjent, me një shpirt të pastër dhe me një vizion të qartë. Ai kishte kulturë të gjërë leximi dhe njihej si më i informuari. Lexonte klasikët francez dhe rusë si Viktor Hygon, Balzakun, Tolstoin, Çehovin, Pushkinin, pastaj Aligerin e Homerin etj. Ishte në gjendje që të thotë përmendsh pjesë nga veprat e këtyre autorëve.

Sadudin Gjura i binte kitarës dhe këndonte shumë bukur. Një pjesë të mirë kohës së studimeve e kalonte duke përcjellur operat, baletin, koncertet dhe filmat që jepeshin në Shkup. U miqësua me aktor e përgjegjës të këtyre institucioneve kulturore e artistike. Diskutonte për shfaqjet që jepeshin. Kishte shoqëri me shkrimtarin Venko Markovski, të cilit shpesh ia thoshte poezitë e veta në gjuhën maqedone. Pos gjuhës serbe dhe maqedone Gjura e zotëronte mjaft bukur edhe gjuhën ruse.

Opusi letrar i krijuesit Sadudin Gjura është i vogël, por me peshë në letërsinë shqipe të këtij krahu. Shkrimi i një drame jo vetëm me motive sociale dhe vënia në skenë në kohën, kur plaga e kurbetit kishte mbuluar familje të shumta shqiptare dëshmon për vlerën që kishte një dramë e tillë në atë kohë. Shkrimi i një drame në këtë krahë, në atë kohë është i një rëndësie të veçantë në letërsinë shqipe.

Pos dramës në dorëshkrim “Lalë Bajrami”, Sadudin Gjura ka lënë pas vetes një poezi të gjatë kushtuar kohës së robërisë dhe luftës çlirimtare me titull “Jeta e re e njerëzimit po agon”, dhe disa vargje që shokët e tij i kanë pasë mësuar përmendsh. Gjithashtu, ai ka lënë edhe një Ditar të periudhës 1947-1950, të shkruar gjatë kohës së studimeve. Drama origjinale e “Lalë Bajramit” dhe Ditari i tij ndodhen tek kushëriri i tij, Sabri Ramizi. “Sadudini para se të burgoset ma pat sjellur në fshatin Gjeranicë, ku isha mësues në atë kohë, së bashku me Ditarin edhe dramën “Lalë Bajrami”,” thekson ai. Versioni i botuar i dramës kohë më parë nuk është i Sadudin Gjurës. Ajo kaliografi nuk është e tij. Drama “Lalë Bajrami” është e shkruar me një shkrim shumë të bukur dhe pa gabime.

Sadudini ka shkruar edhe mjaft poezi prej të cilëve njohim shum pak dhe ate kryesisht ata që bashkëkohanikët e tij I patën mësuar përmendsh. Mbase mund të ketë shkruar edhe diçka tjetër, siç kemi pasur rastin të dëgjojmë e lexojmë edhe për disa drama.

Dështimi i realizimit të aspiratave të shqiptarëve pas Luftës së II Botërore, që qenë sanksionuar në kapitullin mbi vetvendosjen edhe në kartën e Atlantikut, Teheranit, Konferencës së Bujanit, por edhe dhuna e terrori që kishte filluar të ushtrohej mbi shqiptarët shtynë që “në fund të vitit 1944, por më qartë aty nga fillimi muajit mars të vitit 1945” të dalin veprimtari ilegale të grupeve atdhetare politike e luftarake në Kosovë, e më gjërë në hapsirat e Shqipërisë Lindore, duke krijuar rezistencën shqiptare. Në një raport të UDB-së rezulton se “në periudhën mars 1945-mars 1947 kanë vepruar 55 grupe e organizata politike ilegale e luftarake të lidhura mes vedi”, në mesin e të cilave edhe Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar i Shkupit (Halim Orana). Në krye të këtyre grupeve dalin njerëz që kanë përkatësi sociale e ideologjike heterogjene dhe me program të Luftës Nacionalçlirimtare Shqiptare Demokratike, e cila synonte të jetësonte programin politik të lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943). Ky organizim ka pasur shtrirje në të gjitha trojet shqiptare”. Detyrë kryesore e këtyre grupeve të armatosura më 1945, ishte të depërtonin në masat popullore dhe në organet e administratës, të pushtetit, të përvetësonin personalitete të rëndësishme dhe të përgatisnin terrenin për puç nga brenda”.

Një njeri i arsimuar dhe i zgjuar si Sadudini, i cili e pa Kosovën e administratës së Italisë fashiste, kishte përjetuar klithmat e të mobilizuarve të mars-prillit të 1945-ës dhe për momentin ndiqte shkollën në Shkup, s’kishte s’i të mos e kishte kuptuar “tradhëtinë që iu bë shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore”, si të mos kishte dëgjuar për dhunën që ushtronin partizanët pas Luftës dhe të mos ishte gjetur në një rreshtim “me rezistencën, me Lëvizjen Popullore Shqiptare”. Sipas disa veprimtarëve Sadudin Gjura kishte qenë anëtarë i NDSH-së ( Sh.Kazazi). Nga qëllimi, forma dhe mënyra e organizimit të Organizatës së tij “Liria” kjo gjë është e mundshme. Edhe Organizata ilegale “Liria” kishte këtë për synim “bashkimin e trojeve shqiptare”. Dr.Muhamet Pirraku duke folur mbi qëllimet e këtyre organizatave thekson se, “Personat e përvetësuar për Luftën gjithshqiptare kundër okupatorit serbosllav formonin komitete e organizata politike me program luftarak demokratik, me detyrë që të udhëheqnin qëndresën dhe luftën e popullit shqiptar për çlirim dhe bashkimin e Shqipërisë etnike”. Organizata ilegale “Liria” sipas njërit prej anëtarëve të saj, Sheref Kazazi “u themelue në fund të vitit 1946, në Tetovë”. Udhëheqës i Organizatës ishte Sadudin Gjura. Anëtarë ishin Sheref Kazazi, Gani Luma, Ismail Seidi etj. Mbledhjet mbaheshin në shtëpitë e anëtarëve të Organizatës dhe drejtoheshin nga Sadudin Gjura. Ai nënvizonte në mbledhje, se “pas Luftës së II Botërore situata na dikton që ne duhet të përgatitemi për kryengritje. Qëllimi i Organizatës sonë është bashkimi i trojeve shqiptare, Shqipërisë”.

Sadudini Gjura e kishte shtrirë dukshëm rrjetin e anëtarëve të Organizatës përmes sistemit të treshit. Organizata ka numruar, diku te 1500 anëtarë, në një shtrirje prej Ohri e deri në Prizren”. Organizata sipas tij kishte ngritur edhe resorët e mbrojtjes, sigurimit, propagandës etj., por nuk i kishte publikuar emrat e drejtuesve të tyre. Sadudin Gjura mendonte që në Oganizatën e tij të rekrutonte sa më shumë njerëz të profesioneve të ndryshme. Qëllimi i tij ishte që të përfitohen njerëzit e pushtetit, të institucioneve e deri te njerëzit e sigurimit. Pas shpërbërjes së grupeve në vitin 1947, një pjesë e drejtuesve të tyre kishin ikur në perendim. Më vonë, Sadudini filloi të kërkojë nga shokët e vet që të “përgatiten dhe të presin, sepse grupet shqiptare, dhe aleate kanë rrethuar Jugosllavinë dhe presin që të hudhen brenda”. Andaj që të maskohet kjo, këta nga brenda duhet t’i japin imazhin sikur populli nga brenda nuk e do regjimin dhe bashkësia ndërkombëtare do ta pranojë luftën e tyre si të drejtë. Lirinë ai e kërkonte me kryengritje dhe luftë. Kjo shihet në poezinë e tij “Jeta e re e njerëzimit po agon” ku ai në mes tjerash thotë: “Në kryengritje thërret nji za e ushton / mas vajit vjetër, po lind një gaz i ri:/ E me gjallni e rreptësi shpirti gufon/sa nis lufta e pritun për liri!” “Kushtrimi i luftës dhe zjarmi mer furi,/ m’beteja t’rrepta përpara ai na prinë”…

Pas disa vitesh, Sadudin Gjura futi në rrjetin e “sistem treshit” edhe të arsimuarit e asaj kohe: Sabri Ramizin nga Shipkovica, Izmit Bajramin nga Liseci, Murat Isakun nga Gajrja, Vebi Lushin nga Tetova etj. dhe bashkëfshatarët e tij shipkovicas, me të cilin u afrua shumë duke e bartur dhe ndarë përgjegjësinë me ta.

Me prishjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe pas Informbirosë, organet e shtetit jugosllav filluan represaljet, maltretimet dhe ngritjen e proceseve gjyqësore ndaj shqiptarëve. Në këtë periudhë kushëriri e djali i tezez së Sadudinit, Xhelaludin Gjura ikën në Shqipëri. Ai hyn e del disa herë në kufirin jugosllavo-shqiptar, duke mbajtur lidhje me banorët e Shipkovicës dhe veçmas me Sadudinin. Nga Shqipëria, Xhelaludini sjell material propagandues si gazeta, broshura etj. Gjatë kësaj kohe Shipkovica dhe fshatrat e malësisë për një kohë të gjatë kontrollohet rreptësisht nga policia. Mjaft njerëz burgosen, familja e Xhelaludinit internohet në Sv. Nikole e Kavadar, nëpër familjet e gjakut të Xhelalit, policia vendoset me familjet e veta duke ndarë dhomat e pakta të tyre.

UDB-ja kishte arritur të inkuadrojë mjaft element të vet në Organizatën “Liria”. Ajo zbulohet dhe drejtuesi i tij, Sadudin Gjura paraburgoset. Paraburgimin e gjatë afro dy vjet e vuan në Idrizovë dhe në Burgun namkeq të Goli Otokut. Nga paraburgimi, Sadudini sëbashku me shokët e tij nxirret para Gjyqit të Qarkut të Gostivarit në Shtëpinë e rinisë në Tetovë. Të 18 anëtarët e Organizatës dënohen në tri grupe, ku procesi gjyqësor i Grupit të parë mbahet më 29 dhe 30 maj 1952. Sadudin Gjura si udhëheqës i grupit dhe organizator dënohet me 14 vjet burg të rëndë dhe tri vjet humbje e të drejtave qytetare prej të cilave i vuan 8 vjet.

Në këtë grup dënohen edhe S. Ramizi (10 vjet dhe 2 vjet heqje e të drejtës qytetare), I. Bajrami (11 vjet), M. Isaku (9 vjet), A. Skenderi (7,5 vjet) dhe V. Lushi (6 vjet). “Nova Makedonija” e 1 dhe 3 qershorit 1952, duke informuar për gjykimin e kësaj Organizate me titujt “Gjykimi në Tetovë i Grupit të spiunëve dhe terroristëve” dhe “U gjykuan terroristët në Tetovë”, shkruan në mes tjerash se “të gjithë këta 6 të akuzuar kishin disponim armiqësor ndaj rendit shoqëror dhe ekonomik të RPFJ, kundër ndërtimit socialist të vendit tonë” dhe vazhdon “Veprimtarinë e tyre armiqësore e përforcuan, veçmas pas paraqitjes së rezolutës së famshme të Informbirosë, kur u lidhën dhe formuan grupin spiun-terrorist”. Për këtë proces gjyqësor shkruan shkurt disa gazeta qeveritare.

Në grupin e dytë u dënuan Sheref Kazazi, Ismail Seidi, Gani Luma, Hisni Abdullahu dhe Zija Roshi, ndërkaq në Grupin e tretë dënohet kryesisht grupi i Shipkovicës: Mulla Jaha, Resul Arifi, Jusuf Selimi, Ibrahim Zeqiri, Beadin Nebiu dhe Xhemail Beqiri nga Reçica. Grupet dënoheshin me një pauzë prej 2-3 javësh në mes. Të gjtihë këta, aktakuza i ngarkonte për veprimtari armiqësore kundër shtetit dhe popullit, “ për përmbysje të pushtetit me forcë, për organizim, për propagandë dhe kundërzbulim”.

Sadudini Gjura, burgun e rëndë e vuan në fillim në Idrizovë dhe më vonë në Goli Otok bashkë me shokët e tij. Ai ishte i pari, të cilin pas një zënke me një të burgosur e fusin në “karcelin pa ajër” të ngritur kohë më pare në Burgun e Idrizovës. Në këtë burg i bie hise të njihej me Metodia Çenton, i cili krijoi një respekt për intelegjencën dhe kulturën e Gjurës. Vite më parë qenë dënuar udhëheqësit e KNDSH-së me vdekje dhe burgje të rënda. Më pas dënohen edhe mjaft të arsimuar të tjerë, të cilët dyshohet të kenë qenë të inkuadruar nëpër organizatat egzistuese në Maqedoni. Këto gjyqe përmes dënimeve të rënda, kërkonin veç tjerash, që të disiplinonin popullin shqiptar në Jugosllavi dhe t’ia shuanin dëshirën për të qenë i lirë.

Më, 29 nëntor të vitit 1959, pas 8 vjet vuajtje dënimi të rëndë, Sadudin Gjura lëshohet nga burgu i çmendur.

Aty kah mesi i marsit të vitit 1960 në një gjendje të rëndë psiqike, ai del nga shtëpia e tij në qytet dhe nuk kthehet më. Më kot presin prindërit, e shoqja Sebija shtazënë dhe djali Fetahu. “Hypi në verandën e shtëpisë dhe i kishte drejtuar sytë faqeve të Malit Sharr që kishin shpinë, Shqipërinë” kujton gruaja e tij Sebija. E kërkuam gjithkah, përveç pjesëve të faculetave me gjak të tij s’gjetëm gjë - vazhdon ajo. Shtatë javë pas Shën Gjergjit, në Qafëbjeshkën e Leshnicës afër kufirit shqiptar e gjejnë kurmin e tij barinjtë e Organizatës së dhenëve “1 Maj”, Mahis Berzati dhe Ibish Ibishi. E varrosin në të njëjtin vend pas dy ditësh, pas një kontrolli të organeve të obduksionit dhe judikaturës. Në nderimin e fundit ishin vetëm babai i tij Avdullahu, kushëriri Mahiri, hoxha i fshatit, dy a tri veta të tjerë, frika dhe mallkimi i fshatarëve.

Në çertifikatën e vdekjes që organet ia lëshojnë familjes së tij, data e vdekjes së Sadudin Gjurës figuron 25 shkurt 1960, ndërkaq që organet e rendit e hasin për të parë herë vdekjen e tij atë ditë që e gjejnë barinjtë, pra gjashtë javë pas Shën Gjergjit d.t.th.diku aty prej 15 deri 20 qershor 1960. Dilema rreth vdekjes së tij ka ekzistuar në popull, pasi rasti nuk u ndriçua apo ndoshta u ndriçua e nuk u publikua. Organet e kriminalistikës një kohë pas vdekjes patën hapur një ekspozitë me fotografi të fushës së tyre. Në mesin e shumë fotografive ishte edhe ajo që paraqiste kurmin e Sadudin Gjurës.

Kështu, në rrethana të pandriçuara mbyllet jeta e njomë, tragjike dhe e dhimbshme e një atdhetari që s’pushoi për asnjë çast për lirinë, arsimin dhe kulturën e popullit të tij. Sadudin Gjura. Ai, vrapoi tërë jetën të kap “agimin e jetës së re të njerëzimit”. Dhe vërtet e kapi, atëherë, kur kaloi në zonën e lirë në mes jetës dhe vdekjes, në çmendi, ku të gjitha kërkesat dhe synimet i realizonte. Rruga e Qafbjeshkës së Leshnicës e dëshmon këtë. Figura dhe vepra e tij në të shkuarën ishte një burim frymëzimi për pasardhësit e tij shipkovicas, tetovarë e më gjërë. Rivlerësimi i tij, sot, është një veprim ndonse i vonuar, mjaft i drejtë, që na bën nder dhe dinjitoz si bashkombas të tij. Këto aktivitete kushtuar atij, janë njëherit edhe një rehabilitim e nxjerrje nga një ekskomunikim i paparë, të cilin atdhetari, shkrimtari e arsimtari Sadudin Gjura nuk e ka merituar.

Veprat

Redakto
  • "Vaj si qenka ba Tetova" - poezi
  • "Marshi i normalistit" - poezi
  • "Kanga e punëtorit" - poezi
  • "Lalë Bajrami" - drmë
  • "Fejesa në djep" - dramë
  • "Shqipja e malit" - dramë
  • "Dervish Cara" - dramë

Burimi

Redakto

Shaip EMËRLLAHU - Tetovë, 28 nëntor 1999

P.S. Kjo kumtese eshte lexuar me rastin e rivarrimit të eshtrave të atdhetarit dhe shkrimtarit, Sadudin Gjura ne Akademine solemne te mbajtur me 28 nentor 1999