Imam Maturidiu

This is the stable version, checked on 23 qershor 2021. 1 pending change awaits review.

Në kohën kur jetonte imam El-Eshariu, në thellësi të Lindjes ishte edhe një dijetar tjetër i famshëm, i cili mbronte fuqishëm mendimet e Ehli Sunetit. Ai, krahas argumenteve kuranore dhe hadithevePejgamberit a.s. përdorte edhe argumente logjike për përforcimin e mendimeve të tyre dhe në të njëjtën kohë mposhtte edhe mendimet pa bazë të atyre që sulmonin Ehli-Sunetin dhe konsideroheshin tejkalues të normave islame. Ky dijetar i madh qe imam Muhamed bin Muhamed bin Muhamed ebu Mensur El-Maturidiu, i cili jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të tretë hixhrij dhe në gjysmën e parë të shekullit të katërt. Imam Maturidiu lindi në kohën kur po zhvilloheshin dialogë e debate të mëdha në mes të muëtezilëve dhe shkollave të tjera filozofike.

Maturidiu
Muhamed bin Muhamed bin Muhamed ebu Mensur El-Maturidiu
Lindur më 853
Lindur në Maturid, Samarkand
Vdiq më 944 (333 H.)
Vdiq në Samerkand*
Profesioni Teologji, Fikh, Filozofi, Akaid, Tefsir, Hadith
Tyrbeja e Imam Maturidiut

Në të njëjtën kohë bashkëkohës i imam Eshariut dhe imam Maturidiut ishte edhe një dijetar tjetër në Egjipt, Ebu Xhafer Et-Tahaviu, i cili mbronte po ashtu në mënyrë dinjitoze, mendimet e Ehli-Sunetit.

Dallimi në mes imam Eshariut dhe dy imamëve të tjerë - Maturidiut dhe Tahaviut, ishte se imam Eshariu një kohë të gjatë të jetës së tij e jetoi në idetë e muëtezileve duke përhapur mendimet e këtij drejtimi. Më pas braktisi mësimet e tyre dhe vendosmërisht u kthye në mbrojtjen e mendimeve të Ehli Sunetit. Kalimi i Eshariut prej muëtezilëve në drejtimin e Ehli Sunetit ishte një grusht i rëndë për muëtezilët, të cilët nuk arritën të këndelleshin më.

Është mjaft indikativ fakti se këta imamë nuk u takuan kurrë në mes veti.

Se kur lindi Maturidiu asnjë nga historianët nuk pajtohen. Dr. Ejub Aliu thotë se Maturidiu lindi rreth vitit 238h./852

Këtë mendim e mbështet në faktin se njëri nga profesorët e Maturidiut, Muhamed bin Mukatil Err-Rrazi vdiq në vitin 248h/862. Nëse kjo është e vërtetë, Maturidiu duhej të kishte jetuar rreth 100 vjet, për arsye se historianët pajtohen se Maturidiu vdiq më 333h/944. Nga ky mendim bën përjashtim vetëm Tash Kuperi, i cili thotë se Maturidiu ka vdekur ne vitin 336h. [1]

Vendlindja e tij ka qenë fshati Maturid ose Maturit, njëri nga fshatrat e Samerkandit. Ebu-Mensuri merr emrin Maturid sipas fshatit të lindjes. Nganjëherë quhet edhe Ebu Mensur El-Maturidi Es-Samerkandi, sipas krahinës së vendlindjes, kurse shokët e tij e quanin Huda (prijës-udhëheqës i diturisë), pastaj Imamul-Mutekelimin (Prijës i apologjetikëve) etj. Të gjitha këto pseudonime argumentojnë se ai gëzonte emër të nderuar në mesin e shokëve.

Ebu Mensur El-Maturidiu që nga fëmijëria mësoi prej dijetarëve të cilëve mësimet u kishin ardhur nga imam Ebu Hanifja.

Maturidiu mësimet e para i mori nga imam Ebi Naser El-Ajadi dhe që të dy këta mësonin prej Ebi Bekër El-Xhuzxhanit. Ky mësimet apologjetike i kishte marrë nga Ebi Sulejman El-Xhuzxhani, ky nga Muhamedi, e ky prej Ebu Hanifes. Po ashtu nga profesorët e tij kanë qenë, edhe Nesir bin Jahja, Muhamed bin Mukatil err-Rrazi, Belhiu etj.

Dijetarët prej të cilëve mësoi Maturidiu, gëzonin një respekt të lartë në mesin e dijetarëve veçanërisht në mesin e dijetarëve të drejtimit hanefi. Mësuesit e Maturidiut përqendroheshin në librat dhe porositë e imam Ebu Hanifes që flisnin mbi themelet e besimit, si: FIKH EL-EKBER, FIKH EL-EBSAT, EL-RRISALETU, EL-ALIM VEL-MUTEAL-LIM, EL-VESIJE, etj.

Kështu, pra, Maturidiu kreu mësimet në shkollën hanefite tek dijetarët më të shquar të asaj kohe, dhe për zgjuarsinë e tij të pashoqe arriti një shkallë të lartë në mesin e tyre.

Maturidiu ishte i afërt edhe me nxënësit e tij, të cilët me kalimin e kohës u bënë po ashtu dijetarë të famshëm, si Ebu Kasim Is-hak bin Muhamed bin Ismail El-Samerkandi, Ebu Hasen Ali bin Seid El-Rrustegni, Ebu Muhamed Abd El-Kerim bin Musa El-Bezdeviu, Ebu Lejth El-Buhari, etj. [2]

Maturidiu është autor i shumë veprave, ndër to:

  1. KITABUT-TEVHID,
  2. TE’VILAT EHLI SUNEH,
  3. KITABUL- MEKALAT
  4. KITABURR-RREDI AL- KERAMITA,
  5. REDD USULIL-HAMSE,
  6. REDD EVAIL EL-EDILETi LIL KA’ABI
  7. RED EL-EMAMETU LI BA’DU RREVAFID.

Maturidiu sqaroi edhe librin FIKHUL-EKBER autorë i të cilit ishte imami i madh Ebu Hanife.[3]

Imam Ebu Mensur El-Maturidiu vdiq dhe u varros më 333 h. në Samerkand. Allahu e mëshiroftë.

Mendimet e maturidinjve

Redakto

Lidhmëria ndërmjet maturidinjve dhe esharinjve në mendime është shumë e afërt, të dy drejtimet përdorin argumente nga Kur’ani,Hadithi dhe logjika e shëndoshë, kështu që me plot të drejtë konsiderohen si themelues të drejtimit “Ehli Sunetu vel xhemaatu”.

Historiani Zubejdi thotë: “Kur të përmendet Ehli-Sunneti, do të thotë Esh’ariu dhe Maturidiu. Që të dy imamët ishin shumë të afërt në mendime, edhe pse nuk ishin takuar kurrë dhe as që dinin për mendimet e njëri-tjetrit. Në esencë, që të dy kishin një program të njëjtë të drejtimit dhe mendimit, me përjashtim të 12 pikave (mendimeve), të cilat i ka përmbledhur dijetari në zë, Hasen bin Abdul Muhsin, i njohur me pseudonimin Ibn Adhbetu.[4]

Meqenëse maturidinjtë dhe esharinjtë pajtohen në pjesën dërrmuese të mendimeve të tyre, fillimisht do t’i numërojmë mendimet kryesore të maturidinjve.

Çështjet që kanë të bëjnë me Allahun xh.sh.

a) Allahu xh.sh. është i pari - pa fillim, dhe i fundit - pa mbarim. Ai nuk përbëhet nga: aksidenti (shfaqja), as nuk është i ndryshueshëm dhe nuk është në një anë të caktuar. Ai është Një, i Vetmi, nuk ka rival dhe Atij nuk i përngjet askush nga krijesat e Tij.

b) Allahu xh.sh do të shihet me sy në botën tjetër (Ahiret), dhe pamja e Tij është e mundshme logjikisht.

c) Allahu xh.sh. e ka cilësuar Veten me cilësi të plota, të zhveshur nga çdo mangësi. Cilësitë e Tij janë të përhershme - pa fillim e pa mbarim. Cilësitë e Tij në asnjë formë nuk janë të ngjashme me cilësitë e krijesave të Tij. Allahu xh.sh. është i gjallë, i ditur, i fuqishëm, dëgjues, shikon, flet, etj…

d) Fjala e Allahu xh.sh. është pa fillim (e pa krijuar), andaj edhe Kur’ani është fjalë e Allahut, dhe nuk është e krijuar. Kur’ani është i lexuar me gjuhët tona, i ruajtur në gjokset tona, i shkruar nëpër mus’hafe, i zbritur nga Allahu nëpërmjet Xhibrilit në zemrën e të Dërguarit të Zotit xh.sh., Muhamedit a.s., i përcjellë gjeneratë pas gjenerate deri tek ne (mutevatir), në mënyrë të saktë dhe pa kurrfarë gabimi a ndryshimi.

c) Allahu xh.sh. është Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ekziston krijues tjetër përveç Tij, duke u bazuar në ajetin e Kur’anit: “Allahu është krijues i çdo sendi” dhe ajetin tjetër “Allahu ju ka krijuar ju dhe atë që punoni”.

Fuqia e njeriut është e kufizuar, ashtu siç është edhe dituria, të pamët, të dëgjuarit etj. Kurse tek Allahu nuk ka gjë të kufizuar.

f) Njeriu në asnjë mënyrë nuk është krijues i veprave të tij, ai është vetëm përfitues i tyre.[5]

Çështjet që kanë të bëjnë me pejgamberët

a) Disa nga dijetarët e drejtimit maturidij mendojnë se pejgamberët nuk janë obligim i domosdoshëm i Allahut dhe nuk janë të pamundshëm, mirëpo dërgimi i pejgamberëve është i mundshëm, po jo obligim dhe pamundësi e Allahut xh.sh.

b) Vërtetojnë që mrekullitë janë argumente të vërtetësisë së sinqertë të pejgamberëve, ashtu siç vërtetojnë edhe për kerametet (dituri, fisnikëri e veçantë që Allahu ua dhuron disa njerëzve të sinqertë dhe të ndershëm), vërtetojnë për magjinë ekzistuese, dhe që të dyja (kerametet dhe magjia) janë larg mrekullive të pejgamberëve.

Çështjet që kanë të bëjnë me botën tjetër (Ahiretin)

a) Maturidinjtë vërtetojnë ngritjen (ringjalljen) nga varrezat, Tubimin e madh (Hashër), marrjen në pyetje në varr nga ana e dy meleqve, varri do të jetë ose kopsht nga kopshtet e Xhennetit, ose humnerë nga humnerat e Xhehennemit. Si shpërblimi ashtu edhe ndëshkimi, do të jenë me trup dhe me shpirt.

b) Besojnë në peshojën (Mizan) që është e vërtetë, por mendja e njeriut nuk mund ta përfytyrojë se çfarë forme ka ajo, sepse peshoja e mëkateve ose e shpërblimeve nuk krahasohet me peshojat e kësaj bote.

c) Vërtetojnë se (Sirati- Ura) është e vërtetë, nëpër të do të kalojnë të gjithë njerëzit.

Edhe Kroi (Havd) është i vërtetë, prej tij do të pinë ujë besimtarët. Gjithashtu besojnë në të gjitha të fshehtat që janë përmendur në Kur’an dhe në hadithe të vërteta të Pejgamberit a.s., siç janë: fluturimi i fletushkave dhe marrja e tyre nga ana e djathtë ose e majtë, kënaqësitë e banorëve të Xhennetit, ndëshkimet e banorëve të Xhehennemit etj.

d) Vërtetojnë se Xhenneti dhe Xhehennemi janë të krijuara dhe që të dyja nuk do të zhduken asnjëherë, veçse janë të përhershme dhe se besimtarët do të jenë në kënaqësitë e Xhennetit përgjithmonë, kurse pabesimtarët në Xhehennem me mundime të përhershme.

Mëkatarët do të dënohen sipas mëkatit të bërë pastaj do të futen në Xhennet.

e) Vërtetojnë se ekzistojnë edhe krijesa të padukshme, siç janë: Meleqtë dhe exhinët, që ne nuk i shohim, po ata na shohin.

i) Besojnë në ndërmjetësimin (Shefatin) e madh, i cili do të bëhet për gabimtarët e këtij populli (Ymeti), të cilët kanë vdekur pa u penduar.[6]

f) Besojnë se pronarët e gabimeve të mëdha nuk do të jenë të përhershëm në zjarr, edhe nëse kanë dalë nga kjo botë pa u penduar, sepse Allahu xh.sh. është i mëshirshëm, nëse do, i fal, e nëse do, i fut në zjarr sipas peshës së gabimit të bërë e pastaj i kthen në Xhennet.

g) Imani (Besimi) është: Të besuarit me zemër dhe të shqiptuarit me gojë (gjuhë). Kush beson me zemër, ai është besimtar, e kush e thotë me gjuhë po nuk beson me zemër, ai është pabesimtar.

h) Veprat fizike të njeriut nuk bëjnë pjesë në esencën e besimit, andaj besimi nuk shtohet as nuk pakësohet, dhe njeriu gradohet sipas veprave të tij.[7]

j) Vërtetojnë se Allahut nuk i detyrohet asgjë, Ai vepron ç’të dojë dhe gjykon si të dëshirojë.

k) Mendja e shëndoshë tek maturidinjtë është në gjendje ta njohë Allahun xh.sh. dhe t’i përceptojë të mirat e të këqijat, mirëpo nuk obligohet derisa të mos i arrijë shpallja e vërtetë nga Allahu xh.sh., për arsye se njeriu nuk mund të lirohet nga detyrimet fetare në asnjë formë.

Nga ky aspekt maturidinjtë i ndajnë gjërat në tri grupe: 1) Gjëra kur mendja e njeriut është në gjendje të përceptojë të mirat. 2) Gjëra kur mendja e njeriut është në gjendje të përceptojë të këqijat. 3) Gjëra që nuk u dihet mirësia ose ligësia derisa të mos zbresë urdhri i Allahut.[8]

Burime

Redakto
  1. ^ Kitabu et-tevhid - nga Imam el-Maturidiu, fq. 1M-3M, pa vit dhe vend botimi.
  2. ^ Dr. Ali Abdul Fetah el-Magrebij “Imam Ehli Sunneti vel xhemaah”, Ebu Mensur el Maturidij, ve arauhu el kelamije”, fq. 18-22, Kajro 1985.
  3. ^ Ibid, fq. 23.
  4. ^ Dr. Muhammed Nebil Umeri “El Firek el Islamije”, fq. 96, Aman 1995.
  5. ^ Ibid, fq. 97
  6. ^ Ibid, fq. 99.
  7. ^ Mula Hasen Ibwn Iskender el Hanefij “El Xheveheretul-Menfijeh fi sherh vesijetil imam-ul-a’dham Ebi Hanife”, Indi 1980.
  8. ^ “El Firek el Islamije”, fq. 90.