Lec Kurti
Lec Kurti (Shkodër, 9 maj 1884 - Romë, 1948) ishte diplomat i shtetit shqiptar, kompozitor dhe kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën.
Jeta
RedaktoU lind më 9 maj të vitit 1884 në Shkodër, ishte i biri i kompozitorit Palokë Kurtit dhe Angjelinës, e bija e Anastas Papanikut. I madhi ndër pesë fëmijë, tre vëllezër Zefi, Salvatori, Ndoci dhe motra, Tusha.[1]
Në vitin 1909 filloi studimet në Liceun e Pesaros pranë Urbinos, ndërsa më vonë, thellohet më tej në fushë të muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura në Venedik. Më pas për Shkenca Politike në Romë. Dorëshkrimet tregojnë se aty janë shkruar edhe një numër i madh veprash. Familjarët dëshmojnë se gjatë kohës që ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, i është djegur shtëpia dhe mendohet që bashkë me të janë shkrumbuar edhe krijime të tjera muzikore. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë në harkun kohor 1908-1916 dhe më pas duket se iu kushtua në fillim diplomacisë e më pas politikës.
Më 1918 u internua nga francezët bashkë me të atin në Korfuz.[2] Nisi karrierën diplomatike si konsull i shtetit shqiptar në Bari më 1921-22, dhe më pas në Athinë si "I ngarkuari me punë" (1925-1926) ku merr titullin "Qytetar Nderi" i qytetit. Më tej e gjejmë përfaqësues të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1930-1935), si Ministër Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Londër pas nëntorit 1935, ku pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste nuk pranon t'i dorëzojë përfaqësuesit italian ambasadën.
Gëzonte statusin e `Ministrit Fuqiplotë të Klasit të Dytë` në diplomacinë shqiptare.
Të nesërmen e pushtimit italian, me 8 prill 1939, i dorëzoi një notë proteste të qeverisë shqiptare për qeverinë britanike ku i bëhej apel ndihme për mbrojtjen e Shqipërisë. U kërkonte britanikëve që të jepnin së paku mbështetjen morale për Shqipërinë, e cila ishte përpjekur të mbronte territorin e vet.[3]
Me ftesën e Faik Konicës për të shkuar në Amerikë, Lec Kurti shkon të marrë kryesinë e "Vatrës" kthehet në Shqipëri ku angazhohet në jetën politike të vendit. Në vitin 1942, bashkë me Mit'hat Frashërin, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn, Fuat Dibrën etj. Kurti është një ndër 18 emërimit të "Frontit të Rezistencës" në "Balli Kombëtar", ku zgjidhet nënkryetar i përgjithshëm i saj si dhe kryetar për Shkodrën. Nuk do të mundte të vinte në zbatim asnjëherë ndonjë aksion të Ballit me letra apo të armatosur kundër fashizmit duke patur të vëllain, Salvatorin, nënsekretar i Partisë Fashiste për Shkodrën. Ndërsa i vëllai tjetër, Ndoci, kishte rënë në betejë në Alma Ata të Abisinisë si oficer i forcave italiane.[4]
Disa ditë përpara 29 nëntorit të vitit 1944, siç e dëshmon edhe Ditari i tij, ai e braktis përfundimisht Shqipërinë dhe vdes në Romë në dhjetor të vitit 1948. Prej atëhere muzika e tij ka mbetur akoma fare e panjohur për publikun e gjerë po se po, madje edhe për profesionistët.
Vepra
RedaktoDisa nga veprat - dorëshkrime të ruajtura nga familja që ka të ngjarë të përmbysin historinë tonë të muzikës janë prezantuar. Nëse nuk do të ishte marrë me politikë, veprat e tij do të ishin përfshirë në antologji muzikore e letrare. Krijimet do të interpretoheshin koncerteve e do të quhej babai i kompozicionit shqiptar. Me rreth 800 faqe dorëshkrime që ruan familja e tij, do të ishte patjetër një emër i shquar i kulturës shqiptare. Por Lec Kurti zgjodhi tjetër udhë. U quajt i rrezikshëm dhe u ndalua. Vepra e tij u dënua për të mbetur sirtareve e panjohur për dekada. Për të kujtuar një emër të lënë në harresë padrejtësisht, po edhe për të riparë historinë e muzikës shqiptare, sot në Akademinë e Arteve zhvillohet koncert-konferenca "Lindja e harruar e muzikës artistike shqiptare: Lec Kurti". Interpretohen për herë të parë vepra të kompozitorit që datojnë fillimshekullin e XX, ndërsa të afërmit sjellin kujtime. Aktiviteti i përfshirë në Stinën e Koncerteve të Pranverës në Akademinë e Arteve, përkon me 69-vjetorin e vdekjes së kompozitorit. Për muzikologun prof. dr. Sokol Shupo, pavarësisht se sasia e partiturave që kanë arritur t'i shpëtojnë humbjes është relativisht e pakët dhe vepra e tij ka mbetur e panjohur, Lec Kurti është padyshim i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare. Kur thotë këtë, Shupo mbështetet në fakte. Pasi ka kaluar nëpër duar dorëshkrimet, që ruhen me fanatizëm nga Albert Kurti, i biri i kompozitorit, Shupo vë re se çuditërisht, shumë vepra që ne i quajmë si të parat në gjininë që i përkasin, nuk janë të tilla. Studiuesi bën një krahasim, prej të cilit del se pikërisht veprat që për dekada i kemi konsideruar të parat, janë shkruar shumë më vonë se veprat e harruara të Lec Kurtit. Nëse deri më sot kemi besuar se opera "Mrika" (1959) e Prenk Jakovës është e para në llojin e vet në Shqipëri, na del se në të vërtetë e para është "Arbëreshtja" e Kurtit (1915), nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Për të vijuar me sonata, muzikë dhome, kuartete harqesh, romanca dramatike, trio pianistike, prelude, muzikë korale e koncerte, të cilat janë shkruar nga 20 deri në 60 vjet më vonë nga autorë si Fan Noli, Çesk Zadeja, Tonin Guraziu, Tish Daija, Limos Dizdari, etj. Që do të thotë se historia e muzikës shqiptare, ka se ç'të korrigjojë. Por nga çka mbërritur deri më sot, kuptohet se Kurti nuk ishte vetëm një ithtar i muzikës. Sot është e çuditshme të besohet se brenda një njeriu të vetëm ziente kompozitori, poeti, përkthyesi e politikani diplomat. Pa lënë asgjë pas dore. Ka shkruar vepra letrare si poemat "Kërshëndellat", "Mrashtbulli", "Sikur të mujsha", "Lula Marnesha", "Qe tuk janë" si dhe ka përkthyer në shqip veprash nga autorë të mëdhenj të letërsisë botërore si Pirandello, Gorki, Poe, Pushkin, Gauthier, Merimé, etj.
Referime
Redakto- ^ Shupo, Sokol (2003). Kondi, Luan (red.). "Lec Kurti, madhështi e dyfishtë e kompozitorit dhe diplomatit". zemrashqiptare.net. Panorama. - Nr. 388; 2 nëntor. fq. 12–13.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 548–549. OCLC 41096394.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme (1939-1946). Durrës: Jozef. fq. 69. ISBN 9928-241-84-8.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 155. ISBN 9789928440358.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)