Masakra e 4 shkurtit 1944
Operacioni i 4 shkurtit i quajtur Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 sipas numrit të gazetës "Bashkimi" që doli një vit pas ngjarjes, në kohën e regjimit komunist, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që u kishin bërë figurave politike.
Prapavija e ngjarjeve
RedaktoPasi Operacioni i Dimrit u kishte shtrënguar darat komunistëve, iu rikthyen atentateve ndaj figurave politike, si në rastin e Idhomeno Kosturit.
Në zonën e Tiranës së re, më 3 shkurt, guerilët komunistë në befasi i bëjnë atentat makinës së autoriteteve të regjimit pushtues ku mbeti i plagosur a pa jetë shoqëruesi i afërt i Kadri Cakranit. Pasditen e vonë të 3 shkurtit, guerilë të qarkorit komunist i bëjnë një goditje të befasishme të armatosur makinës së ministrit Xhafer Deva. Sipas dëshmisë së Isuf Devë, sekretar privat i tij, i cili edhe në rrethana torture dëshmonte: “Komunistët më 3 shkurt i bëjnë atentat makinës së Xhafer Devës, plagoset dhe vdes në spital i nipi, adoleshenti Fahri Ibrahimi”[1][2].
Operacioni
RedaktoOperacioni filloi në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944, dhe do të përfundonte në ora 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Sipas organit të shtypit të regjimit komunist, "Bashkimi", autorët kanë qenë Kolonel Bajazit Boletini - komandant i regjimentit "Kosova", Kadri Cakrani, dhe Xh. Devës.
Interpretimet dhe faktet
RedaktoTrakti i PKSH-së për atë masakër shkruar nga Sejfulla Malëshova, i botuar më 4 shkurt 1945, në gazetën “Bashkimi” përcillte numrin e 86 të vrarëve, por me emra identifikohen vetëm 24 të vrarë. Shifra e mbi 80 të vrarëve duket se vjen nga një letër që Nako Spiru u ka nisur Komitetit Qendror (M. Popoviqit, K. Xoxes, L. Gegës)[2].
Sipas kërkimit të studjueses Gilmana Bushati, procesverbalet e prokurorisë (5 e 6 shkurt) me të vrarët më 3-4 shkurt, viktimat janë 14. Në procesverbalin e 6 shkurtit janë nëntë të identifikuar, dy të paidentifikuar, dy me identitete italiane, kurse një (Ali Ferra) i vrarë nuk është i listuar në “Pavdekësia”. Si përfundim, katër janë të vrarë në mbasditen e 3 shkurtit, shtatë të vrarë natën e 4 shkurtit (bashkë me dy italianë). Sekretari privat i ministrit Xhafer Deva, Isuf Deva (i pushkatuar) në dëshminë e tij në janar ’47 në hetuesinë e regjimit komunist pohonte se “Xh. Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë”. Dëshmi kjo e përafërt me të dhënat nga procesverbalet,[2] tek të cilat figurojnë:
- Vangjel Capo, i biri i Andonit dhe i Valës nga Fieri vjeç 22
- Todi Shkurti nga Fieri vjeç 25
- Hasan Rexhep Çeliku vjeç 34, kryepuntor pranë Ministrisë P.B nga katundi Mullet i Tiranës.
- Sokrat Vangjel Tako, i biri i Aleksandrës vjeç 43 nga katundi Novosel i Përmetit dhe banues në Tiranë rruga Mihal Grameno
- Mihal Jani Koço i biri i Margës vjeç 20 Druvjan i Gjirokastrës banues në rrugën e Kavajës Tiranë.
- Vinçenzo Apel, i biri i Feliksit dhe i Kleopatrës lindun në Sarandë banues në Tiranë rruga e Dibrës nr.6 vjeç 20.
- Reveni Ludovico Carlo i biri Marijes nga Italia banues në Tiranë vjeç 26.
- Gjergji Legjizi i biri i Frrokut dhe i Diles lindun ne katundin Kthjellë të Mirditës vjeç 45 banues në Tiranën e Re Lagje Llagami nr;43.
Dy të paidentifikuar:
- ..vjeç 22... këpucë me syprina beze të zezë e... çorape të zeza pambuku ushtarake;... katrore, boj kafe... jeshile me të bardha, triko leshi pambuku boj kafe, xhaketë civile boj kafes të mbydhun me vija pak të dukshme.
- mesatar vjeç 34 flokë kështije, fytyre pak të hekun, i rruem pa mjekër, me nji shall leshi jeshil, xhaketë civile e pantallona boj të kafes, i vesgun nën rrobe me bixhama të bardhe e me vija te kuqe, nji triko leshi në boj të hinit e pa mange, jelek boj kafe, peshime me ngjyra e me vija, kepucë te zeza civile ushtarake, çorape boj kafe te Europes.
Më 6 shkurt 1944 u paraqitën për t'u interesuar tre persona për familjarët e tyre që nuk ishin as në burgje ose në ndonjë vend tjetër të kryeqytetit, familjarët që kërkonin: Haki e Maliq Huta (letrat e identitetit të të cilëve u gjetën nëndhé në rr. e Elbasanit), Fadil Rada punëtor 22 vjeç, Xhemal Sojli.
Më 16 shkurt 1944 Gjyle Shkalla e veja e Selim Ferrës deklaroi se i biri Ali Selim Ferra, 18 vjeç, tabelashkrues, u mor nga shtëpia mëngjezin e 4 shkurtit nga një patrullë e armatosur. Kufoma e tij u gjet në lumin e Tiranës afër Saukut[3].
Burime
Redakto- ^ Lamaj I., (...) Puto nuk ka asnjë fakt kundër Devës, ndaj e shan (...), intervistuar nga Gilmana Bushati, Gazeta shqiptare. - Nr. 5470, 23 nëntor, 2011, f. 20 - 21.
- ^ a b c Baruti V., E vërteta dhe rrenat e Masakrës së 4 shkurtit, Standard, 22 shkurt 2015.
- ^ Bushati G., Masaker me 4 shkurt 1944? Ja dokumentet, Gazeta Shqiptare, 29 nëntor 2011.
Literature
Redakto- Pearson, Owen. 2005. Albania in Occupation and War: From Fascism to Communism, 1940-1945. London: I.B. Tauris.2006