Murad bej Toptani (1866 - 1918) qe atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar. Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht. Krijimet e tij janë përmbledhur në vëllimin, “Vjersha e Murat Toptanit”, ndërkohë që në Galerinë e Arteve në Tiranë ruhet një bust i Skënderbeut, i realizuar prej tij në vitin 1917, si dhe një karikaturë me akuarel “Premtimet e Anglisë”.

Murad bej Toptani
Bej (i Tiranës)
U lind më13 korrik, 1866
Aká, Perandoria Osmane
Vdiq më11 shkurt 1918
Tirana
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrarePoezì, Skulpturë

U lind në Aká (sot Akyaka, Turqi) më 13 korrik, i biri i Said Sermedin bej Toptani dhe Hanifesë, vajza e luftëtarit nga Kaukazi Ahmet Pedis Kartajit. I ati i tij, duke qenë prej oxhakut me ndikim të Toptanve dhe prej veprimtarive nacionaliste, ishte internuar ku dhe u njoh me vjehrrin e tij të internuar për po të njëjtën arsye.

Në 1878 ai u regjistrua në shkollën “Madamë Fyres”. Në atë shkollë studionte dhe Asije Frashëri, vajza e Sherif Frashërit, vëllait të madh të Frasherllinjve, e cila më vonë, u bë bashkëshortja e tij. Asija kishte mbetur jetime dhe u rrit nga xhaxhai, Naimi, dhe kjo është arsyeja pse njihej si vajza e madhe e Naimit ose pse e quajnë Murad bej Toptanin si dhëndrin e poetit të madh. Në 1884 Murad Toptani i vazhdoi studimet në shkollën “Sulltanie” (Gallata Saraj), ku mori një kulturë që u reflektua më vonë në gjithë veprimtarinë e tij të larmishme artistike. Në mbarim të shkollës ai zotëronte disa gjuhë të huaja: frëngjisht, osmanisht, arabisht dhe persisht.[1] Pas vitit 1895, Murat Toptani u vendos pothuaj përfundimisht në qytetin e Tiranës, origjinës së tij.

Në 28 tetor 1897, Murad Toptani u arrestua nga Porta e Lartë. Të gjitha gazetat shqiptare të kohës, të cilat dilnin, sigurisht, jashtë trojeve shqiptare, lajmëruan për një gjë me rëndësi që kishte ndodhur “ato ditë” në Shqipëri. Gjëja me rëndësi ishte arrestimi i Murad bej Toptanit nga Porta e Lartë. Konsulli austriak në Dardanele i shkroi, në 4 mars 1898, konsullit austriak në Shkodër se Murad Toptani, bashkë me Marka Gjonin dhe të tjerë gjendej i burgosur në Dardanele. Ai dyshonte se ata mbaheshin aty, dhe ende nuk ishin nisur diku tjetër, me ndonjë urdhër nga Stambolli. Aty i mbanin të izoluar, “nuk i lënë që të takohen me njeri”. Në 10 prill, ai i shkroi sërish kolegut në Shkodër për fatin e të burgosurve shqiptarë. Sipas tij, autoritetet e Dardaneleve kishin marrë një urdhër nga ministri i Punëve të Brendshme për t’i dërguar shqiptarët në internim, Murad bej Toptanin në Tripoli (Libia e sotme) dhe kajmekamin Marka Gjoni në Mosul (Irakun e sotëm). Nisja do të bëhej me vaporin e Mahsusasë. Dhe një detaj që flet sa shumë ishte Murad Beu në vëmendjen e austriakëve: “familjarët e Murad Beut janë të dëshpëruar”. Konsulli austriak i Dardaneleve, në 12 maj 1898, duket se ka një shpjegim më konkret për ngjarjen, që mendohet se është një sqarim i autoriteteve osmane për ambasadën austriake: “Arrestimi i Murad Beut nga Tirana ka qenë i arsyetuar me faktin se bënte korrespodencë revolucionare me Dervish Beun nga Elbasani, i cili tash gjendet në arrati dhe me persona të tjerë dhe bënte çdo lloj axhitacioni subversiv, sikurse është provuar me letrat që kanë rënë në dorë të autoriteve mbretërore”. Murad Beu u arratis nga internimi në Tripoli dhe u hodh në Itali bashkë me Baba Ahmetin e Koshtenit dhe një tjetër. Në Itali, Murad bej Toptani lëvizi nga një qytet në tjetrin, në kolonitë shqiptare të atjeshme, ku vazhdonte propagandën për çështjen kombëtare. Në tetor 1898 u gjend në Bruksel dhe prej andej, së bashku me Faik Konicën, shkoi në Bukuresht. Murad Toptani është ndër të paktët shqiptarë të shquar, për të cilin ka shkruar, më shumë se njëherë, vetëm fjalë të mira dhe Faik Konica. Sipas tij, Murad Beu ishte “patriot i zjarrtë, mjaft inteligjent… urren sllavët dhe ka simpati për Austrinë”. “Albania” e Konicës shkroi disa herë për Murad Toptanin dhe ai botoi aty disa vjersha.[1]

Nga fundi i vitit 1899 Murad bej Toptani u kthye në Shqipëri, më 1900 policia kontrolloi shtëpinë e tij në Tiranë dhe gjeti atje libra mësimi në shqip, vjersha dhe Istorinë e Skënderbeut, të gjitha të shtypura më 1881 me lejen e autoriteteve të kohës nga komisioni shkencor "Dituria". Murad beu me gjithë familje u internua në KoniaAnadollit dhe u kthye në atdhe vetëm më 1908.[2] Mbështeti kryengritjen e Kurbinit te udhehequn nga Gjin Pjetër Pervizi, 1906-1912, me të cilin Toptanët kishin miqësi tradicionale. Merr pjesë në Kuvendin e Vlorës si përfaqësues i Tiranës, ku i caktuar nga Ismail Qemali vendos flamurin dhe me atë rast mban një fjalim. Fjalimin e tij të ndezur dhe plotë retorikë në 28 nëntor 1912, në Vlorë, e kanë vlerësuar dhe Mit’hat Frashëri dhe baronesha Marie Amelie Frein von Godin, të dy dëshmitarë në ngjarje. Firmosi aktin e mvehtësisë, me siglën “Murad Toptani”. Gjatë Luftës së Parë Botërore hyri vullnetar në ushtrinë austro-hungareze, por dhe perandoria që e kishte përkrahur gjatë përndjekjeve që i bënte Porta e Lartë dhe vetë ai patën fund të hidhur katër vjet më vonë. Në një raport të shërbimit të fshehtë anglez të vitit 1916, lexojmë: “Murad beu: Nga familja e Toptanasve. Kushëri me Esatin, por në konflikt të vazhdueshëm me të; nga kjo shtrëngohet të jetojë jashtë shtetit. (...) Ka ndikim të madh në popullsinë e Shqipërisë së Mesme.” Toptani bashkëpunoi me organet e shtypit të shqiptarëve jashtë atdheut. I detyruar, Muradi emigron në Vjenë. Vdiq në Tiranë, një vit pasi u kthye në atdhe.

 
Murad Toptani në një pullë

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924. Kjo s’ka ndodhur as gati një shekull më vonë. Një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali. Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike. Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit. Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezije në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”. Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.[1]

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Çelo Hoxha: Murad Bej Toptani: patrioti dhe artisti në Gazetën "Standard". Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë: AQSH, Fondi 36 dhe 163; Ferid Hudhri, Murat Toptani, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1978; Uran Butka, Mid’hat Frashëri, elita shqiptare, PLEJAD, Tiranë, 2008; Uran Butka, Mid’hat Frashëri, elita shqiptare, PLEJAD, Tiranë, 2008; Faik Konica, Vepra 3, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001; gazeta Posta e Shqypnis, Nr. 21, 20 fruer 1918, faqe 4; dokumente të botuara: Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003.
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2003) [1963]. Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 169. ISBN 99927-780-6-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)