Gjaku – Elementet e gjakut Trupi i një mashkulli mesatar të pjekur përmban rreth 5000 ml gjak; ndërsa vëllimi mesatar i gjakut tek një femër është rreth 3300 ml për shkat të strukturës trupore më të vogël. Gjaku përbëhet nga një pjesë e lëngshme – plazma (55%) dhe një pjesë korpuskolare (apo thërrmijore) – hematokriti (45%).

  • Hematokriti

Hematokriti është i përbërë nga rruazat e kuqe të gjakut apo eritrocitet, ruazat e bardha të gjakut apo lekuocitet, dhe pllakëzat apo trombocitet. Ngjyra e gjakut përcaktohet nga hemoglobina.

  • Qelizat e kuqe të gjakut – eritrocitet

Një eritrocit i vetëm është i aftë të transportojë mbi një bilion molekula oksigjeni, falë hemoglobinës. Rruazat e kuqe të gjakut janë bikonkave (të dylugëta), në formë disku dhe me mungesë bërthame. Këto qeliza udhëtojnë njëra pas tjetrës si monedhat njëra mbi tjetrën deri sa arrijnë në enët më të vogla të gjakut të quajtura kapilarë. Rruazat e kuqe të gjakut prodhohen më një ritëm prej 2 milion për sekondë, në palcën e kuqe të kockave si, brinjët, vertebrat dhe fundet (apo skajet) e kockave të gjata tek i rrituri. Pas katër muajsh jetë, eritrocitët (rruazat e kuqe të gjakut) vdesin. Qelizat e vdekura dërgohen në shpretkë dhe mëlçi ku shkatërrohen.

  • Hemoglobina

Hemoglobina është një proteinë me strukturë katërsore (kuaternare) që përbëhet nga katër vargje polipeptidike – 2 vargje të njëjtë alfa dhe 2 vargje të njëjtë beta, me një total prej 600 aminoacidesh. Çdo varg (zinxhir) kombinohet me një molekulë që përmban hekur të njohur si heme. Tek heme-ja gjendet një unazë porfirinike, qendra e së cilës është e zënë nga një atom hekuri. Porfirina mund të marrë oksigjen nga mushkëritë dhe ta lëshojë atë në të gjitha qelizat e gjalla të trupit. Kur hemoglobina lëshon oksigjen, ajo merr dioksidin e karbonit nga qelizat dhe e shpie në mushkëri.

  • Qelizat e bardha të gjakut – leukocitet

Leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut janë mbrojtësit e trupit. Ka pesë lloje qelizash të bardha të gjakut. Tre prej tyre formohen në palcën ekuqe të kockave ndërsa dy llojet e tjera prodhohen në një ind special të quajtur ind limfatik (linfatik). Ky ind gjendet në disa rajone të trupit si, bajame dhe shpretkë. Numri i qelizave të bardha të gjakut rritet në mënyrë dramatike kur një antigjen “sulmon” trupin. Qelizat e bardha të gjakut mbërrijnë në vendin e infeksionit duke udhëtuar nëpërmjet rrjedhës së gjakut dhe duke kaluar nëpër muret e kapilarëve. Ato mund të migrojnë midis qelizave endoteliale drejt indeve të tjera sikundër amebat lëvizin me pseudopode. Kur arrijnë antigjenet qelizat e bardha të gjakut mbështillen rreth tyre dhe i shkatërrojnë.

  • Pllakëzat e gjakut – trombocitet

Trombocitet apo pllakëzat luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e droçkave (të gjakut) – koagulacionit apo mpiksjes. Në palcën e kuqe të kockave, qeliza të mëdha të specializuara – megakariocitët ndahen në fragmente më të vegjël. Çdo fragment është një pllakëz. Pllakëzat (trombocitet) janë rreth 250,000/mm3 me një jetëgjatësi prej vetëm tetë ditësh. Në vendin ku është krijuar një plagë (apo dëmtim) pllakëzat stimulohen të çlirojnë një substancë të quajtur tromboplastinë që vepron në konvertimin e enzimës protrombinë (e prodhuar nga mëlçia) në trombinë. Kjo e fundit transformon fibrinogjenin në fibrinë. Fibrat e fibrinës me rruazat e kuqe të gjakut që ngecin në to formojnë koagulin, apo droçkën e gjakut. Trupi e kontrollon formimin e droçkave të brendshme (mpiksjen e gjakut) duke prodhuar substanca që parandalojnë mpiksjen. Këto substaca njihen si antikoagulantë (apo anti-mpikës). Një nga këto substanca është heparina, e cila prodhohet nga mëlçia, mushkëritë, zorrët dhe indet të tjera. Heparina inhibon shndërrimin e protrombinës në trombinë. Periudha e kohës që i duhet gjakut për tu mpiksur quhet koha e mpiksjes, e cila zakonisht luhatet nga tre në gjashtë minuta.

  • Plazma (e gjakut)

Plazma është një lëng i qartë i përbërë kryesisht nga uji (90%). Gjithashtu përfshin substanca organike dhe inorganike dhe gaze të frymëshkëmbimit. Molekulat e “ngurta” janë kryesisht proteina si ambumina e serumit, globulina e serumit, fibrinogjeni dhe proteina rregullatore dhe mbrojtëse si hormone, kundërtrupa dhe enzima. Substancat organike të plazmës janë materiale të mbetjes së metabolizmit qelizor si urea, acidi urik, kreatinina dhe amoniaku; po ashtu materiale ushqyes si aminoacidet, glukoza dhe lipidet. Substancat joorganike janë natriumi, klori, kalciumi, jonet bikarbonat, jodi dhe hekuri. Po ashtu është e pranishme edhe një sasi gazesh si oksigjeni dhe dioksidi i karbonit.