Presidenti Rugova është një jetëshkrim zyrtar i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, botuar nga Presidenca e Kosovës në 2007, një vit pas vdekjes së tij. Libri është redaktuar nga Dr. Muhamet Hamiti, këshilltar shumëvjeçar politik i Presidentit Rugova. Librit i paraprin shkrimi i Presidentit të Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu Burrështetasi i parë i Kosovës, ndërsa një shkrim të gjatë (Memento për Rugovën) me këtë rast e ka shkruar akademik Sabri Hamiti.

Ballina e librit

Burrështetasi i parë i Kosovës

Redakto

Parathënia e librit shkruar nga Fatmir Sejdiu

Redakto

Vdekja e hershme e Presidentit Ibrahim Rugova në fillim të vitit 2006 ishte goditje e rёndё për popullin dhe institucionet e Kosovёs. Na la kur na duhej mё sё shumti për t’i dalë në krye procesit tё gjatё e tё mundimshёm historik për pavarësimin e Kosovës. Për njohjen ndёrkombёtare tё pavarësisë së Kosovёs, sepse, siç e kishte zakon të thoshte Presidenti ynë, Kosova është de fakto e pavarur nga qershori i vitit 1999.

Si studiues i thellё i letërsisë e i kulturës shqiptare, Ibrahim Rugova ka lënë një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës me organizim të pashembullt që krijoi Lidhja Demokratike e Kosovës, që – si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për të cilën ai ushqente dashuri të pakundshoqe – të ndërtonte, tani me sukses të fundmë, bazat e shtetit të ri ndërsa rezistonte okupimin serb.

Ibrahim Rugova u bë burrështetasi i parë i Kosovës, shenja mbrojtëse e shtetit në krye të të cilit qëndroi edhe në kohën kur njihej, por nuk pranohej si i tillë. Në kohë të vështira, Rugova me organizimin më sistematik e të qëndrueshëm që kishin ngritur shqiptarët në këto troje, me mekanizma institucionalë të votës demokratike, ndërtoi struktura të qëndrueshme tё Republikёs sё Kosovёs, qё ishin pjesё e veçuar e rezistencёs sё organizuar kundёr okupimit.

Për të gjallë të vet, Ibrahim Rugova krijoi shumë miq të Kosovës e të pavarësisë sonë në të katër anët e botës. Prandaj, edhe nga bota e amshimit, Presidenti Rugova është sot engjëlli mbrojtës i Kosovës.

Veprimtaria e Rugovës, si studiues i letërsisë e i kulturës shqiptare, si mendimtar i rrallë, me një filozofi të veçantë politike, si lider e burrështetas, të cilin e shquan urtësia dhe konsistenca, do të jetë objekt i studimeve të vazhdueshme në të ardhmen.

Ky libër përmbledh një zgjedhje shkrimesh të Rugovës në rrjedhë kronologjike – kryesisht fjalime politike, por edhe kontribute të tjera të veprimtarisë së tij shtetërore – sikur edhe vlerësime që i bëjnë figurës së Rugovës personalitete nga vendi e bota. Është një pjesë e trashëgimisë dhe namit që ka lënë pas lideri ynë historik, të cilën e sjellim këtu me rastin e Ditës Përkujtimore, 21 janarit, kur mbushet një vit që kur ndërroi jetë.