Qamil bej Vlora
Qamil bej Vlora (Stamboll 1895 - Tiranë 1950) djalë i Ismail Qemal bej Vlorës, Themeluesit të Shtetit shqiptar, ishte i vetmi, nga gjashtë djemtë e tij, që jetoi në Shqipëri edhe gjatë periudhës komuniste dhe u dënua nga ai regjim për të vetmin faj pasi donte të jetonte i lirë, pa u përzier me vijën politike komuniste.
Jetëshkrimi
RedaktoLindi në Stamboll, më 14 dhjetor 1895, ku kaloi gjithë fëmijërinë e tij, deri në vitin 1912, kur i ati i tij, Ismail Qemali, u largua përfundimisht nga Turqia për të Shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Mësimet e para i mori në Stamboll, më pas vazhdoi Liceun në Nicë (Francë), ku mbaroi edhe Universitetin e Departamentit të Bouches du Rhône. Pas vdekjes së Ismail Qemalit (1919) u kthye në Vlorë dhe në vitin 1921 u zgjodh Kryetar i Federatës «Atdheu» (Dega e Vlorës). Më 1923 u vendos në Tiranë dhe u emërua Sekretar i rangut të III-të në Ministrinë e Jashtme, ndërsa në fillim të vitit 1925 u emërua Sekretar i Parë i asaj Ministrie. Gjatë qëndrimit në këtë funksion u nderua nga Presidenti i Republikës Franceze me urdhërin e lartë «Chavalier de la Légion d'Honneur» (13 nëntor 1926) dhe, dy vjet më vonë, në shkurt 1928, me propozim të Ministrisë së Jashtme, u dekorua nga Presidenti i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu, me titullin «Kavalier i Urdhërit të Skënderbeut». Gjatë aktivitetit të tij, në Ministrinë e Jashtme, për një kohë të shkurtër u emërua Kryekonsull në Selanik dhe zëvendës/drejtor administrativ i asaj Ministrie. Në gusht të vitit 1932 u akuzua të bënte pjesë në «Organizatën e Fshehtë të Vlorës», një komplot antizogist. Pavarësisht se nuk pati prova për pjesëmarrjen e tij në atë Organizatë, ai u largua nga Shqipëria, së bashku me familjen, dhe me ndihmën e mikut të tij Justin Godart u vendos në Francë. U kthye në atdhe më 1939 dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Në tetor 1943 u zgjodh deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe vazhdoi si deputet deri në përfundim të Luftës I-rë Botërore. Pas ardhjes në pushtet të regjimit diktatorial komunist, duke mos pranuar bashkëpunimin me ta, më 10 dhjetor 1946, u arrestua me akuzën «armë mbajtje pa leje» dhe u dënua me dy vjet heqje lirie. Në burg u bë turbekuloz dhe vdiq në Tiranë, më 15 dhjetor 1950, pak kohë pas daljes nga burgu.
Nermin Falaski Vlora në: Jeta ime me tri vajzat dhe tre djemtë e Ismail Qemalit (Kumtesë mbajtur në Vlorë, më 18 prill 2002), shkruan: «Fëmija e nëntë dhe e fundit e Ismail Qemalit ishte daj Qamili.... Daj Qamili ishte një intelektual i jashtzakonshëm, nji inciklopedi i mrekullueshëm dhe zotëronte dymbëdhjetë gjuhë. Nuk kishte argument që ai mos të ishte në gjendje ta përballonte. Drekat me daj Qamilin ishin shkollë më vete... Kam udhëtuar me shërbim diplomatik të tim shoqi në kontinente të ndryshme dhe kam njohur intelektual të vërtetë, me vlera të jashtzakonshme, kush në nji fushë dhe kush në nji tjetër, por me dijeni aq të hapur si daj Qamili, deri më sot, nuk kam pasur fatin të njihem. Megjithatë, ai pati nji jetë të vështirë në Tiranë, ku punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe, pa dyshim, ishte vështirë të gjindej nji diplomat më i përsosur se ai. Më vonë, në kohë të diktaturës, e futën në burg... Në burg u bë turbekuloz dhe vdiq në moshën pesëdhjetë vjeçare!».