Rudolf Stambolla
Rudolf Stambolla (Tiranë, 21 qershor 1931 - 6 mars 2021)[1] ka qenë këngëtar dhe aktor shqiptar. Qe përfaqësues i muzikës së lehtë bashkëkohore e cila u popullarizua gjatë mesit të shekullit XX në Shqipëri. Ai gjithashtu është referuar si themeluesi i muzikës moderne shqiptare.[2]
U lind në Tiranë në vitin 1931, i biri i Baltos dhe Katerinës; më 1940 prindërit e Stambollës u kthyen përsëri në vendlindjen e tyre në Shkodër me djalin. Atje si dhjetëvjeçar dha shfaqjen e tij të parë publike më 1941 si këngëtar i një kënge popullore. Në vitin 1943 ai u kthye në Tiranë dhe nga 1946 ishte pjesë e grupit muzikor shqiptar Havajana, së bashku me muzikantët e njohur shqiptarë Njac Guralumi, Medi Prodani, Mustafa Zymeri dhe Agim Prodani.[2]
Në vitin 1948 doli kënga Kur gjethet bien në vjeshtë, e cila konsiderohet si një shembull klasik i muzikës tango shqiptare. Është një nga këngët më të famshme e Stambollës dhe është kënduar edhe nga disa këngëtarë të tjerë deri më sot. Në fillim të viteve 1950, Stambolla gjithashtu punoi si aktor. Në fund të viteve 1950 si këngëtar u incizua nga Radio Tirana së bashku me këngëtarë e tjerë të Estradës, gjë që e bëri shumë të popullarizuar me muzikën tango. Më 1962, Stambolla mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Këngës me këngën Kam një mall. Një vit më vonë më 1963 Stambolla i dha fund karrierës së tij muzikore në Festivalin e dytë të Këngës me këngën Për dashurinë do këndoja. Prej atëherë e tutje vazhdoi punën e tij të rregullt si teknik i sistemeve telefonike, të cilin e kishte filluar që nga 1954.[2][3]
Ndër 35 këngët e Stambollës që u publikuan gjatë karrierës së tij muzikore janë për shembull Një natë në det, Flutur (duet me Anita Taken), A të kujtohet, Përsëri ke me u afru dhe Këndo kitara ime. Vepra e tij, e frymëzuar gjithashtu nga muzika italiane dhe këngëtarët bashkëkohorë italianë si Claudio Villa, Luciano Tajoli apo Giorgio Consolini,[4][5] u prodhua pjesërisht në vende të tjera si në Rumani, Bullgari, Çekosllovaki ose Bashkimin Sovjetik dhe u dëgjua gjithashtu jashtë vendit.[2] Në filmin Bota të vitit 2014, këngët tango nga Stambolla shërbejnë si përcjellje muzikore.[6]
Lidhje të jashtme
RedaktoBurime
Redakto- ^ Ndërron jetë "romantiku i tangos" Rudolf Stambolla (RTSH Lajme, 06 mars 2021): „Rudolf Stambolla ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 90 vjeçare.“
- ^ a b c d Agron Shala: Para 70 vitesh u incizua kënga “Kur gjethet bien në vjeshtë”: Me këngëtarin Rudolf Stambolla, të parin e muzikës moderne shqiptare (telegrafi.com, 13 prill 2018)
- ^ Nicholas Tochka: Audible States. Socialist Politics and Popular Music in Albania f. 51, 58 (Oxford University Press, 2016) ISBN 978-0-19-046782-1
- ^ Besara Kaja: Shuhet “mbreti i tangos” Rudolf Stambolla Arkivuar 15 mars 2021 tek Wayback Machine (albanianpost.com, 06 mars 2021)
- ^ Julia Vrapi: Rudolf Stambolla: Në 1956 incizova këngën e parë në radio, pse braktisa festivalet e RTSH që në ‘63 Arkivuar 15 mars 2021 tek Wayback Machine (sot.com.al, 18 shkurt 2016)
- ^ BOTA, with post-film Q&A! (OlympiaFilmSociety.org)