Sadik Bekteshi (Guci, 10 janar 1920 - Tiranë, 12 qershor 2000) ka qenë pjesëmarrës i rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, komandant i formacioneve partizane, drejtor i Institutit të Kërkimeve Ushtarake.

Biografia

Redakto

Lindi më 10 janar të vitit 1920 në Guci, i biri i Shabanit dhe Fatimes, më pas u shpërngulën në rrethinat e Shkodrës ku banuan në Fushë Shtoj.[1] Kreu gjimnazin e qytetit. Më 1937 u anëtarësua në Grupin Komunist të Shkodrës.[2] Pas pushtimit italian të Shqipërisë, raportohet ndër pjesëmarrësit e demonstratës së parë antifashiste me studentë dhe konviktorë të Shkodrës me flamurin shqiptar pa sëpatat e liktorit.[3]

Më 27 prill 1943 pasi u realizua Konferenca e parë e Këshillit drejtues të LANÇ në Dobraç të Shkodrës, u caktua ndër anëtarët së bashku me Dom Luigj Picin, Mark Ndojën, etj.[3] Pas mbarimit të luftës, në shkurt 1945, u emërua për pak kohë shef i Kabinetit Ushtarak të Komandës së Përgjithshme. Kreu Akademinë Ushtarake «Frunze» (1945-1950) dhe më pas Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm «Voroshilov» (1954-1957) në Moskë. Më 1969-1974 u emërua drejtor i Institutit të Kërkimeve Ushtarake. Në dhjetor të vitit 1974 u përjashtua nga radhët e Ushtrisë dhe nga PPSH dhe më 1975 u internua bashkë me familjen në fshatrat e Beratit. U arrestua më 1982 dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie. U lirua më 1990.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ Kaloçi, Dashnor (6 maj 2007). "Akuzat ndaj 73 komunistëve në gjyqin me Qemal Stafën". Shqip (121): 18–19.
  2. ^ a b Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç). Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 165. ISBN 978-9928-168-01-6.
  3. ^ a b Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 191. ISBN 9789928440358.