Spiridhoni i Trimithundës
Neutraliteti i këtij artikulli ose seksioni është i dyshimtë. Jeni të lutur të shikoni faqen e diskutimit si dhe të ndihmoni këtë artikull duke korrigjuar informacionet. |
Shën Spiridhoni ose Spiridoni është një ndër shenjtorët më të njohur të Kishës Ortodokse dhe Romano-Katolike. Në Kishën Ortodokse, ky shenjtor përkujtohet në 12 dhjetor (dita e fjetjes së tij).
Spiridhoni jetoi në ishullin e Qipros, në fillim të shekullit IV, dhe ushtronte zanatin e thjeshtë të bariut. I thjeshtë dhe pak i arsimuar, përshkruhet si shumë i dashur me të afërmit, i butë, bamirës, e mikpritës. Nuk kishte të varfër dhe të sëmurë që të mos gjenin ndihmë pranë tij. Spiridhoni i vinte paratë e tij në një arkë që e linte përherë të hapur, aty mund të merrte kushdo dhe ai kurrë nuk shqetësohej nëse ishte bosh ose plot, ose nëse ata që vinin për të marrë ishin të denjë ose jo për ndihmën e tij. Kështu, fitoi një famë të madhe në ishull. Kishte një vajzë, por pasi gruaja e tij ndërroi jetë, vendosi të jetonte si i përkushtuar (murg). [1]
Veprimtaria baritore. Mrekullitë e shumta
RedaktoKur vdiq peshkopi i Trimithundës, (një qytet i vogël afër Salaminës), besimtarët e zgjodhën në mënyrë unanime në vend të tij. Edhe pse u nderua me këtë ofiq, nuk e ndryshoi mënyrën e tij të të jetuarit: mbante po të njëjtat veshje të varfra, shkonte kudo më këmbë, punonte nëpër ara dhe vazhdonte si më parë të kulloste dhentë.
Kreu një numër të madh mrekullish për shpëtimin dhe ngushëllimin e Kishës.
Kur ishulli i Qipros u godit nga një thatësirë e gjatë, që solli afrimin e zisë së urisë, Spiridhoni hapi qiejt falë lutjes së tij dhe filloi një shi i rrëmbyer, i cili i solli tokës përsëri pjellorinë e saj. Kur disa të pasur mblodhën sasi të mëdha gruri, për të përfituar nga mungesa e tij në treg dhe për ta shitur me çmime më të larta, episkopi bëri që të shembeshin hambarët e tyre me anë të lutjes së tij dhe ua shpërndau banorëve grurin në mënyrë të barabartë. Një grua barbare iu lut që të sillte në jetë djalin e saj të vogël, kufomën e të cilit ia vuri përpara këmbëve dhe, pasi shenjtori u lut, djali u ngjall përsëri.
I shtynte mëkatarët të pendoheshin dhe të vinin për të rrëfyer fajet e tyre, që të nisnin përsëri një jetë pendimi.
Shën Spiridhoni ishte i paarsimuar, por i pasur në dhuratat e profecisë, dhe e njihte mirë Shkrimin e Shenjtë.
Kur perandori Kostandini i Madh mblodhi në Nikea Sinodin e Parë Ekumenik (325), për të dënuar herezinë e Ariosit, shkoi edhe Spiridhoni, i veshur me rrobën e tij të thjeshtë të bariut, për të dhënë dëshminë e së vërtetës së bashku me episkopët e shenjtë dhe pohuesit e mëdhenj, që ishin personalitetet më të shquara të kohës së tij[2]. Gjatë diskutimeve, një filozof arianist sfidoi ortodoksët për një debat rreth Trinisë së Shenjtë. Bariu nga Qiproja, për habi të të gjithëve, shkatërroi argumentet e kundërshtarit të tij me thjeshtësinë dhe autoritetin e fjalëve të tij.
Pas vdekjes së shën Konstandinit, biri i tij, Konstanci, që trashëgoi pjesën perëndimore të perandorisë, shfaqi një prirje për arianizmin. Ai u sëmur kur ishte në Antioki dhe, me gjithë përpjekjet e mjekëve, jeta e tij ishte në rrezik. Në ato çaste vendosi ta thërriste shën Shpiridhonin në pallat, të shoqëruar nga nxënësi i tij, shën Trifili. Shën Spiridhoni e shëroi prej sëmundjes dhe perandori i premtoi se do t’i qëndronte besnik mësimit të Kishës dhe do të ishte i mëshirshëm ndaj nënshtetasve të tij. Kur u kthye në Qipro, ai shpërndau te të varfrit të gjithë arin që ia bëri dhuratë perandori.
Kremtonte çdo ditë Liturgjinë Hyjnore.[3]
Fjetja e shenjtorit. Nderimi i tij
RedaktoSpiridhoni ndërroi jetë më 12 dhjetor 348, në moshën 78-vjeçare.
Trupi i tij u bë burim i pashtershëm shërimesh për besimtarët e Qipros deri në shekullin e 7-të, kur u mor në Kostandinopojë për t’i shpëtuar invazionit arab dhe qëndroi në një kishë afër Shën Sofisë. Pasi Qyteti ra në duart e turqve, lipsani (trupi) i tij u çua fshehurazi në Korfuz (1456)[1], ku ruhet i paprishur deri më sot. Atje janë kryer shumë mrekulli si për njerëz të veçantë, ashtu edhe për mbarë popullatën, zhdukja e epidemisë së kolerës dhe dëbimi i pushtuesve të huaj saqë shën Spiridhoni nderohet si mbrojtësi i parë i Korfuzit.
Referime
Redakto- ^ Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Sinaksari (2014). Vëllimi II, Nëntor - Dhjetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 497–499. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 5 - 7.
- ^ Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks III - Shkrimi i Shenjtë dhe historia e Kishës, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2000, përkthim i Imz. Joan Pelushit, fq. 192.
- ^ Sinaksari - Jeta e shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 499-500.