Shtëpia e Ymer Prizrenit

monument kulture në Kosovë

Shtëpia e Ymer Prizrenit është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".

Shtëpia e Ymer Prizrenit
LlojiArkitekturore
VendndodhjaPrizren, Kosovë
NdërtuarShek. XIX
Emri zyrtar: Monument / Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës510

Historiku Redakto

Shtëpia e Ymer Prizrenit gjendet në pjesën juglindore të qytetit, në zonën e qendrës historike të Prizrenit. Gjendet në lagjen e “Rahlinit”, me pjesën ballore të orientuar kah jugu. Në afërsi të shtëpisë gjendet shtëpia tradicionale e Mustafë Drinit, shtëpitë e tjera për banim si dhe Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shtëpia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Shtëpia ka planimetri drejtkëndëshe e ndërtuar në kat, në formë asimetrike. Qasja mundësohet nga rruga përmes derës hyrëse apo portës hyrëse prej druri, ku mbi këtë hapësirë ndodhet hambari. Konstruksionet e mureve në përdhese, me trashësi 90 cm, dhe në kat, me trashësi 20 cm, janë të ndërtuara prej qerpiçi. Ndërsa konstruksionet e meskatit dhe të kulmit janë të punuara me trarë prej druri. Shquhet tavani i një dhome në kat, ku sipas pronarëve mendohet se është punuar nga vetë Ymer Prizreni, me allçi, me motive florale dhe i ngjyrosur me ngjyrë të kaltër. Dyert dhe dritaret janë prej druri. Kulmi është dyujor i mbuluar me tjegulla të luguara. Në enterier gjenden pajisjet e paluajtshme: tavani dekorativ, tavane të thjeshta, raftet, shtyllat, musëndra, dollapët, jyklykët, hamamxhikët në kat dhe në përdhese, minderet dhe varëset prej druri, stufa, oxhaku dhe kazani i banjës prej bakri. Pajisjet e luajtshme: arka dhe sofra prej druri, qilimi, dybeku prej guri, kazani, kusia dhe tava e madhe prej bakri. Në kuadër të shtëpisë gjendet oborri i vogël, jazi i mbyllur, çezma, ambari, një shtëpi e ndërtuar në shekullin XX, si dhe ahuri, e cila është pjesë e vëllimit të shtëpisë dhe ka qasje nga oborri, konkretisht afër portës hyrëse. Shtëpia ka rëndësi të veçantë historike, sepse këtu ka jetuar dhe vepruar Ymer Prizreni, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Enterieri i shtëpisë ka objekte origjinale të punuara në mënyrë arkitektonike-artistike. Gjatë vitit 2015-2016, në Shtëpinë e Ymer Prizrenit janë realizuar ndërhyrjet restauruese nga ana e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Prizrenit.[2]

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 25 shkurt 2023. Marrë më 25 shkurt 2023. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)