Hape menynë kryesore

Sistemi Politik në Kosovë Kosova si një Republikë parlamentare dhe shtet modern demokratik mbështetet në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre,gjë që e përcakton edhe vetë Kushtetuta e shtetit.Shqiptarët etnikë përbëjnë shumicën e popullsisë, ndërsa Kushtetuta garanton, që komunitetet tjera jo-shqiptare të gëzojnë të drejta të barabarta me shumicën e popullsisë vendase dhe të luajnë një rol të rëndësishëm, në disa raste vendimtarë në çështje të drejtimit të shtetit, nëpërmjet të drejtës kushtetuese për shumicë të dyfishtë.

Institucionet Kryesore të Kosovës janë: Kuvendi i Republikës së Kosovës, i përbërë nga 120 deputetë dhe ushtron pushtetin legjislativ. Në kuadër të kësaj ndarjeje, njëzet (20) prej njëqind e njëzet (120) vendeve janë të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve, që nuk janë shumicë në Kosovë.

Presidenti i vendit përfaqëson unitetin e popullit, është përfaqësues legjitim brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Qeveria është organi tjetër përgjegjës për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar, ndërsa, pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga Gjykatat. Kushtetuta e Kosovës u siguron pjesëmarrje të gjitha komuniteteve jo-shumicë në Qeveri, me së paku tre poste Ministrore dhe pesë poste të zëvendës-ministrave dhe poste të tjera sipas marrëveshjeve respektive të partive politike që bëjnë koalicione për të qeverisur me vendin. Koncepti qytetar dhe civil, barazia qytetare dhe të drejtat e njeriut, karakteri shumë-etnik, mbrojtja e veçantë e të drejtave të komuniteteve, që jetojnë në Kosovë/diskriminimi pozitiv apo laiciteti dhe neutraliteti ndaj çështjeve të besimeve fetare dhe mos ndalimi i martesave të gjinisë së njëjtë vlerësohen si disa nga tiparet më të avancuara dhe përparimtare të aktit më të lartë juridik në Kosovë, Kushtetutës. Gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe, ndërsa gjuhët Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune. Për shkak të prezencës së madhe të ndërkombëtare gjuha angleze gjen përdorim relativisht të madh. Lidhjet tjera të forta me shtetet evropiane, për shkak të prezencës së madhe të diasporës së Kosovës në shtetet evropiane dhe mosha shumë e re në vend i kanë dhënë një shtytje të fortë edhe përdorimit të gjuhëve të tjera, në veçanti asaj gjermane. Republika e Kosovës ka edhe institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës. Institucionet e Sigurisë në Kosovë të themeluara sipas standardeve dhe praktikave më të avancuara ndërkombëtare dhe sipas organizatave kredibile vlerësohen si ndër më të mirat në rajon. Kosova ka 38 Komuna, nga të cilat dhjetë sish, që kanë shumicë të popullatës serbe udhëhiqen nga komuniteti serb, ndërsa një nga pakica turke, që jeton në Kosovë. Me gjithë se një vend i vogël, llogaritet se në Kosovë janë mbi 30 parti politike dhe më shumë se 50 iniciativa qytetare. Kosova e lejon edhe shtetësinë e dyfishtë.[1]


ReferimetRedakto

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali origjinali më 12 dhjetor 2017. Marrë më 4 shkurt 2018. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)