Gjiri i Valdanosit (ose thjeshtë Valdanos ose Valdanas) është një gjir i cili gjendet në largësi prej 4 miljesh nautike në veri-perëndim të Ulqinit, midis Mavrianit dhe Mendrës, në formë patkoi të ngushtë. Kepat e tij që e mbrojnë lëshohen pingul dhe fundosen thellë në det, kurse plazhi është zallishtë, e përbërë nga gurët me diametër 1-20 cm. Është i gjatë 600 m, kurse i gjerë mesatarisht 20 m. Për ndryshim nga gjirët e tjerë, ky është i mbrojtur nga erërat e jugut e të veriut dhe shpeshherë, në kohë shtrëngate ka shërbyer për strehimin e anijeve. [1]

Valdanosi
Valdanos
IUCN kategoria III (monument natyror)
Koordinatat41°57′12″N 19°09′59″E / 41.95333°N 19.16639°E / 41.95333; 19.16639
Identifikuesi145151
ShtetiMali i Zi Mali i Zi
KomunaStampa:Country data Ulcinj Ulqin
Qyteti i afërtUlqini

Në Valdanos arrihet nëpër det dhe nëpër tokë. Të dy rrugët janë interesante dhe të bukura dhe, pa marrë parasysh se cila merret, bukuria e gjirit përjetohet ndryshe. Në Valdanos gjendet pushimorja ushtarake e tipit të hapur, e cila tani për tani është jo funksionale.

Ullishta e Ulqinit që gjendet në afërsi të Valdanosit, që ka rreth 74.000 drurë ulliri, pas ullishtës së Tivarit, është e dyta në bregdetin e Adriatikut. Në një pikëpamje është unike sepse pjesa më e madhe e saj, rreth 75%, gjendet në një kompleks. Vjetërsia mesatare e ullinjve është më se 300 vjet, por disa trupa janë që nga koha e Greqisë antike (shekulli V p.e.s.). Vaji i njohur i Ulqinit, në amfora e qypa të dheut, ishte mall tregtar baraz me arin, dhe arrinte deri në Trieste, në Venedik, në Romë e në Kairo, si dhe në brendinë e vendit (në Shkodër, Shkup, Diokle, Ras, Prizren etj.). Në kohën kur bëhej vjelja (mbledhja) e ullinjve, nga ullishta jehonte kënga e mbledhësve.

Sipas legjendës, një djalosh nuk mund të martohej para se ta mbillte së paku një degë ulliri. Për shumë artistë ulliri ishte frymëzim për veprat e tyre.

Poeti nga Ulqinit Jovica Nikolaidis duke shkruar per bukuritë e vendlindjes se vet, kështu e përshkruante ullirin: "Nuk rritet askund ku nuk ka det ose ku nuk ndihet aroma e detit që e sjell era. Ulliri është pemë, por fruti nuk i hahet, së paku jo ashtu i freskët, sikurse hahet dhe është i shijshëm fruti i freskët i pemëve të tjera. Fruti i ullirit konservohet dhe atëherë është më i vlefshëm dhe shumë i shijshëm për ngrënie. Nuk e di se çka nuk është mjekuese dhe e dobishme nga gjithë ajo që ofron ulliri. Asnjë pemë nuk mund të jetojë aq sa jeton ulliri. Ulliri është më i fortë dhe më i frytshëm kur i mbush njëqind vjet, por nuk është shterp as kur i mbush një mijë vjet. Trupin e ka me rrudha, të vrazhdë e aq të deformuar, sa, po t'ia shikonte edhe i sëmuri më i rëndë nga rahitisi, reuma ose ishiatiku, duke e parë ashtu të shtrembëruar, do ta ankonte duke menduar edhe për sëmundjen e vet. Por, edhe ata, të cilëve mund t'u duket i shëmtuar, e admirojnë shumë më tepër sesa plepat ose palmat".

Ullishtat dhe pyjet e pishave janë "mushkëritë" e qytetit. Ulqini e ka klimën mesdhetare, e njohur si klima e ullirit. Përpos Poreçit të Istrisë, në ish-Jugosllavi, vetëm në Ulqini ka pasur plantacione të ullinjve të tryezës, të ngritura krahas plantacioneve të mandarinave të Ilojit japonez unshio. Në afërsi të drejtpërdrejtë të këtyre plantacioneve, me ndihmën e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë nga Roma, është ndërtuar gjithashtu e vetmja fabrikë për konservimin e ullinjve në ish-Jugosllavi.

Midis Valdanosit dhe Gjirit të Ranës fshihet një varg gjiresh të vogla me plazhe ranore e lugje shkëmbore. Në veriperëndim të Valdanosit, në drejtim të Tivarit, shtrihen gjiret e Krythes, Ulqinit të Vjetër dhe Kruçit. Me ndërtimin e rrugës magjistrale Ulqin - Tivar, buzë bregut të gjireve jane ndërtuar vendbanime me shtëpi e shtëpiza. Plazhet në këto gjire janë të ngushta, ranore dhe shkëmbore. Gjelbërimin në këto gjire e përbëjnë ullishtat, pyjet me ilqe e bung dhe drure të tjerë gjithmonë të gjelbër halorë dhe gjetherënës.

Në shpatin e kodrës së Mendrës gjendet shpëlla, gryka shkëmbore e gërryer nga deti, e ashtuquajtur Mjekra e Vezirit. Kjo është prova më e vjetër e shprehjes figurative; monument unik parahistorik i pikturës në bregdetin e Ulqinit. Para hyrjes në grykën e Valdanosit, rrëzë kodrës gëlqerore të Mavrianit valët e detit e kanë hapur Shpellën e Ujkut, mbi të cilën ngritet shkëmbi i pingultë Shkëmbi i Zanës, kurse buzë majës së gjirit janë dy burime: Kroi i pishave dhe Kroi i zanave. Në afërsi të drejtpërdrejtë te shpellës Mjekra e Vezirit, afër fanarit të Mendrës, është edhe Shpella e Pëllumbave.

Flota e anijeve të Napoleon Bonapartës ka lundruar në qershor të vitit 1806 afër Ulqinit. Janë ndaluar në afërsi të Valdanosit duke vështruar ullinjtë e tij shekullorë dhe shkëmbinjtë të cilët ngriteshin lartë kah kodra e Mavrianit. Por, në moment kanë lëvizur çuditshëm gjilpërat në busollat e tyre, çka i shqetësoi shumë dhe me shpejtësi e lëshuan Valdanosin dhe lundruan drejt Dubrovnikut. Mbas kësaj, në hartat detare franceze, Valdanosi nuk është cilësuar si gjiri i qetësisë apo si gjiri i natës. [2]

Etimologjia

Redakto

Toponimi i gjirit të Valdanosit shpesh ka tërhequr vëmendjen e vendasve dhe shkencëtarëve. Në opinion është përhapur interpretim që do të thotë lugina e arrave, e cila ka prejardhjen nga fjalët italiane valle di noce. Kjo hipotezë është e mbështetur në faktin që në rrethinën e afërt të plazhit në Valdanos ekzistojnë arra shekullore. Por ekziston edhe interpretimi i linguistit vendas, Ruzhdi Ushakut. Ai thekson që Valdanosi është toponim nga fjalët shqipe vallja e nuses, duke theksuar që edhe në hartat më të vjetra Valdanosi është shënuar si vale di nusi. Ndërsa kur flasin për Valdanosin, Ulqinakët këtë e bëjnë me dashuri të veçantë, sikur ti drejtohen gruas më të bukur, shtojzovalles apo floçkës (sirenës), duke qenë të bindur se ky është gjiri i tyre, vendstrehimi i tyre. [3]

Referimet

Redakto
  1. ^ Valdanosiulqini.de
  2. ^ Flota e Napoleonit ne Valdanosul-info.me
  3. ^ Prejardhja e toponimit "Valdanos" – ul-info.me

Shiko dhe

Redakto