Vendgjuetia me Rëndësi të Veçantë “Blinaja”
Vendgjuetia me Rëndësi të Veçantë “Blinaja” shtrihet në pjesën perëndimore të fushës së Kosovës, në jug-perëndim të Prishtinës në largësi prej 32 km dhe ngrihet në lartësitë 600-850 m mbi nivelin e detit, në një rajon kodrinor të vend-gjuetive. Sipas destinimit, është zonë gjuetie me rëndësi të veçantë, e themeluar në vitin 1955 dhe rithemeluar në shkurt të vitit 2009 me sipërfaqe te përgjithshme prej 2.794 ha.[1]
Biodiversiteti
RedaktoBota e gjallë bimore e kësaj zone gjuetie përfaqësohet nga një numër i madh llojesh autoktone, si dhe nga fauna e egër. Vegjetacioni është i begatshëm dhe i llojllojshëm si rezultat i proceseve historike, evolutive dhe kushteve mjaft të përshtatshme gjeografike, orografike, klimatike, gjeologjike dhe pedologjike. Karakterizohet me një terren të brezit kodrinor me thyerje mesatare dhe pa pjerrësi të theksuara.[1]
Hidrografia përbëhet nga përroska të vogla që gjatë verës thahen tërësisht. Janë të ndërtuara 30 penda ujëmbledhëse me qëllim të furnizimit me ujë gjatë gjithë kohës.[1]
Pjesa dërrmuese e sipërfaqes pyjore (mbi 90%) janë pyje cungishte, ndërsa pjesa e mbetur e sipërfaqes janë pyje të lartë, livadhe, kullota, sipërfaqe ujore etj. Pjesëmarrja e llojeve ne vëllimin e përgjithshëm në nivel të njësisë menaxhuese dominohet kryesisht nga dushqet, ku qarri ka pjesëmarrjen më të madhe 49%, bunga 33% e më pak shparthi me 6%, po ashtu lloje të tjera fletorësh si ahu, bliri etj., zënë rreth 11% dhe pjesën e mbetur e zë pisha e zezë.
Llojet më reprezentativë që kultivohen në njësinë menaxhuese të Blinajës janë kaprolli (Capreolus capreolus), derri i egër (Sus scrofa), dreri bri lopatë (Dama dama), dreri i rëndomtë (Cervus elaphus) e të tjera.[1]
Kushtet natyrore mundësojnë kultivimin e kafshëve dhe shpezëve të egra për gjueti, që e bëjnë këtë njësi menaxhimi një lokacion të mirë për gjueti rekreative. Blinaja përfaqëson një lloj të mbyllur të vendgjuetisë, çka do thotë se nuk ka lëvizje të lirë të faunës së kultivuar dhe grabitqarëve natyror. Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi kushtet apo mundësitë premtuese për ushqim dhe me këtë ruajtjen e këtij ekosistemi.[1]
Shiko edhe
RedaktoBurimi
Redakto- ^ a b c d e "Raport për gjendjen e natyrës 2010 - 2014" (PDF). ammk-rks.net (në anglisht). Prishtinë: Ministia e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 2015. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 10 shtator 2016. Marrë më 1 qershor 2016.