Fusha e Kosovës
Fusha e Kosovës (serbisht: Косово поље Kosovo polje) shtrihet midis maleve të Kopaonikut dhe Rogoznës në veri dhe maleve të Sharrit e të Maleve të Karadakut në jug. Kufirin perëndimor e mbyllin Çiçavica (1091), Goleshi (1091m) dhe Malet e Cërralevës, kurse në atë lindor, Prugovci (1091 m) dhe Zhegoci (1071 m).
Përmbledhje
RedaktoFusha e Kosovës është e gjatë, por e ngushtë. Ajo prej Mitrovicës deri në Kaçanik është e gjatë 84 km dhe në pjesën qendrore arrin gjerësinë më të madhe prej afro 15 km. Fusha e Kosovës paraqet një gropë tektonike e cila është fundosur në periudhën e terciarit. Në fillim shëndrrohet në liqe e më vonë tërë uji derdhet përmes lumenjve në detet e afërme, duke u shëndrruar në këtë mënyrë në një fushë të gjerë në të cilën gjenden shtresa të trasha liqenore.
Në formimin e Fushës së Kosovës, përveç specifikës morfotektonike, e cila është shprehur në fundosjen e saj, në morfogjenezë format akumulative dhe fluviale kanë ardhur në shprehje të plotë. Energjia e relievit, e shprehur në kompleksin kodrinor-malore, këtu zëvensohet me një diferencë të vogël në mes rrafshinave aluviale të Sitnicës dhe të tarracave liqenore në të dy anët e këtij lumi. Zona e Fushës së Kosovës është uniforme, jo vetëm në strukturën e relievit, por edhe në formacionet gjeologjike. Në tërë këtë hapësirë mbizotërojnë formacionet e reja në litologjinë e të cilave marrin pjesë ranoret, mergelet, argjila dhe zhavorri i pliocenit. Përkundër kësaj, malet që e rrethojnë janë të ndërtuara prej shkëmbinjëve të vjetër palezoikë.
Pozita lindore e Fushës së Kosovës, depërtimi i erërave veriore, relativisht lartësia mbidetare, kanë ndikuar në formimin e klimës. Sipas të gjithë treguesve, klima e saj është klimë kontinentale. Temperatura mesatare vjetore lëvizë nga 10,4 °C gradë celsius në Mitrovicë dhe 10,2 °C në Ferizaj. Temperatura mesatare e janarit në Mitrovicë është – 1,5 °C në Ferizaj është -1,4 °C, ndërsa e korrikut 20,7 °C në Mitrovicë dhe 20,6 °C në Ferizaj. Reshjet mesatare vjetore janë mes 600 e 700 mm.
Kushtet klimatike, sidomos reshjet mesatare vjetore të vogla, kanë ndikuar që hidrografia të jetë e varfër. Lumi kryesor i Fushës së Kosovës është Sitnica, e cila është dege Ibrit. Sitnica është e gjatë 90 km, lum tipik fushorë me pjerrtësi të vogël, me shtrat të gjerë, të cekët me meandra . Sitnica mbledh ujrat e Gadimes, Graçankës, Janjevës, Prishtinës, Llapit, Samodregjës, Drenicës dhe Lushtës.
Një fenomen i rrallë që zgjon kureshtjen e çdo gjeografi është degëzimi i lumenjve nëpër pellgje, përkatësisht dukuria e bifurkacionit. Këtu është fjala për bifurkacionin. Lumi Nerodime , degë e Lepencit e përcjell ujin në lumin Vardar dhe në detin Egje, ndërsa pjesa tjetër përmes lumit Sazli në Sitnicë dhe Ibër në Detin e Zi.
Fusha e Kosovës përfshinë një sipërfaqe prej 1.659 km 2, që do të thotë ¼ e territorit, dhe rreth 500.000 banor.
Shih edhe
RedaktoLidhje të jashtme
RedaktoKy artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Kosovës është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |