William Carey
William Keri lindi në vitin 1761 në një familje endësish në Northemptonshër, Angli. Në moshën 14 vjeçare i ati e futi çirak tek një këpucar në një fshat fqinj, por Uilliami i ri kishte shumë dëshirë për të fituar dije. Dhuntia për mësimin e gjuhëve si edhe zelli i tij bënë që deri në moshën 20 vjeçare ai të kishte mësuar vetë latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten, holandishten dhe hebraishten, shpesh duke lexuar ndërsa punonte. Në moshën 22 vjeçare u pagëzua dhe u përfshi me një bashkësi baptiste vendase. Pak më vonë u emërua si mësues në një fshat afër dhe njëkohësisht iu ofrua pastorimi i kishës baptiste vendore.
Gjatë kësaj kohe ai lexoi librin e Xhonatan Eduards për jetën e Dejvid Breinërd, një misionar amerikan që ia kushtoi jetën e tij të shkurtër ungjillizimit të amerikanëve vendas (indianëve) si edhe ditarët e eksploratorit të famshëm Xhejms Kuk, dhe u mor me çështjen e përhapjes së ungjillit në botë. Por zelli i tij nuk gjeti që në fillim përkrahje tek bashkëbesimtarët.
Në një takim me klerikë, Keri shtroi pyetjen nëse ishte detyra e të gjithë të krishterëve ta përhapnin ungjillin në të gjithë botën. Thuhet se një nga ata më të vjetrit iu përgjigj : "Djalosh ! Nëse Perëndisë i pëlqen t’i shpëtojë paganët, Ai mund ta bëjë këtë pa ndihmën tënde apo timen".
Në moshën 31 vjeçare, ndërsa ishte pastor i një kishe të vogël baptiste Keri botoi manifestin e tij të famshëm misionar. Një hulumtim mbi detyrimet e të krishterëve për të përdorur mjete për kthimin e paganëve. Në këtë libër të shkurtër ai argumenton se Porosia e Jezusit për të bërë dishepuj nga të gjithë kombet (Mateu 28:18-20) mbetet e vlefshme për të krishterët në çdo kohë, paraqet një histori të shkurtër të misioneve deri në atë kohë, duke filluar që nga kisha e hershme, jep informacione të hollësishme të gjendjes së popujve të ndryshëm të botës, me statistika të qarta dhe u përgjigjet kundërshtimeve në lidhje me dërgimin e misionarëve, si vështirësitë në mësimin e gjuhës apo rreziku për jetën.
Më vonë Keri mbajti të ashtuquajturin Predikim të Pavdekshëm mbi Isaia 54:2-3, në të cilin vazhdimisht përsëriti epigramin që është bërë edhe citimi i tij më i famshëm : "Prisni gjëra të mëdha nga Perëndia; provoni gjëra të mëdha për Perëndinë".
Keri më në fund e mposhti rezistencën ndaj përpjekjeve misionare dhe në tetor 1792, u krijua Shoqëria Baptiste e Veçantë për Përhapjen e Ungjillit midis Paganëve. Familja Keri bashkë me një familje tjetër ishin misionarët e parë të dërguar nga kjo shoqëri. Ata arritën në Kalkuta, Indi, në nëntor 1793.
Gjatë vitit të parë në Kalkuta misionarët u përpoqën të gjenin një mënyrë për të jetuar, një vend për misionin e tyre dhe filluan të mësonin gjuhën bengali për të komunikuar me vendasit. Me ndihmën e miqve, Keri gjeti punë si menaxher i një fabrike që prodhonte bojë për ngjyrosje. Gjatë gjashtë vjetëve që punoi atje, ai përfundoi përkthimin e parë të Dhiatës së Re në gjuhën bengali dhe filloi të formulonte parimet mbi të cilat do të formohej komuniteti i tij misionar, duke përfshirë këtu jetesën në komunitet, vetëmbështetjen financiare, dhe përgatitjen e punëtorëve të krishterë vendas. Ndërkohë shoqëria misionare kishte filluar të dërgonte më shumë misionarë në Indi, por për shkak se Kompania Britanike e Indisë Lindore ishte armiqësore ndaj tyre, ata u vendosën në koloninë daneze në Serampor bashkë me Kerin në vitin 1800.
Me t’u vendosur në Serampor, misioni bleu një shtëpi mjaft të madhe për të strehuar të gjitha familjet, si edhe një shkollë, që do të ishte burimi i tyre kryesor i të ardhurave. Një nga misionarët ngriti një shtypshkronjë me një makinë shtypi të vjetër dhe filloi punën e shtypjes së Biblës në gjuhën bengali. Në fund të atij viti misioni pati të kthyerin e parë në besim, një hindu të quajtur Krishna Pal.
Ata kishin fituar në këtë kohë edhe opinionin e mirë të qeverisë daneze dhe të Guvernatorit të Përgjithshëm të Indisë. Një vit më vonë Guvernatori Uellsli themeloi Fort Uilliam, një kolegj me synimin të përgatiste punonjës administrate dhe i ofroi Kerit pozicionin e profesorit të gjuhës bengali. Gjatë kësaj kohe Keri shkroi gramatika të gjuhës bengali dhe të gjuhës sanskrite dhe filloi përkthimin e Biblës në këtë të fundit. Misioni botoi përkthime të Biblës në bengali, sanskrit dhe gjuhë e dialekte të tjera kryesore. Shumica e tyre ishin gjuhë pa diçka të botuar më parë. Gjatë jetës së Kerit u shtypën dhe u shpërndanë Bibla të plota ose pjesë të saj në 44 gjuhë dhe dialekte.
Në 1818, misioni themeloi Kolegjin e Seramporit për të përgatitur punëtorë të krishterë vendas për kishën që po rritej dhe për të arsimuar në art dhe shkenca këdo, pavarësisht nga kasta apo vendi i origjinës. Mbreti i Danimarkës e licensoi këtë kolegj në vitin 1827 duke e bërë atë institucionin e parë diplomues në Azi. Vitet e fundit të jetës Uilliam Keri ia kushtoi rishikimit të përkthimit të Biblës në gjuhën bengali, predikimit dhe mësimdhënies. Vdiq në 9 qershor 1834 në Serampor.