Xhamia Neshat Pashaj
Xhamia Neshat Pashaj, e njohur ndryshe Xhamia e Kuqe, është një nga objektet e kultit më të vjetra e më të njohura në qytetin e Vlorës. Këtë xhami e ka rindërtuar axha i Ismail Qemalit në themelet e xhamisë që ka ndërtuar Perandoria Osmane. Ajo gjithashtu është një nga dy objektet më të njohura të këtij lloji në qytetin e Vlorës, krahas Xhamisë së Muradies.
Xhamia e Kuqe është ndërtuar nga Sheh Jakubi, në vitin 929 Hixhri (sipas kalendarit hënor myslyman), ose në vitin 1523 dhe u rindërtua në vitin 1925 nga Neshat Pashaj, pinjoll i familjes së bejlerëve Vlora. Në vitin 1967, u shkatërruan minareja dhe tyrbeja përballë saj (vendvarrimi i familjes së Neshat Pashajit), ndërkohë që u grabitën të gjitha pajisjet e brendshme të xhamisë, të ardhura nga Egjipti. Për rreth 30 vjet ajo shërbeu si mjedis për një nga ndërmarrjet e shërbimeve të qytetit të Vlorës.
Xhamia e Neshat Pashajit, është rikonstruktuar tërësisht, falë ndihmës së një prej biznesmenëve vlonjatë. 42 vjet pas dëmtimit nga regjimi komunist, ajo u transformua në një objekt kulti ku spikasin edhe vlerat historike e arkitektonike. Përmes projektit, të financuar nga biznesmeni Dashamir Tahiri, u rindërtua minareja dhe mjediset e brendshme, ndërkohë që u realizua edhe restaurimi i fasadës, duke evidentuar elementët arkitekturorë që e dallojnë atë nga objekte të tjera të ngjashme, jo vetëm në Vlorë por edhe më gjerë. Me rastin e përfundimit të rikonstruksionit të Xhamisë së Kuqe, që ndodhet në një nga lagjet më të vjetra, rreth 50 metra në lindje të Sheshit të Flamurit, u zhvillua dje dhe një ceremoni, ku ishin të pranishëm Kryemyfti i Komunitetit Myslyman të Shqipërisë, Haxhì Selim Muça e drejtues të tjerë të lartë të tij.
Burime
Redakto- REGJISTRI I KËRKESAVE DHE PËRGJIGJEVE - Qeveria shqiptar
- Xhamia e Neshat Pashait e lënë në harresë ndryshon falë ristrukturimit Arkivuar 23 janar 2021 tek Wayback Machine