Xhamia e Saraçëve

monument kulture në Kosovë

Xhamia e Saraçëve ose Xhamia e Kukli Mehmedbeut është një monument i trashëgimisë kulturore që ndodhet në qytetin e Prizrenit dhe konsiderohet si njëri ndër objektet më të vjetra të llojit të vet jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 1299/70.

Xhamia e Saraçit
Xhamia e Kukli Mehmetbeut
Xhamia e Kuklibeut
LlojiArkitekturore
VendndodhjaPrizren, Kosovë
Ndërtuar1531
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar1299/70
Nr. i referencës356

Historiku Redakto

 
Varrezat

Xhamia e Kukli beut - Saraçhanës gjendet në qendër të qytetit, në lagjen Saraçhane e cila njihej si lagje ku zejtarët përpunonin rripa dhe elemente tjera nga lëkura dhe mbahej tregu i drithit. Ndërtesa gjendet pranë Teqes Halveti dhe në afërsi të Hamamit të Gazi Mehmed Pashës. Xhamia e Kukli – Beut është njëra ndër xhamitë më të vjetra të qytetit dhe ka vlerë të veçantë kulturo-historike. Në vitin 1531 xhaminë e ndërtoi Mehmet Kuklibeu që në atë kohë ishte Vali prej Selaniku gjerë në Bosnje. Në vitin 1963 me rastin e zgjerimit të rrugës është rrënuar hajati i xhamisë që gjendej në fasadën jug-perëndimore. Ndërsa në vitet 1977 dhe 1994 janë bërë disa renovime me ç’rast është suvatuar enterieri dhe janë larguar pikturat murale, mbulesa e kulmit e cila fillimisht ka qenë me rrasa guri është zëvendësuar me tjegulla argjile. Po ashtu edhe gjatë viteve 2000-2003 janë bërë renovime dhe riparime të ndryshme në objekt. Në vitin 2008 bëhet rindërtimi i hajatit. Në vitin 2009 pas një defekti në instalimin elektrik vjen deri te djegia e brendisë së xhamisë. Intervenimet e lartcekura në objekt janë bërë në mënyrë arbitrare nga xhemati.[2]

Përshkrimi Redakto

 
Qeshmeja

Xhamia ka planimetri katrore me dimensione 9 x 9 m, të ndërtuar me gurë natyror të lidhur me llaç gëlqeror. Mbi bazën katrore formohet tamburi tetëkëndësh ku mbështetet kulmi. Kulmi nga jashtë është gjashtëkëndësh dhe ka qenë i mbuluar fillimisht me rrasa guri, kurse hapësira e brendshme mbulohet me kupolë. Fasada e xhamisë është e pasuvatuar, me ç’rast shihet qartë struktura e muratimit, me gurë lumor me forma të parregullta të lidhur me llaç gëlqeror. Shtangimi horizontal i strukturës së mureve është bërë nëpërmjet hatullave nga druri, të cilët gjithashtu shihen në fasadë. Hyrja në xhami realizohet nëpërmjet derës që është e vendosur në fasadën jug-perëndimore. Dera është e punuar nga druri, me hapje gjysmë harkore dhe me kornizë të punuar nga gurë të gdhendur në formë të rregullt. Krahas derës në këtë fasadë gjendet edhe nisha që shënon mihrabin. Në këndin jugor, pranë fasadës ballore është ndërtuar minarja. Minarja ka bazë gjashtëkëndëshe, të punuar me gur të gdhendur, trung rrethor të suvatuar, sherefeja e pasur me dekorime gjeometrike, dhe e mbuluar me kylah në formë konike. Enterieri i xhamisë ka qenë i pasur me piktura murale.[3]

Shih edhe Redakto

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ Saraç xhamia – (E Kukli Beut)[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur] Vizituar më 21.07.2016.
  3. ^ Saraç xhamia - Xhamia e Kukli Mehmed Beut (Prizren), Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës Arkivuar 22 janar 2020 tek Wayback Machine Vizituar më 21.07.2016.