Mehmet Kuklibeu (1487 - 16 nëntor 1555) është një personalitet i shquar nga Opoja i cili jetoi dhe veproi në kohën e Perandorisë Osmane.

Biografia

Redakto

Burimi i mëposhtëm është mbase i vetmi rreth jetës dhe veprës së Mehmet Kuklibeut i cili e jep një datë të lindjes së tij, pra vitin 1487. Në fakt, burimi në fjalë, jep edhe të dhëna të tjera rreth jetës dhe veprës së Mehmet Kulibeut, por që mund të konsiderohen shumë diskutabile, si p.sh., jep vitin 1538 si vitin e vdekjes së Mehmet Kuklibeut, gjë që nuk është edhe aq i besueshëm sepse janë një varg burimesh tjera të cilat thonë mes tjerash se ky personalitet jetoi aq gjatë sa që gati të gjithë fëmijët e tij, vdiqën para tij, ndërsa një jetë njeriu mes viteve 1487 - 1538, pra 51 vite, nuk është edhe aq e gjatë, mbase jo aq e gjatë sa për të përjetuar vdekjen e fëmijëve dhe për të grumbulluar gjithë atë pasuri. Megjithatë, viti i tij i lindjes, 1487, duket se qëndron afër së vërtetës.[1]

Mehmet Kuklibeu ishte djali i Hajrudinit dhe nipi i Iljaz Kukës. Babai i Kukliut, përmendet edhe më emrin Hëzër.[2] Mehmet Kuklibeu jetoi dhe veproi në kohën kur shumë shqiptarë kishin pozita të larta në hierarkinë e administratës qëndrore dhe në institucionet arsimore dhe kulturore osmane. Ai ishte vali (mëkëmbës i Sulltanit) në Shkodër, Bosnjë, Selanik, dhe në Prizren (më 1538) ku "legalizoi legatën e vet," e cila përfshinte "2 xhami, 1 mesxhid (xhami pa minare dhe pa minber), 1 teqe, 3 hamame, 14 karvansaraje, 167 dyqane, 1 urë, 2 puse, 16 gurë mulliri, 50.000 akçe argjendi, shumë parcela tokash, si: vreshta, bahçe, livadhe, male etj."[3]

Mehmet Kuklibeu, para vitit 1538, për arsimimin e fëmijëve të Opojës ngriti një shkollë (mejtep), siq quhej "Mejtepi i Kukliut". Ajo ishte përballë xhamisë dhe tyrbes së Kukliut. Për këtë shkollë siguroi mësuesin dhe ndihmësin (përsëritsin) e tij. Mësuesin e pagoi nga 2 akçe në ditë. E çmoipunën intelektuale, andaj kërkoi që "msëuesi, imami, vaizi etj., të mos merren me punë bujqësie (fizike) ... në të kundërtën ka urdhëruar të largohet nga puna. Kjo shkollë kishte edhe funksionin e bibliotekës, ku janë vendosur dorëshkrime të veprave të ndryshme.[4]

Vitin 1555 si datë të vdekjes së Mehmet Kuklibeut, duke iu referuar studimeve të Hasan Kaleshit dhe Ismail Rexhepit, na e sjell në mënyrë bindëse studiuesi Muharrem Qafleshi. Madje burimet në fjalë japin edhe datën e vdekjes së Mehmet Kuklibeut e që është 16 nëntor 1555.[2]

Shih edhe

Redakto

Referime dhe shënime

Redakto
  1. ^ Shih në: Mehmed Kukli Beg -Opolje i Gora u vreme njegove vladavine Vizituar më 22.07.2016.
  2. ^ a b Hasan Kaleshi dhe Ismail Rexhepi, Kukli begu dhe vakëfnimet e tij, Edukat Islame, nr. 83, fq. 202, cituar sipas, Muharrem Qafleshi: Mehmet Kukli Begu-Pushtetari i parë i sundimit osman në Opojë Arkivuar 16 mars 2012 tek Wayback Machine Vizituar më 22.07.2016.
  3. ^ Nehat Krasniqi: Mehmet Kukli-Begu - legatori më meritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturor - arsimor të Opojës në shek. XVI, "Penda", nr. 1. Prizren, 1995, fq. 7.
  4. ^ Nehat Krasniqi: Mehmet Kukli-Begu - legatori më meritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturor - arsimor të Opojës në shek. XVI, "Penda", nr. 1. Prizren, 1995, fq. 7, cituar sipas, Hajrullah Koliqi: Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, "Libri shkollor", Prishtinë, 2002, fq. 79.