Xhemail Abria
Xhemail Abria (1830 - 1908) njeri i mençur dhe pleqnar i shquar nga Abria e Drenicës.[1]
U lind në | 1830 |
---|---|
Vdiq | 1908 |
Kombësia | shqiptar |
Biografia
RedaktoXhemail Abria u lind në vitin 1830 në fshatin Abri të Drenicës. Ishte i biri i Sefer Kuçit. Mësimet e para i morri në gjirin familjar dhe nëpër odat e Drenicës së asaj kohe. Në fëmijëri ishte bari. Edhe pse Xhemaili asnjëherë nuk ndoqi asnjë lloj të arsimit formal, ai i kishte ndjekur me interesim të thellë mësimet e "shkollës" dhe edukatës popullore. Kishte filluar të pleqnojë relativisht herët. [2]
Veprimtaria
RedaktoXhemail Abria ishte pjesmarrës i takimit në Kuvendin e Junikut në vitin 1877, ku edhe u nderua me titullin, "Pleqnar i Kosovës" e gjithashtu ishte edhe pjesmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878) gjë që ndikoi në rritjen e autoritetit të tij. Në Kuvendin e Parë të Pajtimeve, mbajtur pas Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, të cilën e udhëhiqte Binak Alia, Drenicën e përfaqsonte Xhemail Abria. Më vonë, me insistimin e Binak Aliut, Kuvendin do ta kryesojë Xhemail Abria.
Xhemaili morri pjesë edhe në një varg kuvendesh e organizimesh të tjera si p.sh.
Gjeniu i Popullit
RedaktoXhemail Abria njihej me tre mbiemra: Xhemail Abria, sipas vendlindjes, Xhemail Aga, si titull nderi dhe Xhemail Seferi, sipas emrit të babait.
Prej bariut, blegtorit dhe bujkut pothuajse anonim, falë mençurisë së lindur, arriti të bëhej një njohës i shkëlqyer i filozofisë, historisë dhe gjeografisë shqiptare madje deri në atë masë sa cilësohet me epitetin, "Gjeniu i Popullit".
Xhemailin e bëjnë të veçantë këto karakteristika themelore:
- drejtësia e palëkundur,
- shenjat e parandjenjës,
- aftësia për të ndjekur rrjedhat historike,
- strategjia për ta përdorur forcën në mbrojtje të drejtësisë,
- prirja e jashtëzakonshme për të pleqëruar raste enigmatike.
Shembulli më i mirë i gjenialitetit të lindur popullor është rasti i pleqnarit Rexhë Hyseni nga Bellopoja e Burimit. Mënyra me të cilën e zgjidhi rastin në fjalë është shumë e afërt me metodën e hulumtimit bashkëkohor e shkencor të ADN-së!
Pleqnarit Rexhë Hyseni i ishte kërkuar zgjidhja e një rasti tepër enigmatikë e të vështirë për t`u zgjidhur. Dy familje ishin ngatërruar mes vete për punën e një varri për të cilin pretendonin që të dyja. Varri i të vdekurit ishte aq i vjetër sa që nuk dihej me saktësi se cilës prej familjeve i përkiste i vdekuri. Xhemail Abria e udhëzoi Rexhën me këto fjalë: "Çelne varrin e të vdekurit. Merreni një asht prej tij. Thirreni nga një mashkull prej dy palëve të ngatërruara. Prej të dy meshkujve merreni nga një pikë gjaku. Vendoseni gjakun në ashtin e të vdekurit. Atij të cilit ia pin ashti gjakun, jepjani hisen e të vdekurit, sepse e ka ma ngat."
Thënie
Redakto- Fjala n`kamë nuk peshon rand!
- Ma pive kafen e ftoftë!
- Gratë s`um dulen po i pashë!
- Mos e kapërce masën as për t`mirë, as për t`keq!
- Burri e ka burrninë n`tre kat!
- Dikush vdes pa hi n`dhe!
- Nuk vnohet perça n`krye t`huej!
- Fjalën e pleqnarit dhe armën e trimit s`ka kush si i nalë!
- Asht zor m`e ba anmikun mik, se mikun anmik e ban kur t`dush!
- Dy pipa dalin prej ni cungu ...!
- Me hasmin duhet me i mat fjalët se preket!
- Tri sene s`duhet me i keshë: vllaun e keq, gruan e keqe e kojshin e keq!
- Katër sende nuk mund me mi fsheh askush: diturinë dhe budallakun, pasurinë dhe fukarallakun!
- Hoxhë, kno ma shpesh n`qitape, se dijenia pa hyzmet asht si llamba pa gaz, që nihere jep pak dritë, e dikur shymet krejt!
Literatura
Redakto- Anton Çetta: Prozë popullore nga Drenica, (Vëllimi II). Rilindja. Prishtinë. 1990.
- Jetish Kadishani: Fjalë të urta dhe shprehje popullore, Prishtinë, 1988.
- Mehmet Rukiqi: Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë. Prishtinë. 1998[3]
- Pajazit Nushi: Mendimi i pleqnarve dhe struktura e tij, Gjurmime albanologjike, Prishtinë, 1984.
- Riza Greiçevci: Kështu ka thanë Xhemail Abria. Prishtinë. 2012
- Xhemail Bajrami: Xhemail Abria - Pleqnar i Kosovës. Koha. Prishtinë. 2010
Lidhje të jashtme
RedaktoReferime
RedaktoKy artikull është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |
- ^ a b Xhemail Bajrami:"Xhemail Abria - Pleqnar i Kosovës." Koha. Prishtinë. 2010. fq. 286 - 288.
- ^ a b Anton Çetta:Prozë popullore nga Drenica II. Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1979, fq. 165
- ^ Mehmet Rukiqi:"Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë." Prishtinë. 1998. (309 faqe)