Xhemil Dino
Xhemil bej Dino (Prevezë, 21 dhjetor 1894 - Romë, 2 korrik 1972) ka qenë diplomat dhe ministër i shtetit shqiptar.
Xhemil Dino | |
---|---|
Ministër i Punëve të Jashtme | |
Në detyrë 12 prill – 25 maj, 1939 | |
Paraprirë nga | Mihal Sherko |
Pasuar nga | suprimim i ministrisë, më 14 shtator 1943 rikthehet institucioni provizor në drejtimin e Vehbi Frashërit |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 21 dhjetor 1894 Prevezë, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 2 korrik 1972 Romë, Itali |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Punësimi | diplomat |
Biografia
RedaktoU lind në Prevezë më 21 dhjetor 1894, i biri i Hysejn pashë Dinos dhe Katarina Papalitisë, në oxhakun e Dinollarëve.[1] Më 1913 mbaroi studimet në liceun perandorak "Gallata Saraj" në Stamboll dhe më 1921 mbaroi Fakultetin e Jurisprudencës në Romë.
Këshilltar i kryeministrit Iljaz Vrioni, Dino u dekretua sekretar për korrespondencën me Lidhjen e Kombeve, ndërsa më vonë u emërua zv/sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së. Në vitin 1922 ai dekretohet Sekretar i Legatës Shqiptare në Paris. Ai ishte njëkohësisht edhe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Nga shkurti 1925 deri në 17 maj të atij viti, Dino ishte dekretuar Sekretar i Përgjithshëm i MPJ-së. Pikërisht në këtë kohë dekorohet nga presidenti i Francës “Oficer i Legjionit të Nderit”. Shkëputet për disa kohë nga diplomacia pasi zgjidhet deputet, por në vitin 1926 shërben si i ngarkuari me punë në Bukuresht. Pas disa muajsh, dekretohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Romë, ku shërben për katër vjet.
Në vitin 1931 caktohet Ministër Fuqiplotë në Londër, ndërkohë që pas vdekjes së Iljaz bej Vrionit, ai shërbeu edhe si Ministër Rezident për Francën me rezidencë në Londër.[2] Ky caktim nuk zgjati shumë, pas vetëvrasjes së bashkëshortes së tij iu kërkua dorëheqja. Vjeshtën e 1934 mori për grua të bijën e Shefqet bej Vërlacit, ish të fejuarën e NMT Zog I. Më tej u përtëri në shërbimin diplomatik duke u caktuar më 1936 Ministër i Shqipërisë në Sofie dhe ishte ende atje në kohën e pushtimit italian.[3]
Më 12 prill 1939 iu dha posti i ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë Vërlaci, post që e mbajti nominalisht deri në qershor të atij viti, kur hyri në fuqi marrëveshja që i jepte Italisë kontrollin mbi marrëdhëniet me jashtë të Shqipërisë. Pas shkrirjes së shërbimit të jashtëm të Shqipërisë, Dinos iu dha posti i Ambasadorit nga Shërbimi i Jashtëm italian, por nuk u caktua në ndonjë post.[3] Vdiq në vitin 1972 në Madrid dhe u varros në Romë.[2]
Referime
Redakto- ^ Kërkim "Cemil bey Dino" në sitin myheritage.com.
- ^ a b Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 120. ISBN 9789994356225.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ a b Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme (1939-1946). Durrës: Jozef. fq. 69. ISBN 9928-241-84-8.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)