Zymer Haziri
Zymer Haziri (23 nëntor 1942, Druar - 15 mars 1995, Vushtrri) ishte një veprimtar dhe dashamirë i arsimit dhe shkollës shqipe i cili në vitet e nëntëdhjeta afroi shtëpinë e tij për nxënësit dhe mësimdhënësit e Gjimnazit "Muharrem Bekteshi" në Vushtrri.[1] Krahas kësaj, Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit në periudha të ndryshme dhe herë pas here përdorej edhe për nevojat e Këshillit për Financim të Kosovës si dhe Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza”. Me kontributin e tij për mbijetesën e arsimit dhe shkollës shqipe në Kosovë, Zymer Haziri mund të krahasohet me arsimdashësin rilindas Diamant Terpo.[2]
Biografia
RedaktoZymeri ishte djalë i Hazirit, i lindur, më 23 nëntor 1942 në fshatin Druar të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Përkundër vështirësive ekonomike, ai nuk dorëzohet dhe regjistrohet në shkollën e mesme për saldues elektrik, të cilën e kryen gjithashtu me sukses të shkëlqyeshëm, por kësaj radhe si nxënës me korrespondencë. Edhe pse u bë specialist në profesionin e saldimit, dëshira e tij ishte që të vazhdonte shkollimin e lartë, mirëpo, kushtet e ekonomike ia diktonin rrugëtimin e tij. Mësimet e mëtutjeshme i vazhdon në një drejtim krejt tjetër, kur shkoi te hoxha i fshatit dhe filloi ti merr hapat e parë në njohuritë islame, rreth njohjes dhe përvetësimit të fesë islame, prandaj që nga ajo kohë në opinionin e gjerë, Zymerin e njihnin me emrin Hoxha. Pasi që ishte djali më i madh, atëherë edhe obligimet për mbajtjen e familjes i takonin Zymerit, i cili me profesionin që e kishte u detyrua të punonte në shumë organizata këtu në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës. Kështu për disa vite ka punuar në Libi, Irak dhe në Gjermani. [3]
Pasi arrin moshën madhore Zymer Haziri ishte martuar me Shefkijen me të cilën i kanë tetë fëmijë, pesë djemë, Fadilin, Shemsiun, Xhavitin, Xhemshitin dhe Ekremin dhe tri vajza, Feriden, Taiben dhe Nagipen.
Në periudhën shtator - nëntor të vitit 1991 në qytetin e Vushtrrisë u krijua gjendje e jashtëzakonshme në arsimin e mesëm. Nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë të shkollës së mesme "Muharrem Bekteshi", policia serbe nuk i lejonte që t'i vijonin mësimet në objeketet e shkollës së tyre. Nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj vatre arsimore nuk u pajtuan me okupatorin serb, me veprimet, të cilat i ndërmerrte, prandaj organizuan protesta dhe demonstrata, për çka shumë nxënës dhe profesorë u maltretuan. Oferta e okupatorit ishte: që të pranohen plan- programet e Serbisë, por një gjë e tillë nuk pranohej nga profesorët, nxënësit dhe as nga prindërit. Pastaj, u tentua që mësimi të mbahet në hapësirat e shkollave fillore, por edhe këtu i pengonin dhe i maltretonin, sepse vizitat e policisë në shkolla, tani ishin të përditshme. Kështu, u krijuan rrethana jo normale dhe të pazakonta, ku një gjë e tillë nuk kishte ndodhur diku në botë. Por, shqiptarët ishin mësuar me veprimet e ndyta te bishave sllave më shumë se një shekull, prandaj në situata të tilla, shqiptarët bashkohen dhe nuk ka fuqi që mund t'i ndalë, kështu ndodhi edhe kësaj radhe. Mendjet e ndritura të arsimit shqip si çdoherë, edhe kësaj radhe u mobilizuan që të gjejnë forma dhe veprime për ta përballuar këtë situatë, e cila ishte shumë e rëndë. Pandaj, u propozuan disa alternativa për ta tejkaluar këtë situatë. Alternativa e parë ishte, që mësimi të mbahet në shtëpi private, kjo ide nuk ishte diçka e pa njohur për intelektualët shqiptarë, sepse gjëra të tilla na kanë ndodhur edhe në periudha më të hershme të historisë së popullit tonë.[4]
Kjo mënyrë e veprimit për familjen e Zymer Hazirit, ishte diçka e veçantë, dhe jo vetëm që e përkrahen, por edhe u angazhuan për sensibilizimin e kësaj çështje, sepse tani jemi në pozitën: të jemi, apo të mos jemi! Falë kontributit të Fadilit, i cili ishte i angazhuar në të gjitha organizimet që bëheshin në Vushtrri dhe Zymerit, i cili kishte respekt të veçantë në popullatën vushtrriase, filloi organizimi i popullatës. Pra, babë e birë kishin biseduar me shumë kryefamiljarë që shtëpitë e tyre t'i shndërrojnë në shtëpi shkolla. Për këtë aktivitet, Zymeri nuk e kishte të vështirë, sepse ai i pari kishte vendosur që shtëpia e tij të jetë vatër e arsimimit dhe edukimit për nxënësit shqiptarë, të cilët ishin larguar me dhunë nga objektet e tyre shkollore, vetëm pse ishin shqiptarë. [5]
Pas konsultimeve paraprake me organet kompetente komunale të arsimit në Vushtrri, merret vendimi që mësimi të nisë nëpër shtëpia private dhe e para që i hapi dyert për nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë ishte shtëpia e Zymer Hazirit. Kështu mësimi për vitin shkollor 1991/92 fillon më datën 18 janar 1992, fillimisht në shtëpinë e Zymerit e pas një kohe edhe në shtëpi të tjera si ishin Shtëpia shkollë e familjes Mërnica, Shtëpia shkollë e familjes Muli, etj. Për shkak se kishin ofruar shtëpinë e tyre për shkollën shqipe familja e Zymerit filloi që të kishte vizita të papritura edhe nga organet policore të pushtetit serb të asaj kohe. Kështu me vështirësi të shumta përfundon viti shkollor 1991/92 ndërkohë familja Haziri ishte aktive edhe në fushën e organizimit të Këshillit Komunal për Financim si dhe me organizimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore të kryesuara nga Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nënë Tereza” dega në Vushtrri.
Përderisa viti shkollor 1993/94 nxënësit kishin vijuar mësimet në lokalet e shkollës fillore "Ali Kelmendi" në Vushtrri, viti shkollor 1994/95 filloi me vështirësi të mëdha sepse paraprakisht organet pushtuese policore kishin pamundësuar një gjë të tillë. Kështu, ndodhi që këtë vit shkollor nxënësit ishin të detyruar që ta vazhdonin përsëri nëpër shtëpia private, dhe fillimisht në shtëpinë e Nazmi Popovës. Për shkak se kushtet për mësim aty ishin dukshëm më të vështira shtrohej nevoja për zhvendosje në një shtëpi tjetër ose për ndërpreje të procesit mësimor. Përkundër paralajmërimeve dhe kërcënimeve që kishin lëshuar organet policore serbe të Vushtrrisë, më datën 18 tetor 1994 nxënësit e Gjimnazit "Muharrem Bekteshi" përsëri u mblodhën në oborrin e shtëpisë së Zymer Hazirit. Pas disa ditëve filluan edhe vizitat e befasishme të organeve policore serbe në Shtëpinë shkollë të Zymer Hazirit. Kështu ndodhi edhe më datën 20 tetor 1994 kur disa policë serbë futen në oborr të shtëpisë dhe pas një bisede të shkurtër, në prani të gruas dhe vajzave, policët serbë e rrahin rëndë Zymer Hazirin për çka detyrohet të kërkojë edhe ndihmën mjekësore. Pas afërsisht një muaji policët serbë intervenojnë përsëri duke e rrahur edhe më rëndë se sa herën e parë dhe përsëri detyrohet që të kërkoj ndihmën mjekësore. Tashmë në familjen Haziri vizitat e befasishme policore të shoqëruara me kërcënime dhe maltretime psiko fizike ishin bërë të shpeshta. Kështu ndodhi edhe më datën 7 mars 1995, në kohën kur nxënësit do të duhej të festonin Ditën e Mësuesit, ata përballen me një vizitë të befasishme të policëve serbë. Pasi policët fillojnë t'i godasin nxënësit dhe profesorët me shuplaka, shqelma dhe shufra gome, Zymer Haziri fillon një përballje verbale me policët serbë. Pasi i shpërndajnë nxënësit dhe profesorët, duke lëshuar një varg sharjesh, fyerjesh dhe kërcënimesh largohen nga aty. Kjo ishte vizita e 20 e policëve serbë për të gjallë të Zymerit. Pas largimit të policisë gjendja shëndetsore e Zymerit fillon të keqsohet për çka familjarët e dërgojnë në Spital të Vushtrrisë e prej andej në Spitalin e Mitrovicës ku menjëherë futet në shok-dhomë. Këtu më 15 mars 1995 pushon së rrahuri zemra e atdhetarit Zymer Haziri. Pas vdekjes, familja e tij do të përballet edhe me rreth 15 vizita të tjera të policëve serbë.[6] [7]
Personaliteti i Zymer Hazirit me kontributin e tij për mbijetesën dhe funksionimin e arsimit dhe shkollës shqipe në qytetin e Vushtrrisë në periudhën 1991 - 1992, dhe 1994 - 1995 mund të krahasohet me atdhetarin rilindas Diamant Terpo, sepse shtëpia e tij ishte e para që u hap si shtëpi - shkollë në qytetin e Vushtrrisë, në vitin shkollor 1991 - 1992 pra, më 18 janar 1992.
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Xhevat Lahu (2022) Zymer Haziri (Sakrificë për mbijetesën e shkollës shqipe), Migros, Vushtrri, fq. 5 - 153
- ^ Lahu, Xh. (27 mars 1995). "S'ka forcë që mund ta mposht arsimin shqip". Gazeta Bujku. fq. 12. Marrë më 18 tetor 2024.
- ^ Bajram Shatri (2010) Arsimi shqip në Kosovë (1990 - 1999), Libri Shkollor, Prishtinë, fq. 549 - 550
- ^ Kajtaz Gecaj (2013) Për shkollën, jo vetëm shtëpinë, por edhe jetën, Gazeta Zëri, 4 mars 2013, fq. 15
- ^ https://ekonomiaonline.com/komuna-e-vushtrrise-vazhdon-vendosjen-e-pllakave-perkujtimore-ne-shtepite-qe-ishin-shnderruar-ne-shkolla/
- ^ Ferit B. Dibrani (2005) Gjenocidi serb ndaj shkollës shqipe në Vushtrri, Prishtinë, fq. 105
- ^ https://pashtriku.org/bedri-tahiri-zymer-haziri-arsimdashyosi-i-pasionuar-i-cili-dha-jetyon-nyo-mbrojtje-tyo-arsimit-kombyotar/