Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit është një shtëpi private që ndodhet në qytetin e Vushtrrisë dhe e cila gjatë viteve '90 ka shërbyer si objekt shkollor për organizimin e procesit edukativ dhe arsimor për nxënësit e Gjimnazit "Muharrem Bekteshi" në Vushtrri. Krahas kësaj shtëpia shkollë e Zymer Hazirit për një kohë në vitet '90 është përdorur edhe për nevojat e Këshillit për Financim të Kosovës në Vushtrri si dhe depo e Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nënë Tereza”.[1]

Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit
Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit (1992)
Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit (2020)

Historiku

Redakto

Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit është e para shtëpi shkollë që është hapur në Vushtrri me rrethinë duke u shndërruar në një hapësirë për zhvillimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe për nxënësit e Gjimnazit "Muharrem Bekteshi" në Vushtrri si një formë e qëndresës alternative kundër pushtuesit në vitet e 90-ta, kohë në të cilën, brenda hapësirave të saj, priti qindra nxënës e mësimdhënës. Duke qenë se ishte e para shtëpi shkollë në qytetin e Vushtrrisë, me aktivitetin e saj ajo u bë edhe një shembull i mrekullueshëm për të tjera shtëpi shkolla jo vetëm në Komunën e Vushtrrisë por edhe më gjerësisht në rajon. [2]

Mësimi në shtëpinë shkollë të Zymer Hazirit, në mënyrë të organizuar, për herë të parë ka flluar më 18 janar të vitit 1992 për vitin shkollor 1991/92 dhe si e tillë është e para shtëpi shkollë në qytetin e Vushtrrisë me rrethinë. Shtëpia e Zymer Hazirit ishte trikatëshe dhe kishte dy hyrje. Përderisa në njërën hyrje jetonte Zymeri me familje, në hyrjen tjetër mësonin nxënësit e Gjimnazit "Muharrem Bekteshi". Asokohe Gjimnazi ishte i ndarë në dy drejtime, drejtimi i shkencave gjuhësore si dhe drejtimi i shkencave matematikore ndërsa nxënësit ishin të ndarë në 9 paralele. Mësimi zakonisht fillonte në ora 7 00 në mëngjes dhe vazhdonte deri në mbrëmje.[3]

Përveç për organizimin e procesit mësimor në këtë shtëpi janë kryer edhe aktivitete të tjera, siç ishte Këshilli komunal i financimit (ruajtja e dokumentacionit financiar), shpërndarja e ndihmave financiare për skamnorë etj.

Për shkak të ofrimit të shtëpisë për organizimin e mësimit shqip, pronari Zymer Haziri, shumë herë është vizituar nga organet policore të pushtetit serb ndërsa dy herë është maltretuar dhe keqtrajtuar rëndë fizikisht dhe psiqikisht. Mё 7 mars 1995, kur nxënësit mezi prisnin për ta festuar Ditën e Mësuesit, policia serbe pёr tё njëzetёn herё me radhё ndërhynë për t’i larguar nxënësit nga shtëpia e tij shkollё. Zymeri, si çdo herё, edhe kёsaj radhe del në mbrojtje të nxënësve qё po i maltretonin policёt serbё. Policia serbe, me të parë Zymerin, fillojnë ta maltretojnё, duke e sharë, fyer, ofenduar e kërcënuar në mënyrën më të paskrupullt. Pasi policia serbe largohet, Zymerit filloi t’i keqësohej edhe më seriozisht gjendja shëndetësore, nga se maltretimet ndaj tij dhe sidomos dhunën policore ndaj nxënësve ai e kishte përjetuar shumë rëndë. Menjëherë dërgohet në Spitalin e Vushtrrisë, e prej andej nё Spitalin e Mitrovicës, ku menjëherë shtrihet në shok-dhomë. Aty qëndroi deri mё datën 15 mars 1995, kur edhe ndёrron jetë. Në këtë mënyrë atdhetari Zymer Haziri me sakrificën e tij madhore edhe u vetflijua për arsimin dhe shkollën shqipe. [4]

Vlenë të ceket se, gjatë periudhave të vështira, në kētē shtēpi, nga bashkēvendesit e tij, mbahej edhe roje, dhe kjo ndodhte sa herē qē tensionohej situata nē atē pjesē tē qytetit tē Vushtrrisē. Pra tanimē shtēpia shkollë e Zymerit ishte bërë halë në sy të armikut.

Mësimi në shtëpinë shkollë të Zymer Hazirit ka vazhduar edhe pas vdekjes së tij, deri në fund të vitit shkollor 1994/95. Përveq 20 intervenimeve të policisë për të gjallë të pronarit Zymer Haziri, policia serbe këtu ka intervenuar edhe rreth 15 herë të tjera pas vdekjes së tij. Me shembullin dhe sakrificën e tij për arsimin dhe shkollën shqipe, pa dyshim që Zymer Haziri mund të krahasohet me atdhetarin dhe arsimdashësin Diamant Terpo. Prandaj, për shkak të rëndësisë së saj për mbijetesën e arsimit dhe shkollës shqipe, kjo shtëpi meriton të futet edhe nën mbrojtje në Listën e monumenteve të Vushtrrisë.

Mirënjohje

Redakto

Për shtëpinë shkollë të Zymer Hazirit dhe kontributin e tij për mbijetesen e arsimit dhe shkollës shqipe në vitet e '90-ta janë shkruar shumë shkrime e vështrime dhe krahas kësaj ai është dekoruar edhe me mirënjohje dhe dekorata nga organet dhe institucionet tona shtetërore, si p.sh.

  • Mirënjohje nga Komuna e Vushtrrisë, me motivacion, për guximin dhe sakrificën në mbrojtje të arsimit dhe shkollës shqipe - 17 qershor 2008
  • Mirënjohje nga Drejtoria e Arsimit në Vushtrri, në 20 vjetorin e shtëpive shkolla - 7 mars 2012
  • Komisioni i Veteranëve, Invalidëve dhe Dëshmorëve të Kombit, Certifikata Dëshmor i Kombit, për sakrificën dhe vetflijimin për shkollën shqipe, 17 janar 2017
  • Mirënjohje nga Komuna e Vushtrrisë, për kontributin në zhvillimin e arsimit dhe shkollës shqipe - 2019
  • Medalja Presidenciale e Meritave, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, Presidenti i Republikës së Kosovës, 2020
  • Një rrugë në qytetin e Vushtrrisë mban emrin Zymer Haziri.[1]

Shih edhe

Redakto
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Shtëpia shkollë e Zymer Hazirit.

Referime

Redakto
  1. ^ a b Xhevat Lahu (2022) Zymer Haziri (Sakrificë për mbijetesën e shkollës shqipe), Migros, Vushtrri, fq. 5 - 153
  2. ^ Bajram Shatri (2010) Arsimi shqip në Kosovë (1990 - 1999), Libri Shkollor, Prishtinë, fq. 549 - 550
  3. ^ Ferit B. Dibrani (2005) Gjenocidi serb ndaj shkollës shqipe në Vushtrri, Prishtinë, fq. 105
  4. ^ https://pashtriku.org/bedri-tahiri-zymer-haziri-arsimdashyosi-i-pasionuar-i-cili-dha-jetyon-nyo-mbrojtje-tyo-arsimit-kombyotar/